Rasti i Gojbulës

Policia e Kosovës thotë se e ka trajtuar rastin e Gojbulës me prioritet dhe seriozitet duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në terren, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë. “Nga hetimet e zhvilluara deri në këtë fazë, nuk janë siguruar dëshmi se rasti mund të jetë i motivuar etnikisht,” thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për New Perspektivën.

0
2084

Disa incidente janë shënuar gjatë korrikut në Kosovë në shënjestër të të cilave, siç njoftonin mediat në gjuhën serbe, ishin pjesëtarë të komunitetit serb. Një prej tyre ishte edhe sulmi kundër trembëdhjetëvjeçarit Nikola Perić nga fshati Gojbulë, në komunën e Vushtrrisë, kur po kthehej në shtëpi nga një ndeshje futbolli.

„Kur po luaja futboll me fëmijë të tjerë dhe me vëllezërit e mi, përnjëherë na sulmoi një grup shqiptarësh. Kur fillova të ikë, ata më mbërritën dhe më rrëzuan për toke. Më shqelmuan, ma këputën zingjirin e qafës në të cilin ishte një kryq dhe e shkelën. Jam frikësuar pak,” citohet Nikola se i ka thënë portalit Gračanica Online.

Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petković, i cili e vizitoi familjen e Nikolës, thotë se “është rrahur nga ekstremistë shqiptarë, vetëm sepse është serb, se mban emrin e mbiemrin serb dhe sepse mban kryq ortodoks, i cili i është hequr nga gjoksi dhe i është shkelur”.

Për rastin raportuan me ditë të tëra kryesisht mediat në gjuhën serbe në Kosovë dhe disa prej tyre njoftuan se  kishin bërë përpjekje që të merrnin edhe reagimin e policisë por pa sukses.

Mosprononcimin e policisë në lidhje me rastin disa qytetarë të komunitetit serb e shohin si dëshmi se policia nuk është e njëjtë ndaj të gjithëve në Kosovë.

Një prej tyre i tha New Perspektivës se “mungesa e reagimit të policisë është e palejueshme, bashkësia serbe bash nuk ka ndonjë siguri të garantuar edhe pse pohojne se ka.”  Një tjetër tha se  “sikur policia të bënte punën e saj dhe sikur të deklarohej kur diçka ndodhë, ndoshta diçka edhe do të ndryshonte, kështu na mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë në vazhdim”.

New Perspektiva kontaktoi me Policinë e Kosovës për të mësuar më shumë për incidentin. Në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës thuhet se “rasti në fshatin Gojbulë ka ndodhur derisa disa fëmijë kanë qenë duke luajtur në oborrin e shkollës të këtij fshati dhe bazuar në deklarimet e fëmijëve si dhe nga lëndimet e lehta trupore që ka marrë viktima, sulmuesit kanë qenë të moshës së njëjtë me viktimën.”

Policia thotë se e ka trajtuar rastin me prioritet dhe seriozitet duke  ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në terren, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe (bazuar në kodin penal të RKS-së) rasti është klasifikuar si lëndim i lehtë trupor.

“Nga hetimet e zhvilluara deri në këtë fazë, nuk janë siguruar dëshmi se rasti mund të jetë i motivuar etnikisht,” thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për New Perspektivën.

Sipas Zyrës së Serbisë për Kosovë, nga fillimi i vitit janë shënuar madje 85 incidente të drejtuara kundër komunitetit serb.

Policia e Kosoves thotë se “mbetet e perkushtuar ne realizimin e detyrave policore, në ofrimin e sigurise ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime”.

This article is made possible by the support of YIHR KS as the implementing partner of the United States Agency for International Development (USAID). The content of this article is the sole responsibility of New Perspektiva and does not necessarily reflect the views of the United States Agency for International Development – USAID, the US Government, or the Youth Initiative for Human Rights Kosovo (YIHR KS).

SHARE