Rezoluta, korrigjim kufiri e marrëveshje finale


Debati mbi nismën e presidentit Thaçi për arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë përmes korrigjimit të kufijve vazhdoi të ishte në fokus të mediave në Kosovë edhe gjatë muajit tetor.

0
74

Në fillim të tetorit, mediat njoftuan se partitë e koalicionit qeverisës kishin hartuar një rezolutë me 6 pika që synohej të ishte platformë përfaqësuese e Kosovës në dialogun me Serbinë. Rezoluta për finalizimin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve në pikën e parë insistonte që dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë të përmbyllet me një Marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht obligative që realizon njohjen reciproke të të dy shteteve. Për më shumë, kjo pikë shton se kufijtë e Kosovës janë “të pacenueshëm dhe të panegociueshëm”. Pika nr. 5 përcakton mandatimin e delegacionit kosovar për bisedime me Serbinë ku përveç përfaqësuesve nga pozita, 4 përfaqësues do të ishin nga partitë opozitare, përkatësisht LDK, PSD, VV dhe Alternativa. Me anë të kësaj rezolute Kuvendi i Kosovës përcaktohet si autoriteti suprem për ratifikimin e çfarëdo marrëveshjeje ligjore ndërkombëtarisht në mes të dy shteteve. Sipas gazetës Metro, kjo rezolutë hapte zyrtarisht mundësinë që të arrihet marrëveshje edhe për territorin përmes pikës së 6 që thotë se “Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e 2/3 të të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje: Territorin, paqen, aleancat, çështjet politike  e ushtarake”. Por, përmes një postimi në Facebook, kryeministri, Ramush Haradinaj, tha se pikërisht përmes kësaj pike (6) dhe asaj të parës, bëhej e qartë se kufijtë e Kosovës janë ‘janë të pacenueshme dhe të panegociueshme”.

Kundër kësaj rezolute doli menjëherë LDK, njoftoi Gazeta Express. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Ismet Beqiri, tha se nuk shihnin asnjë arsye që ta përkrahnin këtë rezolutë dhe se LDK tashmë kishte propozuar rezolutën që ia ndalonte presidentit Thaçi ose kujtdo tjetër të negocionte për territorin e Kosovës. Koha.net  njoftoi se edhe dy partitë e tjera opozitare, VV dhe PSD, ishin deklaruar kundër kësaj rezolute, e cila, sipas tyre, “ka synim forcimin e Thaçit në dialog”. Ndërkaq, RTK njoftoi se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u kishte dërguar ftesë të gjithë krerëve të partive opozitare për t’u takuar më 11 nëntor në Kuvend për ta diskutuar harmonizimin e qëndrimeve për këtë rezolutë me qëllim të arritjes së një kohezioni politik të brendshëm të domosdoshëm për “forcimin e pozicionit negociator të Kosovës”. Kësaj ftese, sipas mediave, iu përgjigjen vetëm partitë opozitare PSD dhe Alternativa.  Vetëm në fund të tetorit, u mbajt seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga LDK-ja, ku u prezantuan të dy rezolutat. RTK njoftoi se nuk pati kuorum për hedhjen në votim të asnjërës prej tyre.


Marrëveshja finale përmes korrigjimit të kufijve

Në një intervistë në Zona B, në Klan Kosova, këshilltari i presidentit, Bekim Çollaku, tha se mundësia e një marrëveshjeje finale me Serbinë përmes korrigjimit të kufijve kishte filluar të diskutohej që nga fillimi i këtij viti. Sipas Çollakut, ky skenar ishte ndër të shumtit që ishin diskutuar, por realizimi i të cilëve ishte i rrezikshëm. Disa nga skenarët që i përmendi përfshijnë ndarjen e veriut të Kosovës dhe autonominë e zgjeruar me kompetenca ekzekutive për veriun, që do t’i ngjante Republikës Serbe në Bosnje.

Në anën tjetër, me rastin e miratimit të draft-rezolutës për Kosovën nga Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET), presidenti Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook, e mirëpriti këtë votim dhe tha se AFET e konsideron “krejt të mundshëm opsionin e korrigjimit të kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë, si zgjidhje kompromisi për marrëveshjen përfundimtare”.

Televizioni serb N1 raportoi se, sipas një hulumtimi të opinionit publik në Serbi, 44 për qind e qytetarëve të Serbisë janë kundër korrigjimit (apo “përkufizimit”) të kufijve ndërmjet Kosovës e Serbisë, ndërsa “për” janë 25 për qind. N1 citoi presidentin Vuçic të jetë shprehur i befasuar me rezultatet e këtij hulumtimi, pasi ai kishte pritur që përqindja e atyre që janë kundër të jetë dukshëm më e madhe. Në punimet e Forumit të Sigurisë në Beograd nga të pranishmit u diskutua edhe e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi. New Perspektiva solli një artikull përmbledhës të diskutimeve ku, ndër të tjera, presidenti Vučić tha se, sa i përket kësaj teme, kanë dallime të mëdha me politikanët në Prishtinë ndërkohë që përmendi “kompromiset e dhimbshme që kërkohen në këtë proces”.

Faktori ndërkombëtar

Sa i përket faktorit ndërkombëtar, mediat raportuan se zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer, kishte zhvilluar një takim – të mbyllur për mediat – me të gjithë krerët e partive politike. Palmer raportohet t’u ketë thënë të pranishmëve në takim të arrijnë sa më shpejtë një marrëveshje me Serbinë sepse SHBA dhe BE nuk do t’i presin përgjithmonë. Ndërkohë, në një intervistë për Koha Ditore, sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, Palmer kishte thënë se administrata amerikane nuk ka vija të kuqe. Por, megjithatë, Palmer kishte paralajmëruar se nuk do të “pranojnë verbërisht çdo marrëveshje që do të mund të arrihet mes dy palëve, dhe se Kosova edhe pas marrëveshjes duhet të mbetet multietnike.”

LDK njoftoi se kancelarja gjermane, Angela Merkel, i kishte kthyer përgjigje kreut të kësaj partie, Isa Mustafa në një letër që ky i fundit u kishte nisur liderëve botërorë ku shprehte qëndrimet e LDK-së për dialogun. Mediat njoftuan se në letrën e saj, kancelarja Merkel shkruante se është shumë me rëndësi që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve, dhe se debatin rreth ndryshimit të kufijve “edhe unë, sikurse ju, po e përcjell me brengosje të madhe”.

Krejt në fund të tetorit, mediat njoftuan se më 11 nëntor presidenti Thaçi, ishte i ftuar nga presidenti francez Emanuel Macron në shënimin e 100 vjetorit të Armpushimit në Luftën e Parë Botërore dhe se i pranishëm do të ishte edhe presidenti Vučić. Në një intervistë për Klan Kosovën, ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, tha se në këtë takim të liderëve botërorë dhe presidentëve Thaçi e Vučić do të flitej për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por RTK njoftoi se presidenti Thaçi kishte deklaruar se nuk do të flitej për dialog. Megjithatë, mediat vazhduan të raportojnë se në këtë takim, ku do të jenë prezentë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti amerikan, Donald Trump; do të flitet edhe për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë.

comments

SHARE