Rezultatet e bisedimeve Kosovë-Serbi ofrojnë vetëm material shtesë për debat

Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë ishin në një mënyrë më normale para Marrëveshje së normalizimit sesa që janë sot, shkruan Driton Zhubi.

0
688

Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë ishin në një mënyrë më normale para Marrëveshje së normalizimit sesa që janë sot, shkruan Driton Zhubi.

Dy gjëra theksoheshin kur filluan bisedimet e ndërmjetësuara nga BE në mes të Kosovës dhe Serbisë; e para ishte se do të çojnë në normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve, dhe e dyta, se do të përqendrohen në përmirësimin e jetës se qytetarëve të rëndomtë. Pas nënshkrimit të marrëveshjes që u quajt historike në atë kohë, pak gjëra ndryshuan sa i përket dy qëllimeve të shpallura në fillim. Marrëdhëniet nuk janë aspak normale, dhe qytetarët e rëndomte përfituan, në rastin më të mirë, shumë pak. Lëvizjet që vërehen kanë të bëjnë kryesisht me situatën në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, që ndoshta edhe është për t’u përshëndetur, por çfarëdo përparimi atje nuk ka shtuar optimizmin as te serbët e as te shqiptarët e rëndomte. Serbia mbetet jo-bashkëpunuese si gjithmonë, me vetëm pak ndryshime në paraqitje; serbët e veriut janë njësoj skeptik ndaj pushtetit qendror në Prishtinë dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi; ndërsa shumica e çështjeve të rëndësishme për shqiptarët e rëndomte nuk kanë ndryshuar fare.

Opinioni i ndarë.

Bisedimet të cilat nisën në fillim të vitit 2012 e ndanë opinionin kosovar në së paku tri pjesë. Strukturat qeverisëse dhe pjesa më e madhe e partive tjera politike ju nënshtruan presionit ndërkombëtar për bisedime, përderisa lëvizja nacionaliste Vetëvendosje ishte fuqishëm kundër bisedimeve me Serbinë pa kushte paraprake dhe çuditërisht gjeti përkrahje të madhe në atë që në Kosovë quhet “shoqëri civile.” Por ishte edhe një pjesë tjetër që rrinte anash, neutrale ndaj të dy opsioneve tjera, duke e kuptuar padrejtësinë e nevojës për të biseduar për kushte që Serbia do të duhej t’i përmbushte vetvetiu, por duke shpresuar që do të zgjidhen çështjet e hapura siç janë mundësia e lëvizjes normale nëpër Serbi, tregtia, problemet ndërkufitare si dhe një gamë e tërë e problemeve që mbetën si pasojë e shkëputjes së Kosovës nga sundimi i Serbisë në 1999.

Realisht, qytetarët e Serbisë dhe shteti serb nuk kishin ndonjë interes, e as interesim, për ndryshim të raporteve. Pas pavarësimit së Kosovës, institucionet paralele të serbëve, sidomos në veri, u forcuan dhe funksiononin pa asnjë pengesë, importi i mallrave serbe vetëm sa vinte e rritej, ndërsa shumica e çështjeve të hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë kishin të bënin me padrejtësitë ndaj kosovarëve. Por BE-ja ushtroi presion mbi Beogradin duke e shfrytëzuar vullnetin e Serbisë për integrim evropian.

Marrëveshja “e parë”

Marrëveshja e arritur në prill të 2013 u quajt me kujdes “marrëveshja e parë mbi parimet që udhëheqin normalizimin e marrëdhënieve.” Kur quhet “e parë” nënkuptohet se medoemos ka nevojë për të tjera, dhe kur saktësohet se është “mbi parimet që udhëheqin” e jo mbi vetë normalizimin, nënkuptohet se normalizimi mbetet të ndodhë. Prandaj edhe kemi sot paradoksin ku marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë ishin në një mënyrë më normale para kësaj marrëveshje se sa që janë sot. Për shembull, pasaportat nuk pranohen nga Serbia, dhe tash kosovarët në hyrje të Serbisë i nënshtrohen procedurave të veçanta, speciale, jo të zakonshme, pse jo edhe… abnormale! Pothuajse e njëjta vlen edhe për veturat me targa të Kosovës që nuk kishin mundësi të kalonin kufirin fare, ndërsa tash ajo mundësi ekziston, por duhet të blihen targa të përkohshme të Serbisë që të zëvendësojnë ato të Kosovës dhe të paguhet sigurimi i veçantë që vlen vetëm për Serbi. Diplomat e institucioneve arsimore kosovare në fillim u vendos të pranohen nga Serbia, por Gjykata Kushtetuese atje e anuloi atë vendim. Veriu ende mbetet refuzues, me pushtetet komunale të zgjedhura sipas ligjeve të Kosovës me numër minimal të votuesve, që në çdo hap pengojnë dhe vonojnë shtrirjen e autoritetit qendror, ku së fundmi e kemi zëvendësimin e një barrikade prej zhavorri me një park, nëse mund të quajmë park diçka që ndërtohet mes ure.

Çështjet e mbetura si fondi pensional i Kosovës i përvetësuar nga Serbia, kursimet e kosovarëve në banka që u përvetësuan nga Serbia, prona e ndërmarrjeve kosovare dhe shumë të tjera as që u përmendën. Mund edhe te mos mohohet se marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Kosovës kanë shënuar lëvizje – dikush do ta quante edhe përparim – por ato mbeten shumë larg normales. Dhe përderisa nuk ka dyshim se qytetarët e rëndomtë shohin shumë pak përmirësim, dikush duhet të kthehet tek qëllimet fillestare dhe të plotësohen bisedimet, në vend se të luhet me përkufizimin e fjalës normalizim. Matja e rezultateve të bisedimeve do të duhej të debatohej në Kosovë e Serbi nga përfituesit e paraparë, pra nga qytetarët e rëndomtë e jo nga burokratët e Brukselit dhe nga politikanët e angazhuar në bisedime. Në të kundërtën, nëse nuk zhvillohet ky debat, nuk ka dyshim se gjërat do të mbesin pafundësisht të debatueshme.

SHARE