Retorikë skandaloze në mbledhjen e KS të OKB-së për Kosovën 

Sharadë apo jo, as përfaqësuesit e Serbisë e as ata të Kosovës nuk po i shfrytëzojnë mundësitë që po u ofrohen atyre në këto mbledhje. Provokimet, akuzat, shantazhet përvidhen nëpër retorikë dhe në këtë mënyrë vetëm po largohen nga zgjidhja e çështjeve të rëndësishme. Pavarësisht se si dhe çfarë kanë bërë dhe për çka janë dakorduar, këtë në lëkurën e vet do ta ndiejnë qytetarët e Kosovës, edhe shqiptarët edhe serbët. 

0
141

Më 8 shkurt u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS i OKB-së), ku, më duket mua, ndodhi një precedent. Të gjitha vendet anëtare të KS të OKB-së njëzëri i kërkuan autoriteteve të Prishtinës të heqin taksën 100 përqind të imponuar për mallrat nga Serbia dhe BeH, madje edhe ato vende që e kanë njohur Kosovën si shtet. Ajo që për mua është precedent është qëndrimi i njëjtë i Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kur është fjala për Kosovën, edhe pse këto dy fuqi botërore kanë qenë shpesh apo ndoshta gjithmonë në anë të ndryshme përkitazi me çështjen e Kosovës.

Kjo edhe nuk ishte aq interesante sa qe deklarata e ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitakut. Liria e saj e fjalës është në kufi me paturpësinë. Në mënyrë shumë shpërfillëse dhe provokative, ajo shprehu pikëpamjet e saj, më saktësisht, qëndrimet zyrtare të Prishtinës. Sipas vlerësimeve të mediave serbe, institucionet “e përkohshme” nga Prishtina përjetuan një debakël në këtë mbledhje, me çka do të mund të pajtohesha edhe unë, por jo për shkak të qëndrimit të tyre, por për shkak të retorikës.

Zëdhënësja e dikurshme e partisë së Thaçit, Vlora Çitaku, tha, mes tjerash, se është e ,,papranueshme që Serbia e ka shndërruar këtë organ në teatër, i cili është bërë skenë për Serbinë që t’ia rrëfejë botës përrallën e saj, sajimin e rrëfimeve në të cilat nuk beson as vetë.“ Ajo u bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që të ndërpresin këtë, siç e quajti ajo, parodi dhe sharadë. Çfarë paraqitje është kjo e një personi që konsiderohet të jetë diplomate? Çfarë fjalori është ky? Më duket se ka ndryshuar retorika në këto mbledhje me zyrtarë të lartë; ajo që deklaroi Vlora ka tejkaluar nivelin e shprehjeve të sjellshme të cilat ajo si diplomate i ka përdorur.  Ambasadori i Rusisë, Vasilij Nebenzja, doli hapur në anën e Serbisë, gjë që edhe është e pritshme, kështu që përfaqësuesen e Prishtinës e paralajmëroi që nuk ka qenë e obliguar të vijë në mbledhje nëse konsideron që mbledhja është „sharadë“.

Konsideroj që edhe pa krizën akute në Kosovë, mbledhjet e KS të OKB-së janë të nevojshme për shkak të vlerësimit më të drejtë të situatës. Statusi i Kosovës është çështje serioze, kurse deklarata të këtilla të ambasadores kosovare janë më tepër se skandaloze. 

Vlora Çitaku, tani, por edhe vitin e kaluar, la të kuptohej se ishte e pakuptimtë të mbaheshin mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, se këto mbledhje e kanë humbur qëllimin e tyre. Por, më duket se fjala e saj nuk vlerësohet aq shumë; mosdëgjimi i fjalëve të saj do të vazhdojë. Këto sesione, në të cilat temë është Kosova, do të vazhdojnë të mbahen, edhe pse jo katër herë në vit si deri më tani.

Pasi theksoi se Kosova është çliruar nga Serbia 20 vjet më parë, Vlora Çitaku tha se tani është momenti që Serbia të çlirojë veten e saj nga Kosova, për hir të paqes dhe sigurisë në rajon. Kjo mund të konsiderohet si kërcënim; ajo vë në pikëpyetje edhe sigurinë, vetëm për hir të një njohjeje. Mendoj se është çmenduri të përpiqesh në këso mënyre të bindësh një vend që të heq dorë nga territori i “vet”. Nëse ky nuk ishte provokim, atëherë është padyshim një strategji tmerrësisht e keqe për të arritur qëllimin.

Sharadë apo jo, as përfaqësuesit e Serbisë e as ata të Kosovës nuk po i shfrytëzojnë mundësitë që po u ofrohen atyre në këto mbledhje. Provokimet, akuzat, shantazhet përvidhen nëpër retorikë dhe në këtë mënyrë vetëm po largohen nga zgjidhja e çështjeve të rëndësishme. Pavarësisht se si dhe çfarë kanë bërë dhe për çka janë dakorduar, këtë në lëkurën e vet do ta ndiejnë qytetarët e Kosovës, edhe shqiptarët edhe serbët. 

comments

SHARE