Referendum? Çfarë referendumi?

Kosova ka vite që po ballafaqohet me pengesa në zhvillimin e politikave të saj ndërkombëtare për shkak të mosnjohjes së saj nga Serbia dhe nga shtete përkrahëse të politikës serbe. Por, me ndihmën e aleatëve të saj, Kosova ka shënuar progres në marrjen e njohjeve nga shumë shtete, kryesisht liberale, dhe ka ecur përpara edhe sa i përket rrugës së saj drejt Bashkimit Evropian – sado i çalë e i ngadaltë të jetë ai.

0
649

Kosova ka vite që po ballafaqohet me pengesa në zhvillimin e politikave të saj ndërkombëtare për shkak të mosnjohjes së saj nga Serbia dhe nga shtete përkrahëse të politikës serbe. Por, me ndihmën e aleatëve të saj, Kosova ka shënuar progres në marrjen e njohjeve nga shumë shtete, kryesisht liberale, dhe ka ecur përpara edhe sa i përket rrugës së saj drejt Bashkimit Evropian – sado i çalë e i ngadaltë të jetë ai.

Në anën tjetër, Serbia gjatë viteve të fundit ka bërë disa hapa të cilët më shumë po përdoren si mjete politike për arsyetimin e “humbjes” së Kosovës para popullit, sesa qe kanë ndonjë vlerë praktike.

Dërgimi i rastit të deklarimit të pavarësisë në mënyrë të njëanshme nga ana e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) është një taktikë të cilën Serbia e përdori në mënyrë që konfliktin politik me Kosovën ta zgjidhë me mjete juridike, në këtë rast me një opinion të GJND-së, që në thelb nuk është obligues. Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara e kundërshtuan këtë me arsyetimin se ky mendim, sipas tyre, nuk do të mund ta zgjidhte një çështje politike për shkak të vetë natyrës që ka dhe për shkak se deklarimi i pavarësisë së Kosovës ishte një realitet i pakthyeshëm. Megjithatë, kërkesa e Serbisë u aprovua nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara. Pas një procesi dyvjeçar u vendos që deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare dhe se shpallja e pavarësisë nga institucionet e Kosovës paraqet vullnetin e shumicës dhe është në pajtim me rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Sidoqoftë, shteti serb edhe më pas ka provuar për të dëshmuar se ata ende janë në “komandë” në Kosovë, tentativa të cilat jo gjithmonë kanë funksionuar në favor të Serbisë. Shembulli konkret është ai i fusnotës, përmes së cilës Kosova do të prezantohej nëpër takime ndërkombëtare me një asterisk i cili do të thotë “pa paragjykime mbi pozitën dhe statusin e Kosovës, si dhe në linjë me rezolutën 1244 dhe opinionin e GJND-së mbi deklaratën e pavarësisë së Kosovës”. Në fakt, kjo fusnotë, nuk ka prodhuar efekte praktike pasi që vet Serbia përmes marrëveshjeve tjera është pajtuar që nuk do të pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në takime rajonale dhe më gjerë. Veç kësaj, shumë politikanë në Serbi dhe Kosovë e kanë parë fusnotën si një prej taktikave politike që Serbia ka ndjekur për qëllime tjera por që realisht ka pasur efekte të kundërta për të. Përfundimisht, vendosja e një asterisku nuk ka mundur dhe nuk do të mund të prodhojë efektet që Serbia ka kërkuar sepse vetë asterisku nënkupton që prezantimi i Kosovës bëhet në pajtim edhe me vendimin e GJND-së i cili dihet se nuk e ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, por përkundrazi, ka përforcuar pozitën politike dhe juridike të saj.

Referendumi duket se është taktika më e fundit që Serbia do të ndjekë në fushatën e saj për të arsyetuar se Kosova i ka ikur në mënyrë përfundimtare dhe të pakthyeshme nga dora. Sidoqoftë, deklaratat e Presidentit serb, Tomislav Nikolić, nuk mund të merren si vendimtare dhe ato mund të ndryshojnë serish në varësi nga situatat e krijuara politike. Mirëpo, deri tash Serbia ka marrë sinjale të fuqishme që njohja e Kosovës duhet të ndodhë në rast se aspiron Bashkimin Evropian. Presidenti serb më në fund e pranon se në Kosovë ka një realitet të ri dhe se ka një autoritet në Prishtinë me të cilin do të negociohet për të ardhmen e dy vendeve. Është herët të gjykohet nëse një referendum i tillë do të merret vërtet seriozisht nga institucionet e tjera të Beogradit si dhe nëse do të përkrahet nga ato ndërkombëtare për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

SHARE