Rakiqi siguron 300 vende pune në vitin 2017

0
870

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka thënë se komuna veriore do të ketë mjete për 300 vende të reja të punës në vitin 2017. “Me pranimin e punëtorëve do të fillojmë që nesër”, ka thënë Rakiq. Mbi 5 milionë euro të mjeteve nga Fondi për Zhvillimin e Veriut komunat veriore i shpenzuan për projekte të paplanifikuara, duke shkelur Ligjin për Buxhet

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka siguruar serbët e Veriut se në vitin 2017 do të hapen 300 vende të reja të punës për qytetarët e pjesës veriore. Ai ka shtuar se me pranimin e punëtorëve do të fillohet “që nga nesër”, posa mjetet të jenë në duar të komunës së Mitrovicës së Veriut.

“Këtë vit për herë të parë është miratuar buxheti ynë nga ana e resorëve të ministrive, me kohë. Deri më tani mjetet nga buxheti na janë lënë në dispozicion nga muaji qershor, kështu që shumë herë ka ndodhur që mos të mund t’i harxhojmë mjetet. Me buxhet kemi arritur të sigurojnë mjete për 300 vende të reja të punës”, ka thënë Rakiq.

Ai ka sqaruar se vendet e punës duhet të jenë në drejtim të zhvillimin ekonomik të qytetit të Mitrovicës. “Kjo do të thotë se që nga nesër do të fillojmë me realizimin e pranimit të punëtorëve. “Konkursi dhe pranimi i punëtorëve do të jetë transparent, konkurset do të kenë afat më së paku një muaj, në mënyrë që të gjithë të interesuarit të njoftohen me kohë. Konkurset do të shpallen në të gjitha portalet, në të gjitha mediet”, ka sqaruar ai.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, theksoi se përkrah mjeteve të mjaftueshme për hapjen e vendeve të reja të punës, 200 mijë euro do të investohen për përkrahje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Në anën tjetër, edhe Qeveria e Kosovës nëpërmes Zyrës Administrative në veri, ka paralajmëruar se do të investojë në disa projekte zhvillimore. Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ka pasur një takim me shefen e Zyrës Administrative në veri, Adriana Hoxhiq, me të cilën ka biseduar për projektet zhvillimore të kësaj ministrie, të cilat do të realizohen gjatë këtij viti në fushën e bujqësisë në pjesën veriore të Mitrovicës. Sipas ministrit Krasniqi, në kuadër të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të këtij viti do të mund të gjejnë mbështetje një numër i konsiderueshëm i fermerëve të komunave veriore të Kosovës.

Mbështetja për zhvillimin e bujqësisë në komunën veriore të Mitrovicës dhe komunat tjera të veriut do të rritet në vazhdimësi, me qëllim të shtimit të prodhimtarisë bujqësore si dhe të rritjes së cilësisë së prodhimeve vendore.

E ndërkaq Adriana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative të Kosovës në veri të Mitrovicës tha se ka nevojë për zbatimin e shumë projekteve në veri të Mitrovicës, në të gjitha fushat, duke veçuar fushën e bujqësisë.

Ndryshe, Mitrovica e Veriut si dhe komunat tjera të veriut të Kosovës, Zveçani, Leposaviqi e Zubin Potoku, përveç buxhetit të Kosovës, marrin buxhet edhe nga qeveria e Serbisë, nëpërmes të të ashtuquajturave organe të përkohshme, që në fakt janë komuna paralele të instaluara nga qeveria e Serbisë, në të gjitha komunat e Kosovës. Komunat veriore kanë privilegjin që t’u ndahen mjete edhe nga Fondi Zhvillimor për Veriun, në të cilin derdhen mjetet nga taksat dhe doganat në pikat kufitare në Jarinje dhe në Bërnjak. Deri më tani janë grumbulluar mbi 10 milionë euro.

Fondi menaxhohet nga përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë (Zhbogar – Apostollova), përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës (ministri i Financave) dhe përfaqësuesi i serbëve (Daniela Zubac). Auditori i  Përgjithshëm gjatë auditimit të pasqyrave financiare ka gjetur shumë shkelje nga komunat të cilat kanë marrë mjete nga ky fond. Sipas Auditorit mbi 5 milionë euro të mjeteve të këtij fondi kanë shkuar për projekte të paplanifikuara. Shkeljet më të mëdha janë evidencuar tek hartimi i projekteve të paplanifikuara me Ligjin për Buxhetin.

“Deri më 30 shtator të vitit 2016, Bordi menaxhues kishte aprovuar 21 projekte në vlerë totale prej 7.555.641 euro. Prej tyre, në Ligjin e Buxhetit të rishikuar për vitin 2016 ishin të përfshira vetëm shtatë projekte në vlerë prej 2.382.549 euro, përderisa 14 projekte tjera në vlerë prej 5.173.092 euro nuk ishin të përfshira në Ligjin e Buxhetit (2015, 2016). Deri më 30 shtator të vitit 2016 komunat e veriut kanë shpenzuar 701.940 euro për projektet të cilat nuk ishin të përfshira në buxhet”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.

(zeri.info, 09/03/2017)