Raportet vjetore të BE-së nuk e lehtësojnë të kuptuarit e procesit të normalizimit

Pjesa e raporteve që flet për normalizimin shërben për pak gjë. Nuk na thotë ndonjë gjë të re; nuk i thotë gjërat shkoqur. Duket se pa nevojë bën përpjekje të jashtëzakonshme për të qenë e paanshme, duke i shpërfillur plotësisht lexuesit në llogari të lojtarëve politikë. Komisioni Evropian duhet të jetë më i drejtëpërdrejtë në vlerësimin e dialogut që po e lehtëson dhe në adresimin e çështjeve që kanë ndikim në jetën e njerëzve.

0
135

New Perspektiva synon të përpiqet ta shpjegojë dialogun e lehtësuar nga BE. Kjo nuk është detyrë e lehtë meqë pak informata dalin nga EEAS (Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian) që do ta ndihmonin punën tonë. Kur më herët në prill u publikuan raportet e Komisionit Evropian për vendet e rajonit shpresova se mund të ofronin dromca informatash mbi procesin e normalizimit. Leximi i pjesës të titulluar Normalizimi i Marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë në të dyja Raportet e Komisionit Evropian për Kosovën dhe Serbinë më zhgënjeu.

Teksti për secilin raport ishte identik. I vetmi dallim ishte ai në fund të tekstit në raportin për Serbinë, ku një fjali shtesë thotë: Në Serbi, presidenti Vučić ka nisur një dialog të brendshëm për Kosovën në korrik të vitit 2017 (sic). Në secilin raport flitet për atë se çfarë ka bërë apo nuk ka bërë secili shtet dhe jo vetëm për vendin të cilit raporti i drejtohet. Me raste, po ashtu në tekst fjalët Kosovë dhe Serbi janë shkëmbyer.

Leximi i këtyre përmbledhjeve njëfaqëshe më la tri përshtypje: BE-ja nuk e ka përmendur fare njërin prej objektivave më të rëndësishëm të normalizimit, zhbërjen e strukturave paralele; Serbia qartazi shihet se ka dështime specifike ndërsa Kosova jo; fjala pajtim mungon krejtësisht.

Lexuesit do ta mbajnë mend se para inicimit të procesit të normalizimit, kancelarja gjermane, Angela Merkel, në vitin 2011, tha qartazi se strukturat paralele duhet të zhbëhen dhe të mos rikrijohen nga Serbia. Këto fjalë, si të tilla, nuk u përfshinë në Marrëveshjen e parë të prillit 2013, por paragrafët për policinë, gjykatat dhe zgjedhjet lokale tregonin mënyrën se si do të hiqeshin strukturat paralele. E dimë se nuk janë zhbërë; Serbia vazhdon t’i paguajë direkt nga Beogradi njerëzit që punojnë në to. Është theksuar qartë nga Edita Tahiri, kur ende ishte kryenegociatore e Qeverisë së Kosovës, se nuk do të kishte Asociacion të Komunave me shumicë serbe derisa nuk zhbëhen këto struktura. Brukseli duket se kurrë nuk i përmend ato, asnjëherë nuk duket se shqetësohet për disa mijëra njerëz puna dhe jeta e të cilëve varet ende nga këto institucione. Ëeshtë vështirë të kuptohet përse.

E ardhmja dhe pozita e këtyre njerëzve është një lloj teme tabu. Politika e Serbisë kritikohet nga qytetarë serbë që jetojnë në veri, të cilët qartazi ankohen se tendenca e Beogradit është t’i mbajë njerëzit në punë në sektorin publik e jo të ketë punonjës efikas, të cilët janë të kualifikuar sa duhet për punën e tyre. Këta punonjës nuk ofrojnë shërbimet dhe rolet puer të cilat kanë nevojë banorët lokalë, veçanërisht për sigurinë e tyre.

Raporti qartazi thekson dështimet e Serbisë në tri marrëveshje përsa i përket marrëveshjeve të normalizimit. Kjo është mirë, të thuhet publikisht dhe të turpërohen. Këto dështime kanë të bëjnë me marrëveshjen e energjisë e cila kërkon që Serbia t’i regjistrojë dhe licencojë dy kompani serbe të energjisë të themeluara në Kosovë; raporti e kritikon fuqishëm dështimin e Serbisë për ta adresuar çështjen e strukturave të zhvendosura doganore administrative serbe që operojnë nën emrin e Kosovës nga brenda Serbisë dhe refuzimin e saj për të mos lëshuar dokumentacione apo për të mos vendosur vula me emërtime që janë në kundërshtim me marrëveshjen; Serbia duhet të heq dorë e të mos pengojë progresin në katër pikat kalimtare të IBM-së. Janë pikërisht këto dy çështjet e fundit që ndikojnë aq negativisht tek serbët të cilët përpiqen të bëjnë biznes në veri.

Megjithatë, qartazi thuhet se është shënuar progres në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që në fakt ndodhi vetëm disa javë para se të publikohej raporti. Përafërsisht po aq ditë pas publikimit të raportit, pala kosovare, përmes komenteve të bëra nga njëri nga këshilltarët e presidentit, Blerim Shala, e edhe nga zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, në mënyrë specifike tha se themelimi i këtij institucioni nuk do të ndodhë pa zhbërjen e autoriteteve paralele dhe vetëm atëherë kur Kosova të ketë ulëse në OKB. Narrativa e mëhershme kosovare u ringjall dhe BE-ja vërtetë nuk e kishte shqyrtuar në hollësi këtë narrativë.

Përshtypja ime e tretë ishte mungesa e fjalës pajtim. Kjo nuk është fjalë e cila fillimisht u përfshi në procesin e dialogut, por me fazën e re të dialogut që u formua nga presidentët Vučić dhe Thaçi në verën e vitit 2017. Deklaratat e EEAS më pas zakonisht iu referuan punës “për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin”. Pa marrë parasysh se çfarë mund të mendojmë ne për urtësinë e përdorimit të fjalës pajtim, pse ajo nuk është përfshirë në këtë raport? I referohet normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve.

Do të argumentoja, po ashtu, e folmja e BE-së ka kaluar në një nivel tjetër të absurditetit. Teksti i referohet trenit serb të dërguar nga Beogradi në Kosovë në fillim të vitit 2017 si “një përpjekje për ta dërguar një tren” duke mos i dhënë trenit pronësi, pa thënë se ishte tren serb – “një tren”. Pse? Çka arrihet me këtë përveç skepticizmit për BE-në? Gjuha do të duhej të ishte shumë më eksplicite.

Pjesa e raporteve që flet për normalizimin shërben për pak gjë. Nuk na thotë ndonjë gjë të re; nuk i thotë gjërat shkoqur. Duket se pa nevojë bën përpjekje të jashtëzakonshme për të qenë e paanshme, duke i shpërfillur plotësisht lexuesit në llogari të lojtarëve politikë. Komisioni Evropian duhet të jetë më i drejtëpërdrejtë në vlerësimin e dialogut që po e lehtëson dhe në adresimin e çështjeve që kanë ndikim në jetën e njerëzve. Ky dështim për të qenë më të qartë në komunikim vetëm sa e nxit dyshimin për BE-në dhe për këtë proces të rëndësishëm. Nuk ofron rezultate sa i përket qëllimit të përmirësimit të jetës së njerëzve, që ishte një ndër qëllimet kryesore të dialogut të normalizimit.

comments

SHARE