Rezultatet preliminare: Lista Serbe fitoi në katër komunat veriore

0
68

Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, kandidatët e Listës Serbe kanë fituar që në rrethin e parë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës.

Zgjedhjet janë mbajtur të dielën në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Procesi, u vlerësua se ka kaluar qetë dhe pa parregullësi të mëdha. Kurse dalja e votuesve, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte më e lartë se 42 për qind.

Rezultatet preliminare të prezantuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, diku pas masnatës, tregojnë se kandidatët e Listës Serbe kanë shënuar fitore bindëse.

Në Leposaviq, në bazë të rezultatit preliminar ka fituar Zoran Todiq nga Lista Serbe me 96.6 % të votave. Ai kishte kundërkandidat, Shaqir Hetemin nga Partia Demokratike e Kosovës i cili mori 2.0 % dhe Fisnik Veselin nga Lëvizja Vetëvendosje i cili mori 1.4 % të votave.

Në Zubin Potok, Sërxhan Vulloviq nga Lista Serbe ka fituar 94.5 %, kurse Hysen Mehmeti nga Partia Demokratike e Kosovës 2.9 % dhe Liridona Kahrimani nga Lëvizja Vetëvendosje 2.6 % të votave.

Edhe në Zveçan, kandidati i Listës Serbe Vuçina Jankoviq ka fituar me 94.7 %, në garë me Ilir Pecin nga Partia Demokratike e Kosovës që ka siguruar 3.3 % dhe Avdi Pecin nga Lëvizja Vetëvendosje me 2 % të votave.

Në komunën Mitrovica e Veriut, kandidati i Listës Serbe, Goran Rakiq ka siguruar 86.2 %, kurse kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës Gonxhe Çaushi 8.7 % dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq me 5 % të votave.

Rezultate preliminare ka prezantuar edhe koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV), që ka vëzhguar procesin zgjedhor.

Sipas DnV-së, rezultatet preliminare tregojnë se Lista Serbe ka fituar në katër komunat. Por, këto rezultate dallojnë me ato të KQZ-së, sidomos në Mitrovicën e Veriut.

Rezultatet e DnV-së janë këto:

Mitrovicë e Veriut:

Lista Serbe, Goran Rakiq (95.2%)

Partia Demokratike e Kosovës, Gonxhe Çaushi (3.1%)

Lëvizja Vetëvendosje, Erden Atiq (1.6%)

Zubin Potok:

Lista Serbe, Srxhan Vulloviq (94.1%)

Partia Demokratike e Kosovës, Hysen Mehmeti (3.1%)

Lëvizja Vetëvendosje, Liridona Kahrimani (2.8%)

Leposaviq:

Lista Serbe, Zoran Todiq (96.4%)

Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Hetemi (2.1%)

Lëvizja Vetëvendosje, Fisnik Veseli (1.5%)

Zveçan:

Lista Serbe, Vucina Jankovic (96.4%)

Lëvizja Vetëvendosje, Avdi Peci (2.2%)

Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Peci (1.4%)

Para se KQZ të shpallte rezutatet preliminare, Lista Serbe ka shpallur fitorën dhe ka nisur festimet në pjesën veriore të Mitrovicës. Kandidati për kryetar të Mitrovicës veriore, Goran Rakiq ka telefonuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq të cilin e ka njoftuar me rezultatin e zgjedhjeve në katër komunat veriore.

“Presidenti, dua t’ju informoj se ne jemi këtu në shesh, nuk po festojmë fitoren, sepse kjo për ne ishte e pritshme, por po kremtojmë unitetin e popullit serb dhe po festojmë lidhjet tona të forta me shtetin tonë Serbinë”, i ka thënë Rakiq presidentit serb.

Duke komentuar ecurinë e procesit, KQZ ka njoftuar se të gjitha vendvotimet janë hapur nga ora 7:00, kurse nga ora 19:00 ka filluar mbyllja e tyre, kur edhe ka nisur numërimi i votave.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se procesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore kaloi mirë dhe pa ndonjë problem.

“Të drejtën e votës e shfrytëzuan 24.592 qytetarë apo 42.42 për qind e qytetarëve me të drejtë vote”, tha Daka.

Sipas komunave, Daka tha se dalja në zgjedhje në Leposaviq ishte 41.57 për qind, në Zubin Potok: 50.74 për qind, në Zveçan: 48.17 për qind dhe në Mitrovicën veriore 38.74 për qind.

Ndërkaq koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim ka numëruar disa parregullsi. Në njoftimin e DnV-së, është raportuar votimi me dokumente të Serbisë, votimet familjare, raste të votimit jashtë kabinave si dhe tentimet për të votuar më shumë se një herë.

DnV ka raportuar për 23 votime familjare, për gjashtë ankesa në lidhje me listen e votuesve, pastaj në pesë raste janë raportuar votime jashtë kabinës së votimit dhe dy raste të tentimit për të votuar dy herë.

Një rol në këtë proces e kishte edhe Policia e Kosovës. Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, i tha Radios Evropa e Lirë se që nga bartja e kutive të votimit në orën 3:00 të mëngjesit, nuk është shënuar asnjë incident.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në ditën e votimit janë hapur 44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime me gjithsej 57 mijë e 938 votues.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar 464 vëzhgues të zgjedhjeve të cilët përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, një nga Komisioni Evropian, dy misione diplomatike, 12 ambasada, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, katër organizata joqeveritare vendore dhe 15 media.

Gjatë ditës, Presidenti i Kosoves, Hashim Thaçi i ka përgëzuar subjektet politike dhe qytetarët në komunat veriore për, siç ka thënë ai, fushatën e qetë zgjedhore dhe ka uruar që të ketë një proces të rregullt zgjedhor.

“Kosova ka ndërtuar traditë të zgjedhjeve të suksesshme. Zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës po mbahen sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe janë në shërbim të integrimit sa më të mirë të të gjitha komuniteteve në institucionet e Kosovës. Kandidatëve për kryetarë u uroj suksese dhe i ftoj që të vazhdojnë të punojnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve në komunat e tyre”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Edhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka kërkuar që zgjedhjet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme.

“BE-ja pret që të gjithë aktorët e përfshirë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës të respektojnë integritetin e procesit zgjedhor. BE-ja thekson rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të rekomandimeve të Misionit Vëzhgues të BE-së nga zgjedhjet e kaluara”, ka theksuar Apostolova.

Kryetarët e komunave veriore: Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për importet nga Serbia.

Më vonë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, caktoi datën 19 maj për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

(evropaelire.org, 19/05/2019)

SHARE