Reciprociteti dhe tytat e gjata 

A janë zhvillimet e ditëve të fundit në vendkalimet administrative vërtet të domosdoshme për të zbatuar reciprocitetin? A thua nuk mund të ishte gjetur një model tjetër për të kushtëzuar njerëzit që të marrin targat RKS ose të blinin targat provuese? Jam i sigurt se Kurti nuk priste një reagim pozitiv të popullit kur dërgoi policët e ROSU-s.

0
528

Këto ditë tensione të reja në veri të Kosovës – armë me tyta të gjata, automjete të blinduara, barrikada, serbë të revoltuar, forca speciale të Kosovës, gazetarë, tendosje. Një situatë e ndërlikuar si për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën, por sigurisht më e ndërlikuara për ata që kanë nevojë të udhëtojnë në vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak.

Politika e kryeministrit Albin Kurti mund të jenë shkatërruese edhe për vetë atë. Gjithsesi, unë e kuptoj nevojën e tij që në veriun e Kosovës më në fund “të vendosë rregull” dhe të rrumbullakësojë gjithë tregimin e pavarësisë. Serbët nga Veriu u integruan në mënyrë stihike në institucionet e Kosovës dhe ky veprim i policisë së ROSU-s dhe shfaqja e brutalitetit kurrsesi nuk mund të shkaktonte efekt pozitiv. Dhe për çfarë arsye? Për shkak të targave me shenja të Serbisë? 

Gjëja më interesante në këtë histori është se Prishtina, domethënë Kurti, dërgoi forca speciale me pushkë automatike dhe snajperë, me pajisje të plota luftarake, për të vendosur reciprocitetin. Këta njerëz pandërprerë mbajnë gishtin në këmbëz, ndërsa serbët po qëndrojnë në mënyrë sfiduese në afërsi të tyre, duarthatë. Frika është e pranishme tek të dyja palët. 

 A janë zhvillimet e ditëve të fundit në vendkalimet administrative vërtet të domosdoshme për të zbatuar reciprocitetin? A thua nuk mund të ishte gjetur një model tjetër për të kushtëzuar njerëzit që të marrin targat RKS ose të blinin targat provuese? Jam i sigurt se Kurti nuk priste një reagim pozitiv të popullit kur dërgoi policët e ROSU-s. Mirëpo, ndërsa popullariteti i tij ka filluar të bie në mesin e popullatës shqiptare e zgjedhjet po afrohen, atij i duhej një lëvizje e tillë. Një skenar që do të ndalojë shkapërderdhjen e elektoratit të Albin Kurtit.  

Nga ana tjetër, Aleksandar Vučić qëndron me kokëfortësi pas vendimit për të mos lejuar që automjetet me targa RKS të qarkullojnë nëpër Serbinë qendrore. Ky vendim prek shumë komunitetin serb në jug të lumit Ibër, i cili nuk ka pasur zgjedhje deri më tani, për dallim nga serbët nga veriu. Vučić gjithashtu i referohet edhe shmangies së Prishtinës zyrtare që të zbatojë atë që është  sigluar në Bruksel. Kjo para së gjithash i referohet bashkësisë së komunave serbe.

Zyrtarët evropianë u bëjnë thirrje udhëheqësve, Kurtit dhe Vučić-it, të ndalin urgjentisht veprimet e njëanshme, por ata nuk heqin dorë – Kurti nuk dëshiron të heqë ROSU-n nga vendkalimet Bërnjak dhe Jarinje, as Vučić-i nuk dëshiron të heqë barrikadat nga këto vendkalime, edhe pse ato barrikada, në masën më të madhe, i dëmtojnë pikërisht ata serbë. Çfarë flet kjo për udhëheqësit? A do t’i mbajmë këto tensione me dekada të tëra, sikur Izraeli dhe Palestina? 

Viktima e vetme – populli, i manipuluar, i shantazhuar, i shtypur për vite me radhë. Edhe pse jeta në Kosovë sjell përfitime të caktuara, mund të thuhet se jeta këtu është shndërruar në torturë. Prandaj edhe kemi një largim të popullatës. Lufta për të krijuar një jetë më të mirë në këtë hapësirë bie në ujë pas disa vendimeve të caktuara të udhëheqësve që thurin fatin e popullit. Lëvizje të këtilla e kthejnë Kosovën disa vite prapa, kështu që gjithçka e arritur më herët vihet në pyetje.

Dyshoj se Kurti dhe Vučić do të lëshojnë pe përkitazi me synimet e tyre, por shpresoj që dikush me ndikim do t’i japë fund kësaj situate. Do të ishte jashtëzakonisht e pamatur që tensioni aktual të përshkallëzohet dhe të ketë viktima.  

 
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.