Qeveria synon statutin e Asociacionit brenda 4 muajve

0
209

Qeveria e Kosovës është zotuar t’i japë epilog hartimit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe brenda katër muajsh, ashtu siç ka kërkuar Brukseli zyrtar.

Në kabinetin e kryeministrit Ramush Haradinaj kanë thënë se deri në finalizimin e statutit nuk është paraparë ndonjë takim në Bruksel, shkruan sot Koha Ditore.

“Qeveria e Republikës së Kosovës synon që këtë proces ta përmbyllë konform afatit të dhënë. Drafti i statutit do të bëhet nga Ekipi Menaxherial dhe deri në draftimin e plotë nuk është paraparë ndonjë takim në Bruksel”, ka thënë zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi.

Veprimet e Qeverisë erdhën pas ultimatumit të serbëve me themelim të njëanshëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëse Prishtina zyrtare nuk e bënë këtë deri më 20 prill. Në takimin e mbajtur në Mitrovicën veriore, ku ishin prezent përfaqësues të serbëve të zgjedhur në krye të komunave me shumicë serbe, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të Kosovës, është prezantuar edhe logoja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe – të cilin serbët e quajnë Bashkësi – përmbajtja e së cilës është me elemente nacionale-etnike serbe. Logoja i ngjan simbolit serb me katër “C”-ja, që është shkurtesë e zotimit nacionalist serb “Vetëm uniteti shpëton serbin” (Samo sloga srbina spasava).

(koha.net, 10/04/2018)

comments

SHARE