Quo vadis, Politica?

Para së gjithash, kjo Qeveri, tashmë teknike, e ka nënshkruar Marrëveshjen famoze të Uashingtonit e, që absurdi të jetë edhe më i madh, as administrata ndërmjetësuese e SHBA-së nuk është më ajo e njëjta. Nga tre pjesëmarrës në tërë këtë ngjarje, vetëm presidenti i Serbisë ka mbetur i njëjti, të gjitha gjërat tjera kanë ndryshuar. Për marrëveshjen kemi folur, kështu që nuk do t’i kthehemi prapë asaj, por thelbi është se pas të gjitha këtyre edhe ardhmëria e tërë atij procesi të Uashingtonit është nën një pikëpyetje të madhe.

0
81

Ndonjëherë duket morbide por pothuajse të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilat kanë qenë thelbësore për jetën tonë politike në Kosovë, merren vonë në mbrëmje, si të thuash, në një kohë të pakohë. Dhe nuk është thënë rastësisht në kohë të pakohë. Sikur dikush dëshiron të komplikojë edhe më shumë rrjedhat shoqërore edhe ashtu tashmë të komplikuara, dhe jetën në përgjithësi, dhe kështu t’i kontribuojë një histerie edhe më të madhe në shoqëri, sikur nuk kemi pasur tepër shumë gjëra të tilla gjatët vitit të fundit.

Që gjërat të jenë edhe më keq, natyrisht, shikuar nga aspekti politik, vendimi ka të bëjë me një mandat në Parlamentin e Kosovës. Nëse gjithçka do të ishte ideale, ky nuk do të ishte ndonjë problem i madh, por bëhet fjalë për një mandat vendimtar për mbijetesën e Qeverisë. Kështu që, me një reaksion zinxhiror, gjërat filluan të shkojnë rrjedhës që çon kah zgjedhjet e reja për përbërjen e Parlamentit e më vonë edhe të Qeverisë, ndërsa kjo Qeveria e tanishme kalon në formatin teknik dhe si e tillë privohet nga marrja e vendimeve për çështjet e mëdha shtetërore. E pikërisht për ato çështje bëhet fjalë, dhe më saktësisht për negociatat në relacionin Beograd – Prishtinë. Mes tjerash, edhe gjatë formimit të kësaj Qeverie është folur që ajo në mënyrë adekuate do të përfundojë negociatat dhe si e tillë do të hyjë në histori të Kosovës por duket se nuk ka asgjë nga kjo.   

Që e tërë ajo që është arritur të vihet në pikëpyetje u përkujdesën liderët e opozitës, të cilëve vetëm tash u ra ndërmend që ai mandat ka qenë problematik edhe gjatë vetë votimit të kësaj Qeverie kështu që edhe legjitimiteti i Qeverisë vihet në pyetje. Mirëpo interpretimi i legjitimitetit nga ana e tyre ndalet këtu dhe bëhet diçka për çka nuk flitet shumë porse vetëm përmendet në mënyrë xhentëlmene si një fakt anësor. Natyrisht, është e qartë se nëse do të hynim në analiza më të hollësishme, madje edhe ne që nuk i përkasim profesionit të duhur, do të konkludonin se edhe të gjitha vendimet që janë marrë nga ana e një Qeverie të tillë janë jolegjitime sepse politika nuk është matematikë ku dy minusa japin një plus. Legjitimiteti buron nga populli, përfaqësuesit e popullit, besimit në Kuvend, etj. Populli në zgjedhje ka votuar për deputetë, deputetët për Qeverinë, kurse Qeveria e tillë më tej merr vendime në pajtim me Kushtetutën. Mirëpo, një nga deputetët nuk është zgjedhur në mënyrë legjitime, dhe pikërisht vota e tij ka qenë vendimtare për votëbesimin ndaj Qeverisë. E komplikuar por e vërtetë dhe, para së gjithash, e qartë. Qeveri që nga fillimi nuk ka pasur legjitimitet të marrë vendime, porse i ka marrë ato, dhe atë vendime aspak të padëmshme.   

Para së gjithash, kjo Qeveri, tashmë teknike, e ka nënshkruar Marrëveshjen famoze të Uashingtonit e, që absurdi të jetë edhe më i madh, as administrata ndërmjetësuese e SHBA-së nuk është më ajo e njëjta. Nga tre pjesëmarrës në tërë këtë ngjarje, vetëm presidenti i Serbisë ka mbetur i njëjti, të gjitha gjërat tjera kanë ndryshuar. Për marrëveshjen kemi folur, kështu që nuk do t’i kthehemi prapë asaj, por thelbi është se pas të gjitha këtyre edhe ardhmëria e tërë atij procesi të Uashingtonit është nën një pikëpyetje të madhe. Administrata e Trump-it ka rënë, ajo e reja e Biden-it ende nuk është deklaruar qartë në lidhje me marrëveshjen e përmendur dhe, me kalimin e kohës, vështirë se do të thotë diçka pozitive për të. Pala kosovare në ato negociata nuk kishte legjitimitetin as për të nënshkruar marrëveshje të tilla, por e bëri këtë; ndonjë Qeveri e ardhshme do të duhet ta implementojë atë. Kurse pala serbe, pa atribute reale të pushtetit në territorin e Kosovës, mbetet me duar të lidhura sepse me automatizëm duhet të pres formimin e shumicës së re të Kuvendit në Prishtinë. Në përgjithësi, kur të nënvizohet, është e qartë se nga gjithçka që ishte shkruar nuk do të ketë asgjë edhe për një kohë të gjatë dhe, ndërsa gjërat po lëvizin në drejtim të ndryshimit të kursit politik, ndoshta edhe nuk do të ketë asnjë zbatim të asaj që është nënshkruar. Dhe vizita në Uashington dhe në Shtëpinë e Bardhë do të duhet të përfshihen në shpenzimet e udhëtimit si një qëndrim turistik në SHBA, sepse vështirë se mund të ketë përfitime të vërteta politike nga kjo vizitë. Ndërsa e vetmja gjë që do t’ua kujtojë pjesëmarrësve ato nënshkrime janë stilolapsat dhe çelësat e Shtëpisë së Bardhë… dhe Liqeni Trump, natyrisht. 

 Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE