Rreth 1.9 milionë euro nga Fondi Zhvillimor për komunat veriore

Gati 1.9 milionë euro të tjera janë dhënë për komunat veriore të Kosovës nga Bordi Menaxhues i Fondit Zhvillimor në takimin e tyre të sotëm në Prishtinë.

0
416

Mbi 1 milionë euro u dhanë për Komunën e Leposaviqit për tri projekte që mbështesin bizneset e reja (start-up), Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) dhe zhvillimin bujqësor, ndërtimtarinë dhe rehabilitimin e objekteve për qëllime kulture dhe sporti, dhe ndërtimin dhe riparimin e rrugëve lokale të pakategorizuara në këtë komunë.

Bordi po ashtu dha 400.000 euro për Komunën e Mitrovicës Veriore për institutin rajonal për kulturë.

Bordi po ashtu vendosi të alokojë mbi 450.000 euro për Komunën e Zveqanit për ndërtimin e një qendreje kulturore dhe për shpronësimin e tokës, si dhe për pastrimin e kanalit të mbeturinave industriale joligjore.

Më parë Komuna e Zubin Potokut ka marrë pothuaj 1.4 milionë euro për katër projekte.

Më tej, propozimet për projekte do të rishikohen gjatë takimit të ardhshëm të Bordit, i cili pritet të mbahet në mars 2016.

Deri më tash, mbi 6.6 milionë euro janë dhënë nga Fondi Zhvillimor për katër komunat veriore të Kosovës.

Procesi i auditimit për funksionimin e Fondit Zhvillimor në vitin 2015 pritet të ndodhë në periudhën e ardhshme.

Fondi Zhvillimor gjeneron të hyrat e tij nga taksat e mbledhura në vendkalimet kufitare Jarinje/Rudnica dhe Tabavije/Brnjak. Të hyrat e mbledhura deri më tash shënojnë 8.3 milionë euro dhe përdoren për të mbështetur zhvillimin socio-ekonomik të komunave veriore të Kosovës.

Funksionimi i këtij Fondi vendoset nga Bordi Menaxhues i përbërë nga Samuel Zhbogar, Kryesues i Bordit, në kapacitetin e tij si Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti, në emër të autoriteteve kosovare dhe Danijela Zubac, në emër të komunitetit serb.

(Indeksonline, 10/02/2016)

SHARE