Rënja e një pushteti

Klientelizmi në Qeverinë Haradinaj u rrit në përmasa të frikshme, nepotizmi u rrit, dhe askush s’u lodh që t’i justifikonte. Kishte rënë apokalipsi për të tre krerët e shtetit. Edhe diskursi publik i pushtetarëve u bë tmerrësisht i çrregullt e i papërgjegjshëm.

0
152

Në pranverën e vitit 2017, Ramush Haradinaj u ndalua nga autoritetet franceze për shkak të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia. Në atë kohë nisi një fushatë e egër pseudopatriotike që thoshte “Ramush Haradinaj është Kosova”. Mbaj mend se asokohe e pata titulluar një shkrim timin në New Perspektiva “Ramush Haradinaj nuk është Kosova”.

I vëllai i tij, Dauti, deklaronte se nëse Franca vendos për ekstradimin e Ramushit në Serbi, “mujn me na shti në luftë” dduke shtuar “nëse e dojnë Kosovën etnikisht të pastër pa serbë, le t’bajnë hajgare me Ramushin!”. Kjo ishte deklaratë e tmerrshme e që megjithatë nuk zgjoi kurrfarë reagimi.

Ramushi nga një opozitar i zëshëm u bashkua me PDK-në dhe Nismën në atë që u quajt “Koalicioni kundër Gjykatës Speciale”.

Por, ky koalicion ra bash në kohën kur u intensifikua aktiviteti i kësaj gjykate (Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë). Dhe, Ramush Haradinaj dha dorëheqje kur i erdhi ftesa nga Specialja.

Kjo qeveri i kishte tri misione të mëdha:

Misioni i parë ishte mbrojtja nga Specialja. Duke e pasur pushtetin në dorë, ata e zvarritën punën e saj aq sa mundën. Hapi i parë në fakt ishte krejt i çakërdisur e iracional: deshën të shfuqizonin projektligjin që e kishin miratuar vetë, e që bënte themelimin e saj. Mirëpo, dështuan keq duke qenë se pushtetin real për çështjet vitale të brendshme politike e mbajnë të huajt. Sidoqoftë, duke qenë se Gjykata Speciale është njëetnike, është kryekëput politike, qeveria bëri lojëra politike që ta zvarriste thirrjen e krerëve të institucioneve. Me thirrjen që i erdhi kryeministrit Haradinaj, loja mori fund. Misioni dështoi. Qeveria u shpërbë. Sipas disa deputetëve, thirrje nga Haga për intervistim kishin marrë edhe Kadri Veseli me Hashim Thaçin.

Misioni i dytë ishte i nënrenduar ndaj të parit: arritja e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Ky mision nisi kur u organizuan disa tryeza diskutimi mbi “Marrëveshjen finale” edhe pse retorika e Beogradit vazhdonte të ishte po e njëjtë, po aq agresive kundër pavarësisë tonë. Krejt papritmas ne e morëm vesh se ishim në hapat e fundit të një procesi që s’kishte pasur as plan e as vizion dhe që ishte shoqëruar me gënjeshtra të pafundme. Në fakt, ky ngut i përnjëhershëm ishte pjesë e procesit për të shpëtuar bythën e tyre nga Specialja, po ashtu. Por ja që e morën seriozisht. Kjo shkoi aq larg, sa presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për një vit e gjysmë bëri fushatë për ta ndarë Kosovën në baza etnike – një ide e moçme serbe, dhe që supozoj se i la të habitur edhe vetë serbët, madje edhe Ivica Dačić-in që e kishte promovuar qe një dekadë e kusur.

Dhe, dështimi i këtij misioni nisi kur e panë se nuk e kishin as mbështetjen qytetare e as mbështetjen ndërkombëtare. Në këtë pikë, Haradinaj që deklaronte hapur se nuk do t’i përzihej presidentit në dialog, duke e parë se gjërat e kishin marrë përfundimisht të mbrapshtën, i dha shkelmin e fundit këtij misioni. Mos të harrojmë që, sipas vetë Haradinajt, ai që e kishte propozuar taksën kishte qenë Kadri Veseli. E ndërkohë, krejt çka bëri ai ishte ngulmimi në mbajtjen e saj. Haradinaj, në fakt, e kuptoi para dy të tjerëve se nuk kishte shpëtim në këtë mesele.

Misioni i tretë, i zakonshmi, ishte plaçkitja e pushtetit. Klientelizmi në Qeverinë Haradinaj u rrit në përmasa të frikshme, nepotizmi u rrit, dhe askush s’u lodh që t’i justifikonte. Kishte rënë apokalipsi për të tre krerët e shtetit.

Edhe diskursi publik i pushtetarëve u bë tmerrësisht i çrregullt e i papërgjegjshëm, duke filluar nga ajo deklaratë e tmerrshme e Daut Haradinajt e duke vazhduar me idenë serbe të Thaçit dhe me fotografinë pornografike të Flora Brovinës.

Veprimet e fjalët e ngutshme e kaotike na e bënë të qartë të gjithëve se pushteti i deritashëm ka rënë!

SHARE