Saga juridike e Manastirit të Deçanit

0
60

Kërkesa e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ndaj Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë veprime mbi të drejtat pronësore të Manastirit të Deçanit, nuk ka mbështetje ligjore, vlerësojnë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, thotë se nuk ekziston ndonjë sanksion konkret, penal apo çfarëdo qoftë, në ligj apo Kushtetutë, për subjektet që refuzojnë të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese: Prokuroria e Shtetit të ndërmarrë veprime

Më 24 shtator, Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dërguar një letër Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, përmes së cilës e ka informuar atë për nxjerrjen e Aktvendimit për Mospërmbarim lidhur me aktgjykimin, me të cilin Gjykata Kushtetuese më 2016 vendosi që Manastiri i Deçanit është pronar i 24 hektarëve tokë dhe pyll.

Në letrën dërguar Kryeprokurorit të Shtetit, Gjykata Kushtetuese thekson që ajo “nuk ka kompetence për vlerësimin e përgjegjësisë për moszbatimin e Aktgjykimeve të lartcekura nga autoritetet përgjegjëse” dhe ka thënë se “i takon Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë veprimet e mëtejme, sipas autorizimeve ligjore, bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Prokurorisë së Shtetit me pyetjet se a ka ndërmarrë hapa të caktuar ose a do të ndërmarrë hapa që janë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese. Por, deri në publikimin e këtij teksti, kjo prokurori nuk ka kthyer përgjigje.

Reagimet ndërkombëtare

Më 31 tetor, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, pas një vizite në Manastirin e Deçanit, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

“Trashëgimia e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë duhet të mbrohet dhe të gëzojë të drejta të plota. Prandaj, i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të vonuar prej kohësh tashmë, pasi sundimi i ligjit nënkupton trajtim të barabartë të të gjithëve”, ka thënë Cramon.

Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili, përmes një postim në Twitter, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Ai ka theksuar që aplikimi arbitrar i sundimit të ligjit nuk është rrugë para.

Më 24 shtator, shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, përmes një deklarate të përbashkët kanë mirëpritur deklaratën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke thënë që është shqetësuese që kjo gjykatë “detyrohet t’ua përkujtojë institucioneve ekzekutive të garantojnë dhe zbatojnë sundimin e ligjit në këto raste më se të vonuara”.

Kërkesa të tilla ka pasur tash e disa vjet.

Miftaraj: Nisma e Gjykatës Kushtetuese pa bazë ligjore

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thekson që çdo shtet normal, që aspiron parimet bazë të sundimit të ligjit, i zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Por, Gjykata Kushtetuese, sipas tij, pas pesë vjetësh nga vendimi i saj, në presionin e kërkesave të përfaqësuesve ndërkombëtarë, kërkon nga Prokuroria e Shtetit të ndërmarrë veprime ligjore, të cilat nuk kanë bazë. Sipas tij, Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale e përcaktojnë në mënyrë të qartë që moszbatimi i vendimeve gjyqësore të gjykatave të rregullta, i hapë rrugën Prokurorit të Shtetit që të nisë procedurat penale ndaj personave ose institucioneve që nuk i zbatojnë ato vendime të formës së prerë. Por, sipas tij, kjo nuk është në rastin e vendimeve të Gjykatës kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese nuk është gjykatë e rregullt dhe kjo dispozitë nuk vlen për vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Përmes edhe presionit nga partnerët ndërkombëtarë, Gjykata Kushtetuese, në njëfarë mënyre ka marrë nismë, e cila, së pari, nuk është e bazuar në ligj dhe e dyta, është jashtëzakonisht problematike që të zbatohet nga ana e Prokurorit të Shtetit”, thotë Miftaraj.

Bajrami: S’ka organ përgjegjës për zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese

Profesori i së drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, Arsim Bajrami, i cili ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve që e kanë përpiluar Kushtetutën e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se aktgjykimet dhe vendimet në përgjithësi, që sjell Gjykata Kushtetuese e Kosovës, sipas Kushtetutës së vendit, kanë efekt detyrues, janë të paapelueshëm, janë të formës së prerë dhe të ekzekutueshme.

Sipas tij, i tillë është edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016, me të cilin e njeh të drejtën e Manastirit të Deçanit për pronësi për 24 hektarë tokë.

Por, ai shpjegon situatat kur këto vendime mbeten të pazbatuara, sikurse edhe në rastin me Manastirin e Deçanit.

“Ajo (Kushtetuta) vetëm përcakton që vendimet e Gjykatës Kushtetuese veprojnë ‘erga omnes’, veprojnë ndaj të gjithëve. Shteti dhe palët tjera joshtetërore – qytetarët- dhe institucionet tjera duhet t’i binden këtij vendimi. Nuk përcaktohet një organ kompetent që është përgjegjës për zbatimin e vendimeve, pra, në rastin konkret, nuk përcaktohet që fare me këtë çështje ka të bëjë për shembull; policia apo institucionet e sigurisë. Po ashtu, nuk përcaktohet që përgjegjësinë e plotë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese e merr ekzekutivi, i cili bën zbatimin e ligjeve dhe akteve tjera, por në një mënyrë, komplet shteti dhe institucionet shtetërore kanë për detyrë të sigurojnë zbatimin e plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thotë Bajrami.

Pritjet e Kishës dhe qëndrimi i Qeverisë

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, me seli në Graçanicë, përmes një komunikate për media, të hënën, më 1 nëntor, ka thënë se Kisha Ortodokse Serbe pret që institucionet kompetente ta zbatojnë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016, me të cilin konfirmohet pronësia e Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë dhe pyll rreth manastirit. Dioqeza ka mirëpritur, siç është theksuar në komunikatë, “thirrjet ndërkombëtare që vendimi i gjykatës të zbatohet dhe toka kishtare të regjistrohet në kadastër”.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Zyrës së kryeministrit të Kosovës, në pyetjen se a është Qeveria e Kosovës në favor apo kundër zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronën prej 24 hektarësh tokë dhe pyll të Manastirit të Deçanit.

Kjo zyrë ka shmangur përgjigjen në këtë pyetje, por në një përgjigje me shkrim ka thënë se, Qeveria e Kosovës do të angazhohet maksimalisht “që të ruhen të drejtat legjitime të Manastirit të Deçanit që është pjesë e mozaikut të pasur kulturor të Kosovës. Por, edhe liderët fetarë të Manastirit duhet të bëjnë pjesën e tyre”.

“Dialogu me klerikët ortodoksë në Kosovë është rruga e vetme për zgjidhje të qëndrueshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së kryeministrit të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në maj të këtij viti, u bëri thirrje përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe për dialog, por Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, pati deklaruar asokohe se bisedimet do të ishin të mundshme vetëm kur të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i vitit 2016, lidhur me 24 hektarë tokë të Manastirit të Deçanit.

Cili është kontesti lidhur me tokën e Manastirit të Deçanit?

Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, gjegjësisht ka përcaktuar se 24 hektarë tokë i takojnë atij manastiri.

Mirëpo, pushteti lokal në Deçan refuzon ta zbatojë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese për shkak se, siç pretendon, ajo pronë është e kompanive shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e manastirit. Autoritetet lokale në Deçan besojnë, gjithashtu, se Gjykata Kushtetuese legalizoi vendimin e Sllobodan Millosheviqit nga viti 1997, kur vendosi t’i dhurojë këtë pronë manastirit.

Në krye të Komunës së Deçanit është Bashkim Ramosaj, i cili do të jetë po ashtu kryetar i kësaj komune për katër vitet e ardhshme, duke pasur parasysh se në zgjedhjet lokale të 17 tetorit fitoi si kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë Ramosajn, por ai nuk ishte i qasshëm.

Menjëherë pasi që Gjykata Kushtetuese i kishte dërguar kërkesën Prokurorisë së Shtetit lidhur me zbatimin e vendimit për pronën e Manastirit të Deçanit, më 24 shtator, kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se nuk do ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe, rrjedhimisht, ka pohuar se autoritetet komunale nuk e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për të mos pranuar regjistrimin e pronës për Manastirin e Deçanit.

“Mungesa e vullnetit politik”

Ehat Miftaraj thekson që partive politike në Kosovë u ka munguar dhe vazhdon t’u mungojë vullneti politik për krijimin e një mekanizmi mbikëqyrës për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Kodi Penal dhe i Procedurës Penale, për herë të fundit është miratuar në vitin 2019 dhe nëse e kanë vlerësuar që moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është problem, atëherë kanë mundur që ta penalizojnë një veprim të tillë me Kodin Penal. Kjo nuk ka ndodhur”, thekson Miftaraj.

Ai shton se e vetmja mënyrë që të zgjidhet çështja e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, është që të ketë vullnet politik nga ana e të gjitha partive politike dhe që ky vullnet politik të ushtrohet ndaj Komunës së Deçanit, në mënyrë që ky vendim të zbatohet.

(evropaelire.org, 02/11/2021)

SHARE