Raundi ‘final’ i bisedimeve dhe ndryshimi i kufijve në fokus të analistëve

Marrëveshja finale me Serbinë dhe opsioni i shkëmbimit të territoreve vazhdon të mbetet në fokus të diskutimeve të analistëve vendorë e ndërkombëtarë.

0
193

Në disa intervista dhënë për mediat në Kosovë, shkencëtari politik, Florian Bieber, profesor i Universitetit të Gracit në Austri, argumentoi se gjasat janë më të mëdha që marrëveshja finale në mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet vitin e ardhshëm. Sidoqoftë, për ta arritur këtë, sipas Bieber, palët duhet të bëjnë përpjekje të mëdha dhe ndoshta duhet ta shfrytëzojnë një format të ri të dialogut që do ta rikthente besimin dhe që do t’i mbante palët larg retorikës dhe politikave që do ta krijonin një atmosferë konflikti. Sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve, Bieber konsideron se është ide e keqe për marrëveshjen përfundimtare, për disa arsye. “Së pari, bisedimet për këtë çështje paraqesin rrezik të konsiderueshëm. Do të kishte njerëz që do të mbeteshin në anën e gabuar të kufirit. Duket e vështirë për ta paramenduar një marrëveshje e cila sërish do të linte serbë në Kosovë dhe shqiptarë në Serbi. Kjo do t’i vendoste ata në një pozitë edhe më të vështirë dhe më të rrezikshme.” Sipas Bieber, “vërehet se kjo ide ka të bëjë me kufij etnikë, pavarësisht se çfarë thonë palët. Kjo do të ndikonte që shtetet të jenë më homogjene etnikisht dhe kjo nuk është shenjë e mirë.”

Hulumtuesi pranë Universitetit të Karolinës Veriore, Dimitar Bechev, i pyetur nga portali rajonal European Western Balkans (EWB) se cili mendon se është interesi i Rusisë në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe skenarit të ndryshimit të kufijve nëse kjo do ta siguronte njohjen e Kosovës nga Serbia, tha se kishte përshtypjen se Rusia në këtë çështje është agnostike. Sipas tij, zgjidhja do të krijonte një precedent të mirëpritur për ta përdorur në rastin e Krimesë dhe Putini do të thoshte: është koha që Perëndimi ta pranojë realitetin ashtu siç bëjmë  ne në Ballkan. Edhe moszgjidhja, thotë Bechev, i konvenon Rusisë, pasi e çimenton partneritetin e Moskës me Beogradin.

Në një konferencë ku u diskutua për dialogun Kosovë-Serbi, Daniel Serwer, profesor në universitetin John Hopkins për Praktikën e Menaxhimit të Konfliktit dhe ish-zyrtar i Departmentit të Shtetit amerikan, tha se ideja për korrigjim të kufijve do t’i konventonte jashtëzakonisht shumë Rusisë, në pretendimet e saj për pavarësinë e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore, shkëputjen e Transnistrisë, Donetskut and Luhanskut si dhe për aneksimin e Krimesë dhe, sipas tij, është mirë që Serbia dhe Kosova të heqin dorë nga një ide e tillë sa nuk është vonë. Sipas medieve, Serwer deklaroi se sa i përket interesimit të presidentit të SHBA-së për përfshirje në dialog me qëllim të arritjes së një marrëveshje finale që nuk përjashton as korrigjimin e kufijve, do të ishte e pafalshme që Kosova të shiste sovranitetin e saj për një “tas me qull apo një ceremoni në Kopshtin e Trëndafilave”, ceremoni kjo e premtuar nga Donald Trump për të nënshkruar marrëveshjen finale Kosovë-Serbi gjatë vitit 2019.

Ndërkohë, Lekë Batalli dhe Përparim Kryeziu, hulumtues në Grupin për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), në një artikull për EURACTIV, rrjet medial gjithëevropian, argumentuan se Kosova duhet ta shtyjë raundin ‘final’ të bisedimeve me Serbinë. Sipas tyre, ashtu si qëndrojnë gjërat tani, Kosova nuk perceptohet vetëm si e papjekur në punët e shtetit, me liderë që shtyjnë ndërkombëtarisht agjenda të ndryshme, por edhe jokonstruktive. “E shënuar nga animoziteti në vend dhe në mes të asaj që po perceptohet si zhvendosje paradigmatike në politikën e jashtme të SHBA-së,” thonë autorët, “pozita e Kosovës kurrë s’ka qenë më e keqe”. Përmbyllja e dialogut, sipas tyre, mund të ketë pasoja të tmerrshme. Për ta tejkaluar këtë, Haradinaj duhet ta prezantojë një bazë për ta rinisur dialogun duke përfshirë një kohështrirje të çështjeve që duhet të diskutohen me Serbinë. Sipas Batallit dhe Kryeziut, iniciativa duhet të ketë autorësi vendore dhe pozicioni i Haradinajt do të ishte i pacënuar. Më me rëndësi, sipas Batallit dhe Kryeziut, Kosova do të blinte kohë për të arritur diçka që do t’i ngjante konsensusit.

SHARE