Rezultatet e Brukselit

Të mësuar kaherë me situata dhe rezultate në të cilat nuk mund të ndikojnë, integrimin e gjyqësisë, si njërën nga degët më të rëndësishme të pushtetit të një shteti, serbët e Kosovës e kanë pranuar, mund të themi, lehtësisht. Duket që politikanët tanë na kanë sjellë deri tek ajo pikë që më nuk na intereson se për cilin shtet apo për cilën gjyqësi bëhet fjalë, veçse që ekskluzivisht të insistojmë në atë që më në fund të na lënë të jetojmë të qetë dhe në paqe.

0
984

Fundin e gushtit e shënoi takimi i ashtuquajtur joformal i Aleksandar Vučić-it dhe Hashim Thaçit në Bruksel. Kur i hedhim vështrim situatës prej së largu dhe pas disa javëve, mund të themi se kemi pritur të paktën se ky takim do të jetë tema kryesore e mediave. A ishte për shkak të përpjekjes për të fshehur atë që na pret pas kësaj marrëveshjeje të Brukselit, megjithëse këtë vetëm mund ta themi me hamendje, apo për shkak të asaj që pasoi me fillimin e shtatorit, ky takim kaloi pothuajse pa u vënë re. Kur them pa u vënë re, e kam fjalën për mungesën e ekzaminimeve tashmë standarde të negociatave të Brukselit dhe pyetjeve se çka saktësisht na pret pas tyre. Pasoi zgjedhja e qeverisë së Kosovës dhe mbështetja e Listës Serbe për  Ramush Haradinajn, dhe kështu i tërë rrëfimi rreth negociatave Kosovë-Serbi mbeti nën hije të raportimeve mediale.

Ajo që deri tani e fituam si rezultat nga Brukseli është para së gjithash integrimi final dhe përfundimtar i gjyqësisë. Në të vërtetë, sipas raporteve të Bashkimit Evropian, nga mesi i tetorit do të pasojë konsolidimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit gjyqësor në sistemin gjyqësor të Kosovës. Siç theksohet në po të njëjtat raporte, kjo do të nënkuptojë vendosjen dhe shtrirjen e drejtësisë edhe në veri të Kosovës. Në ditën e takimit, ky lajm kaloi gati se pa u vërejtur, në veçanti sepse presidenti serb insistoi në tregimin për pajtimin historik midis serbëve dhe shqiptarëve. Kjo çështje ka një rëndësi primare për mbijetesën e të gjithë neve së bashku në Kosovë, por definitivisht nuk është tregim me të cilin do të duhej të fshehen rezultatet e Brukselit. Por disi jemi mësuar edhe me këtë – asgjë e re. E vetmja gjë prej së cilës mund të frikohemi është se çka eventualisht mund të ndodh para vetë asaj dite të integrimit të gjyqësisë. Nuk do të ishte e pazakonshme, e nuk është as e pamundur që përsëri të dëgjojmë se kjo në të vërtetë nuk është dakorduar. E patëm trenin, ndërtimin e murit në Mitrovicë… asgjë nuk mund të na befasojë, as edhe një injorim tjetër i asaj që është dakorduar bashkë me atë tashmë të njohurën „Kosova është Serbi.“ Por le të shpresojmë se kjo megjithatë nuk do të ndodh dhe që me ndonjë mrekulli do të presim muaj të qetë që janë para nesh. 

Ajo që është kyçe është se serbët e Kosovës as që i kanë kushtuar vëmendje asaj që ka ardhur nga Brukseli. Apo vetëm duket ashtu. Të mësuar kaherë me situata dhe rezultate në të cilat nuk mund të ndikojnë, integrimin e gjyqësisë, si njërën nga degët më të rëndësishme të pushtetit të një shteti, serbët e Kosovës e kanë pranuar, mund të themi, lehtësisht. Duket që politikanët tanë na kanë sjellë deri tek ajo pikë që më nuk na intereson se për cilin shtet apo për cilën gjyqësi bëhet fjalë, veçse që ekskluzivisht të insistojmë në atë që më në fund të na lënë të jetojmë të qetë dhe në paqe. Por, pavarësisht nëse dikush e ka të qartë apo jo, i pëlqeu kjo apo jo, nga mesi i tetorit gjykatat serbe do të jenë pjesë e sistemit të Kosovës.

Përveç të gjitha këtyre që u thanë, nuk mund të shmangim edhe një gjë e cila na sjell tek mendimi se pse kjo marrëveshje e Brukselit nuk u përcoll siç do të duhej dhe që askush në media nuk u përpoq që serbëve të Kosovës t’ua shpjegojë se çka është ajo që me të vërtetë na pret. Bëhet fjalë për spekulimet për përfshirjen e mundshme të fuqive të mëdha në negociatat midis Serbisë dhe Kosovës. Siç ka qenë rasti edhe shumë herë më parë, tek serbët u zhvilluan teori të ndryshme të konspiracionit se si Putin-i do të na ndihmojë. Ndërsa politikanët e mohonin një gjë të tillë, shumica natyrisht ishin të preokupuar me tërë vëmendjen e mundshme me lajmin për kyçjen potenciale të SHBA-ve dhe Rusisë e mandej erdhi edhe koalicioni i Listës Serbe me Haradinajn, dhe natyrisht që integrimi i ardhshëm i gjyqësisë mbeti i pashpjeguar dhe pa përcjellje të mjaftueshme mediale. 

A është kjo ndoshta mënyra më e lehtë që serbët ta kalojnë edhe këtë proces të integrimit apo jo, mbetet të shohim. Deri tek ai 17 tetori famoz dhe i dakorduar në takim joformal na pret edhe shumëçka tjetër. Duke filluar nga zgjedhjet lokale e deri tek veprimet e qeverisë së re të sapoformuar. Në tërë këtë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë se nuk do të kemi raste që do të ndikojnë bile në këtë qetësi të përkohshme që e kemi. Shpresojmë që nuk do të kemi edhe ndonjë tren apo ndonjë formë tjetër proteste kundër asaj që kaherë në vend tonin është dakorduar dhe nënshkruar.