Reparacionet simbolike

Normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët nuk mund të bëhet pa u marrë me trashëgiminë e së kaluarës së dhunshme, dhe drejtësia tranzicionale qëndron zakonisht në thelb të politikave të reparacionit.

0
1543

Normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët nuk mund të bëhet pa u marrë me trashëgiminë e së kaluarës së dhunshme, dhe drejtësia tranzicionale qëndron zakonisht në thelb të politikave të reparacionit.

Katër vite pas përfundimit të një konflikti të armatosur, në fund të vitit 1999, Kroacia kompletoi hetimet dhe dokumentimin për të ngritur akuzë kundër Republikës Federale të Jugosllavisë (që më pas u shndërrua në Serbi pasi Mali i Zi e braktisi unionin me Serbinë) në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për gjenocid dhe për të kërkuar kompensim për dëmet e shkaktuara nga lufta. Në fillim të shkurtit të vitit 2015, gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara vendosi se as Kroacia e as Serbia nuk kishin kryer gjenocid ndaj popullit të njëri-tjetrit gjatë luftës që u zhvillua me shpërbërjen e Jugosllavisë, andaj erdhën në përfundim se nuk do të paguheshin reparacione.

Në anën tjetër, institucionet e Kosovës kanë ngelur shumë mbrapa sa i përket dokumentimit të së kaluarës në mënyrë që të mundësohet ngritja e një akuze kundër Serbisë. Hetimet dhe dokumentimi i humbjeve në njerëz u kryen më së shumti prej OJQ-ve që ishin të specializuara në fushën e hetimeve mbi krimet e luftës. Por humbjet ekonomike dhe pronësore ende duhet të hetohen dhe dokumentohen mirë para se të negociohet për to. Vetë shtetet e reja të ish-Jugosllavisë nuk i kanë korrigjuar padrejtësitë e së kaluarës duke i ndjekur keqbërësit, e as nuk janë përpjekur të rikthejnë dinjitetin e viktimave.

Megjithatë, asnjë regjim nuk bën dëme pa i ditur pasojat e tyre për popullin e vet. Serbia ka treguar gatishmëri për t’u anëtarësuar në BE dhe në këtë mënyrë do t’i kërkohet t’i respektojë standardet demokratike të qenësishme për anëtarësinë në BE. Kosova dhe Serbia aspirojnë t’i bashkohen BE-së, gjë e cila për Serbinë varet nga implementimi i një marrëveshjeje të arritur me lehtësimin e BE-së në vitin 2013 mbi normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët nuk mund të bëhet pa u marrë me trashëgiminë e së kaluarës së dhunshme, dhe drejtësia tranzicionale qëndron zakonisht në thelb të politikave të reparacionit.

Institucioni i kërkimfaljes

Sipas tipologjisë, ekzistojnë kërkimfalje të ndryshme. Cili institucion thotë “më vjen keq” apo kërkon falje? Falje duhet të kërkojnë individët, organizatat religjioze, udhëheqësit shpirtëror, qeveritë dhe krerët e shteteve. Një lider i mirë e i pjekur politikisht, lider fetar apo shpirtëror mund të jetë ai që guxon të marrë vendime dhe zotime të vështira që i tejkalojnë politikat ditore. P.sh. Michael Cunningham në esenë e tij “Të thuash Më fal: Politikat e kërkimfaljes” argumenton fuqishëm se mbështetja ma bindëse për kërkimfalje arsyetohet me atë se ka potencialin për t’i përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, nëse kërkimfalja, në çfarëdo formulimi, është e sinqertë dhe e pranueshme nga ata të cilëve u drejtohet.

Mungesa e një lidershipi vizionar dhe të fortë, periudha e shkurtër kohore që nga përfundimi i konfliktit, mungesa e të dhënave të duhura mbi humbjet njerëzore dhe ekonomike, dhe pronësia mbi “narrativën e vetes si viktimë” nga lidershipi politik anëkënd rajonit, ende ngulfasin frymën e debateve të hapura në vendet e ish-Jugosllavisë.

Me 26 mars 2014, OJQ-ja feministe anti-militariste, e ashtuquajtur “Gratë në të zeza” nga Serbia, mbajti një performancë përkujtimore në Sheshin e Republikës në qendër të Beogradit, për ta përkujtuar masakrën kundër civilëve shqiptarë etnikë gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. “Sot përkujtojmë masakrën kundër popullsisë shqiptare, e cila përveç bombardimeve të NATO-s ka qenë e ekspozuar edhe ndaj terrorit të armatosur dhe spastrimit etnik nga regjimi serb. Shprehim ngushëllimet më të thella dhe solidaritetin me familjet e viktimave, tha Zajovic”-koordinatorja e kësaj organizate. Deri më tash, ky ka qenë i vetmi përkujtim dhe homazh për viktimat kosovare të krimeve të luftës dhe të mbijetuarit, pa përmendur abuzimet e tjera të të drejtave të njeriut që janë kryer para konfliktit.

Deri sot asnjë politikan, institucion apo prijës fetar serb nuk ka kërkuar falje zyrtarisht. Gjatë konsultimeve me të mbijetuarit dhe viktimat civile të luftës në Kosovë për themelimin e Komisionit të së Vërtetës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, ishin të fuqishëm zërat që ato të pranohen dhe të kërkohet falje nga autorët ose institucionet e tyre gjegjëse: “Sikur Serbia vetëm të dërgonte një kërkimfalje publike, kjo do t’na i lehtësonte shumë dhembjet.”

Një kërkimfalje publike përfshin pranimin e krimeve të së kaluarës dhe pranimin e përgjegjësisë. Disa politikanë nga Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi, kanë këmbyer kërkimfalje individuale për të gjitha krimet e kryera në Kroaci, përkatësisht në Bosnjë dhe Hercegovinë. Asnjë lider serb deri tani nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës. Këtu duhet të shtojmë faktin se as lidershipi i Kosovës nuk është imun ndaj llogaridhënies për krimet e kryera gjatë konfliktit të armatosur në vitet 1998-2000. Afërsisht 2.197 serbë dhe 526 romë janë vrarë ose janë raportuar të pagjetur pas rrëmbimeve që nga përfundimi i konfliktit. Por mizoritë masive të kryera nga regjimi serb për më shumë se një dekadë janë të pakrahasueshme dhe nuk mund të zbuten.

Një pranim zyrtar nga ana e Qeverisë së Serbisë i krimeve të kryera në të kaluarën nga regjimi i kaluar do t’i kontribuonte qetësimit të tensioneve dhe relaksimit të klimës midis shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës.

Modeli gjerman

Historia na tregon se më 20 shtator 1952, kancelari gjerman Konrad Adenauer nënshkroi marrëveshjen e Luksemburgut. Ai e vuri pajtimin me Izraelin dhe botën hebreje si detyrën më parësore dhe jetike të qeverisë së tij. Në librin e tij “Reparacionet e Gjermanisë Perëndimore ndaj Izraelit”, autori Nikolas Balabkins shpjegon se si Adenauer dëshironte që Gjermania e re ta rifitonte besimin e Aleatëve Perëndimorë dhe ta fitonte një vend për të në Aleancën Perëndimore kundër agresionit të mundshëm rus. Eric A. Posner në artikullin e tij “Reparacionet për skllavërinë dhe padrejtësitë e tjera historike”, insiston se Konrad Adenauer besonte se “Reparacionet për Holokaustin do ta bindin bashkësinë ndërkombëtare se Gjermania Perëndimore është larguar nga e kaluara naziste dhe mund t’i besohej autonomia politike.”

Kancelari Adenauer ishte një udhëheqës vizionar, i cili pavarësisht mospajtimeve të brendshme në shoqëri dhe qeveri në lidhje me reparacionet për viktimat hebreje, vendosi ta përmirësojë pozitën e Gjermanisë në arenën ndërkombëtare dhe të shënojë shkëputjen nga krimet e kaluara të kryera nën regjimin nazist.

Serbia, në anën tjetër, nuk ishte zyrtarisht në “gjendje lufte”, përveç gjatë sulmeve ajrore të NATO-s, megjithatë ajo luajti një rol aktiv në konfliktet e armatosura në ish-Jugosllavi. Qeveria e Serbisë ende nuk ka hequr dorë nga pretendimi për Kosovën, jo vetëm duke mos e njohur atë, por Kosova mbetet si pjesë e Kushtetutës së Serbisë, dhe Serbia nuk ka ofruar as kërkimfalje simbolike e as reparacione për dhunën e sanksionuar nga shteti të shkaktuar ndaj popullsisë së Kosovës para dhe gjatë konfliktit të armatosur. Është e vështirë të imagjinohet dëmshpërblimi dhe reparacionet pa llogaridhënie.

Fusha e politikave të reparacionit është zgjeruar më tej në vitin 2000, me publikimin e ‘Fajit të Kombeve’ të Elazar Barkan-it. Pikëpamja e Barkanit fokusohet në konceptin e të drejtave universale të njeriut dhe moralit universal. Ai tërheq vëmendjen përgjatë linjave të Karl Jaspers-it, duke argumentuar se shtetet kanë përgjegjësi morale të pajtohen me të kaluarën e tyre. Barkan propozoi një kornizë të re shpjeguese për politikat e reparacionit duke argumentuar se ky trend i ri ndërkombëtar i shteteve që angazhohen për reparacione dhe dëmshpërblim është rezultat i lindjes së një “morali neo-iluminist”, që më tej shpjegon kërkesën që vjen nga brenda shteteve për të vepruar moralisht dhe në mënyrë reflektive për pranimin e padrejtësive apo mizorive në të cilat kanë qenë të përfshira në të kaluarën. Megjithatë, si një dukuri e re, Stephanie Wolfe, në “Politikat e reparacioneve dhe apologjive’ sugjeron se dallon nga praktikat e kaluara për shkak të natyrës vullnetare të politikës së reparacioneve.

Dialogu që po vazhdon mes Prishtinës dhe Beogradit ofron shpresë se mund të sigurohen reparacione të ndonjë lloji. Kosova nuk mund ta bindë Serbinë që të kërkojë falje. Shtetet në shumicën e rasteve hyjnë vullnetarisht në negociata për kompensime si rezultat i presionit, qoftë të butë apo më detyrues, nga një grup që është i lidhur me ndonjë lëvizje reparacioni apo nga aktorë ndërkombëtarë.

Kompensimi vullnetar dhe reparacionet shpesh janë i vetmi opsion që ka komuniteti i viktimizuar për të siguruar drejtësinë, duke shtuar faktin se është e vetmja kornizë në dispozicion brenda së cilës mund të ndodhë pajtimi politik. Nëse shteti e pranon lirshëm se ka qenë gabim, ky pranim ndihmon në mbylljen e çështjes dhe ushqen perceptimin se ka pak gjasa që veprimi të përsëritet. Duke pranuar se kanë bërë keq, Serbia nuk e favorizon aq Kosovën sa i sjellë të mira dhe favore të mëdha vetë Serbisë. Megjithatë, siç ndodh në shumë raste në praktikë, nëse nuk pranohen të këqijat që janë bërë në të kaluarën, rrjedhimisht nuk do të arrihet drejtësia.