Rruga deri tek drejtësia 

Nuk duhet të pritet që ky proces të shkojë mirë dhe pa probleme, por duhet patjetër të kalohet nëpër të. Shumë nga ata që deri më tani në Kosovë janë konsideruar heronj dhe, thënë më së paku, të pagabueshëm e pa mëkate do të vendosen në listën e atyre që do të paraqiten në cilësinë e të akuzuarve përpara gjykatës së lartpërmendur. Populli i Kosovës duhet të jetë i gatshëm për këtë. Në fund të fundit, të gjithë në rajon kanë kaluar nëpër këtë proces, kështu që edhe Kosova do të duhet ta bëjë këtë.

0
124

Tashmë disa herë shumë autorë në New Perspektiva janë marrë me temën e formimit të gjykatës për krime të disa pjesëtarëve të UÇK-së, por tani kjo temë ka kaluar në një fazë tjetër, e kjo është vetë procesi i thirrjes për seanca dëgjimore të të dyshuarve por edhe të dëshmitarëve. Ajo që këtyre ditëve, qysh në fillim të këtij procesi, po e tërheq vëmendjen e të gjithë neve, janë emrat por edhe cilësia në të cilën persona të caktuar po ftohen që të japin deklaratat e tyre para prokurorit të asaj gjykate.      

Natyrisht, lista e emrave nuk është përfundimtare, por po e shohim se në listë janë persona nga vetë kreu i ish-UÇK-së, por ajo që veçanërisht po e tërheq vëmendjen është se të gjithë, ose të paktën pothuajse të gjithë, janë të ftuar si dëshmitarë e jo si të dyshuar. Gjithashtu, prokuroria ka shkuar sipas parimit që të mos e bëjë publik qëllimin e thirrjes, gjithsesi për të shmangur reagimin e opinionit publik, sepse është e qartë për të gjithë se çdo aktakuzë eventuale ndaj dikujt do të ishte shkak për trazira. Në fund të fundit, skenarë të tillë kemi parë nëpër rrugët e Prishtinës, kështu që kjo nuk do të ishte asgjë e re.

Fshehtësia e listave të personave që mund të ftohen që të japin deklarata para gjykatës, por edhe e cilësisë së të ftuarve është bërë po ashtu për arsye që t’i ofrohet siguri dëshmitarëve eventualë, sepse po ashtu jemi të vetëdijshëm që në ca kohëra të kaluara në Kosovë më vështirë ka qenë të jeshë i ftuar për të dëshmuar se sa në bankën e të akuzuarve. Në rastin e parë, kjo ka garantuar telashe, e shumë shpesh edhe vdekje, kurse në rastin e dytë kjo do të ishte shkak që të zihet vendi i heroit. Natyrisht, të gjithë e kemi të qartë se ky nuk është një qëndrim dhe parim gjithaq normal, por duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo është hapësirë ku kaherë nuk funksionojnë gjërat në bazë të normave qytetëruese përgjithësisht të pranuara e po ashtu as procesi i vërtetimit të krimeve dhe sigurimit të drejtësisë, nëse mund të thuhet kështu.          

Serbia gjatë pothuajse dy dekadave të kaluara e ka kryer këtë proces dhe i ka vënë pikën bashkëpunimit me Hagën, por tani nëpër këtë proces duhet të kalojë edhe Kosova, e cila në luftën për liri gjithsesi ka pasur edhe shembuj të tillë që i nënshtrohen ndjekjes penale. Sado që të jetë e vështirë që kjo të pranohet si fakt, Kosova në periudhën e ardhshme do të duhet të vendosë në agjendën e vet edhe pikën e bashkëpunimit me këtë gjykatë. Natyrisht, nuk duhet të pritet që ky proces të shkojë mirë dhe pa probleme, por duhet patjetër të kalohet nëpër të. Shumë nga ata që deri më tani në Kosovë janë konsideruar heronj dhe, thënë më së paku, të pagabueshëm e pa mëkate do të vendosen në listën e atyre që do të paraqiten në cilësinë e të akuzuarve përpara gjykatës së lartpërmendur. Populli i Kosovës duhet të jetë i gatshëm për këtë. Në fund të fundit, të gjithë në rajon kanë kaluar nëpër këtë proces, kështu që edhe Kosova do të duhet ta bëjë këtë.

Por, nga ana tjetër, nuk duhet të kemi dyshime edhe në atë se procesi i dënimit të krimeve nuk do të jetë i njëjtë me atë nëpër të cilin kanë kaluar vendet tjera në regjion. Disa fuqi të mëdha kanë qenë të përfshira që nga fillimi i luftës së UÇK-së, kështu që dënimet eventuale në mënyrë indirekte do t’u shqiptoheshin edhe atyre si pjesëmarrëse aktive të luftës së UÇK-së. Mbrojtja e të akuzuarve, me sa po shohim nga të dhënat më të reja nga mediat, do të përbëhet nga ata të cilët punën e gjykatës në Hagë e njohin nga dora e parë, kështu që nuk duhet të dyshojmë që ajo nuk do të jetë e gatshme për këtë detyrë. Serbët nga Kosova qysh paraprakisht duhet të jenë të vetëdijshëm për faktin se kjo është me të vërtetë rruga kah drejtësia, por që shumica e atyre që do të jenë në bankën e të akuzuarve do të lirohen, kështu që nuk duhet patur pritje të mëdha. Sepse, sa më të mëdha që janë pritjet, aq më të mëdha janë edhe zhgënjimet. Sido që të jetë, puna më në fund filloi, e çfarë rezultatesh do të ketë këtë do ta shohim, por unë personalisht nuk pres shumë. Sinqerisht shpresoj ta kem gabim, por përvojat na kanë mësuar diçka krejtësisht tjetër.

SHARE