Sa e qëndrueshme është paqja në Kosovë?

A është paqja në Kosovë sot paqe e qëndrueshme dhe si mund ta dimë këtë? Kurrë nuk mund të jemi të sigurtë nëse ndonjë paqe është e qëndrueshme, por - dhe ky është argumenti kryesor i librit tim - mund të bëjmë një punë më të mirë për ta matur cilësinë e një paqeje dhe cenueshmërinë e asaj paqeje nga rikthimi i konfliktit.

0
36

(Shkruar nergut për New Perspektiva)

Si mund ta dimë nëse një paqe është e qëndrueshme? Kjo është pyetja kryesore që e shqyrtoj në librin tim të ri, Measuring Peace: Principles, Practices, and Politics (Matja e Paqes: Parimet, Praktikat dhe Politika). Eshtë një pyetje e rëndësishme sepse recidivizmi i konfliktit – rikthimi i shteteve në dhunë pas një ndërprerjeje të armiqësive – është një dukuri e përhapur. Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, më shumë se gjysma e të gjitha vendeve që kanë përjetuar luftë civile kanë pësuar një rikthim të dhunës. Angola, Liberia, Sierra Leone, Timori Lindor, Nigeria, Birmania – këto janë vetëm disa nga shumë vendet që e kanë përjetuar prishjen e paqes pas luftës civile.

Edhe Kosova ka përjetuar një rikthim të dhunës pas përfundimit të luftës në 1998/99. Më 17-18 Mars 2004, një valë dhune përfshiu Kosovën, që rezultoi me 19 vdekje, afro 900 të plagosur, dhe dëmtimin ose shkatërrimin e qindra shtëpive dhe 30 kishave ortodokse serbe dhe objekteve kulturore. Dhuna nuk erdhi si befasi e plotë: dihej se zhgënjimi brenda komunitetit shqiptar të Kosovës ishte në rritje e sipër dhe se moszgjidhja e vazhdueshme e çështjes së statusit nuk mund të vazhdonte pafundësisht. Sidoqoftë, nuk dihej gjerësisht se Kosova ishte në pikë kritike pikërisht në atë moment.

A është paqja në Kosovë sot paqe e qëndrueshme dhe si mund ta dimë këtë? Kurrë nuk mund të jemi të sigurtë nëse ndonjë paqe është e qëndrueshme, por – dhe ky është argumenti kryesor i librit tim – mund të bëjmë një punë më të mirë për ta matur cilësinë e një paqeje dhe cenueshmërinë e asaj paqeje nga rikthimi i konfliktit. Për ta bërë këtë, kemi nevojë për metoda më të fuqishme për të vlerësuar qëndrueshmërinë e një paqeje. Unë përdor analogjinë e “testeve të stresit (stress tests)“ që u vendosën në disa vende pas krizës globale financiare të vitit 2008 për të siguruar që bankat e tyre do të jenë mjaft të qëndrueshme për t’i rezistuar goditjeve të mëtejshme. Kemi nevojë për teste stresi edhe për paqen.

Për këtë qëllim, disa analistë kanë hartuar ‘tregues të paqes (peace indicators)’. Instituti për Ekonomi dhe Paqe (IEP) nxjerrë çdo vit një Indeks Global të Paqes që, siç thotë ai, mund të bëjë matjen e brishtësisë së një vendi dhe të ndihmojë në parashikimin e gjasave për konflikt, dhunë dhe paqëndrueshmëri në atë vend. Indeksi bazohet në pikat (rezultatet) e shënuara në tetë faktorë të cilët, sipas IEP, krijojnë dhe mbështesin shoqëritë paqësore. Ata janë: një qeveri që funksionon mirë, një mjedis i shëndoshë biznesi, nivele të ulëta të korrupsionit, nivele të larta të kapitalit njerëzor, qarkullim i lirë i informacionit, marrëdhënie të mira me fqinjët, një shpërndarje e drejtë e burimeve dhe njohja e të drejtave të të tjerëve. Mbi këtë bazë, IEP rendit Kosovën në vendin e 86 nga 163 vende – më lart se Haiti dhe më poshtë se Bolivia – dhe nuk e karakterizon gjendjen e paqes në Kosovë as “të lartë” e as “të ulët” por “të mesme”.

Dikush mund të vërë në dyshim vlerën e një indeksi të tillë. Paqja është një gjendje shumë e ndërlikuar e cila nuk mund të kapet lehtë ose fare nga një numër i vetëm. Ajo që është e nevojshme është ajo që unë e quaj një ‘qasje etnografike’ d.m.th. mbështetje më e madhe në njohjen e kulturës lokale, historisë lokale dhe sidomos të dinamikës së veçantë të konfliktit në funksion në një konflikt të caktuar, përfshirë në nivelin mikro. Një shembull i mirë i kësaj mund të shihet në Timorin Lindor (Timor-Leste), i cili gjithashtu përjetoi një rikthim të dhunës në 2006 nën mbikëqyrjen e KB. Megjithëse KB nuk arritën të parashikonin dhunën, ishte një mori analistësh që kishin njohuri të forta kontekstuale, të cilat u ndihmuan atyre të kuptonin dinamikën lokale të rëndësishme për konflikt. Ata paralajmëruan se një stuhi po afrohej. Sigurisht, mund të jetë e vështirë ndonjëherë të përcaktohet vlera aktuale e analizës para konfliktit, veçanërisht kur ka shumë ‘zhurmë’ të çakorduar, por në këtë rast mendimi i ekspertëve (të paktën midis tyre) po tregonte pak a shumë në drejtimin e duhur. Problemi i vërtetë është se rreth vitit 2006 ekzistonte një imperativ i fortë nga donatorët dhe vendet kontribuese të trupave për të zhvendosur resurset nga Timori Lindor që i bëri këta aktorë të shurdhër ndaj thirrjeve nga analistë mirë të informuar. Dhe, siç e dimë, politika shpeshherë mposht analizën e shëndoshë.

Në një vend tjetër alarmi u dha në mënyrë efektive. Në atë që tani është Republika e Maqedonisë së Veriut, një kombinim i analizës së konfliktit dhe treguesve të paralajmërimit të hershëm të hartuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) alarmoi zyrtarët ndërkombëtarë për rritjen e tensioneve në prag të zgjedhjeve të dhjetorit 2016, kur partia në pushtet u përpoq të dobësojë kundërshtarët e saj përmes një kombinimi të frikësimit dhe detyrimit që kishte në shënjestër organizatat joqeveritare, mediat dhe partitë politike të opozitës. OSBE-ja bëri një analizë të mprehtë të situates, të cilën e ndau me Komisionin Evropian, e që rezultoi me presion efektiv nga kjo e fundit mbi autoritetet maqedonase gjë që mund të thuhet se ndihmoi për të shmangur dhunën e mëtejshme.

Vlerësimet më të mira të qëndrueshmërisë së paqes nuk janë ilaç çudibërës kundër përsëritjes së konfliktit. Por, për aq sa një analizë e shëndoshë mund t’i kontribuojë marrjes së vendimeve politike, vlerësimet më rigoroze të qëndrueshmërisë së paqes kanë potencialin për të dhënë një kontribut thelbësor në parandalimin e përsëritjes së konflikteve.

Richard Caplan është Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit. Libri i tij, Measuring Peace: Principles, Practices, and Politics (Matja e Paqes: Parimet, Praktikat dhe Politika) është botuar nga Oxford University Press.

SHARE