Rregullimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi jashtë procesit të dialogut

Shteti i Kosovës ka përgjegjësi për ruajtjen dhe forcimin e konceptit të shtetit multietnik, duke punuar në integrimin e minoritetit serb ndërsa edhe Serbia duhet që të mos rrezikojë të dëmtojë imazhin e vet duke bërë përpjekje që të minojë realitetin e pavarësisë së Kosovës.

0
196

Ndonëse bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë përceptohen si vitale në procesin e normalizimit, mund të argumentojmë që të dyja shtetet duhet të kenë parasysh se jashtë këtij procesi, rëndësi të posaçme ka fakti se sa shtetet ruajnë stabilitetin e deritanishëm të raportit mes tyre. Një fokus të veçantë duhet patur sidomos për përpjekjet e Kosovës për të ofruar mjedisin më të mirë të mundshëm socio-ekonomik dhe të drejtat politike për të gjitha minoritetet, e veçanërisht për minoritetin serb, dhe për ndalimin e shtetit serb në minimin e pavarësisë së Kosovës.

Në kuadër të përpjekjeve për forcimin e shtetit të Kosovës konform kërkesave fillestare të komunitetit ndërkombëtar për krijimin e një shteti multi-etnik, Kosova ka nevojë që të punojë fuqishëm drejt integrimit të të gjitha minoriteteve në realitetin e përditshëm. Pra, arritja e një marrëveshjeje në kuadër të dialogut pa konsideruar pozitën e minoritetit serb në Kosovë do ta shndërronte marrëveshjen në një dokument si tejet normativ dhe pa ndonjë efekt real. Në këtë kontekst, edhe nëse shteti i Kosovës ngec në procesin e dialogut, bashkë me shtetin serb do të duhej të punohej në drejtim të rregullimit të marrëdhënieve jashtë këtij procesi, duke u fokusuar në rregullimin e jetesës së qytetarëve përmes një bashkëpunimi më konstruktiv.

Megjithatë, ekziston nevoja që të bëjmë zbërthimin e termit “bashkëpunim konstruktiv mes shteteve”. Ndoshta në mënyrë më të thjeshtë të mundshme, kjo do të nënkuptonte sjellje të atillë të shteteve që do t’i kontribuonte zhvillimit të ndërsjellë të brendshëm por edhe në mënyrën se si Kosova dhe Serbia do të përfaqësonin veten para komunitetit ndërkombëtar. Shteti i Kosovës do të mund ta realizonte këtë përmes fleksibilitetit të shtuar sa i përket çështjes së taksës, duke lehtësuar në këtë mënyrë procesin e dialogut. Ndonëse kjo çështje ka implikime të theksuara ekonomike për shtetin e Kosovës, duhet patur parasysh që heqja e taksës është një çështje në të cilën faktori ndërkombëtar ka qenë shumë i zëshëm. Më tej, shteti i Kosovës do të duhej që përtej përcaktimeve ligjore, të punojë që komuniteti serb të integrohet sa më mirë në jetën e përditshme ekonomike dhe sociale, duke mundësuar që serbët të jenë pjesë e Kosovës në masë më të madhe dhe jo thjeshtë të konsiderohen si enklava që hasin në vështirësi të shndërrohen në pjesë përbërëse të shtetit të Kosovës.

Derisa shteti i Kosovës bën përpjekje që të punojë në përmirësimin e raportit me shtetin serb, shteti serb do të duhet që të fokusohej në limitimin e sjelljes së atillë që përpiqet të deligjitimojë pavarësinë e shtetit të Kosovës. Kjo sjellje nuk i kontribuon paqes në Ballkan por mbi të gjitha promovon shtetin serb si një shtet obstruksionist që nuk përfill normat e sjelljes në marrëdhëniet ndërkombëtare për respektimin e sovranitetit të shteteve. Progresi i mjaftueshëm i shtetit të Kosovës duke konsideruar numrin e njohjeve në një mënyrë e konfirmon legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës. Pra, brenda apo jashtë procesit të dialogut, raporti mes Kosovës dhe Serbisë vetëm vazhdon të dëmtohet nga praktikat me karakter bllokues.

Në procesin e dialogut, Kosova dhe Serbia vazhdojnë me qasjen e tyre realiste dhe të përqendruar në mbrojtjen e pozicionit të tyre. Derisa kjo vazhdon të vonojë procesin e dialogut, duhet të konsiderohet që të dy shtetet të punojnë në atë drejtim që të paktën të ruajnë dhe përmirësojnë gjendjen e tanishme në të cilën shtetet kanë parasysh përfitimet e bashkëpunimit. Shteti i Kosovës ka përgjegjësi për ruajtjen dhe forcimin e konceptit të shtetit multietnik, duke punuar në integrimin e minoritetit serb ndërsa edhe Serbia duhet që të mos rrezikojë të dëmtojë imazhin e vet duke bërë përpjekje që të minojë realitetin e pavarësisë së Kosovës. Këto aspekte të raportit Kosovë-Serbi kanë ekzistuar edhe para procesi të dialogut dhe duhet të kihen parasysh që duhet të përceptohen si kërkesat më minimale që hapin rrugën për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

SHARE