Samiti i Berlinit, Dialogu dhe kufijtë

0
120

Liderët e Ballkanit Perëndimor u mblodhën në fund të prillit në Berlin, me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. I ashtuquajturi, Samiti i Berlinit, diskutoi për raportet e ndërfqinjësisë dhe mundësitë e pajtimit, në fokus me dialogun Kosovë-Serbi.

E përditshmja austriake Der Standard raportoi se qëllimi i konferencës rajonale ishte të “shuhej” plani për shkëmbimin e territoreve, duke shtuar se kabineti i kancelares gjermane synonte të propozonte një status special për pjesën veriore të Kosovës. Ndërkaq, New York Times theksoi mospajtimin në mes të dy liderëve të Kosovës, presidentit, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit, Ramush Haradinaj: “Nëse duan të kenë ndonjë shpresë për zbutjen e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë dhe të tejkalojnë ngërçin në bisedimet mbi normalizimin e marrëdhënieve, atëherë, thonë analistët, së pari mund të duhet të ndërmjetësojnë një paqe tjetër, midis dy liderëve të Kosovës”.

Sipas njoftimeve, gjatë takimit u rikthesuan dallimet mes Kosovës dhe Serbisë, ato në mes të Bashkimit Evropian dhe mes vetë liderëve të Kosovës. Por, sipas medias, të dy liderët kosovarë kanë kërkuar njohjen e pakusht të Kosovës nga Serbia. Pas takimit formal dhe darkës, presidenti Thaçi e ka quajtur të rëndë takimin, derisa ka pranuar se nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret për Kosovën. Sipas tij, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë pa kushte dhe se “në çdo rrethanë, Kosova do të mbetet multietnike, nuk do të ketë shkëmbim të territoreve, gjithmonë duke bërë përpjekje maksimale për përfshirjen e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në territorin e Republikës së Kosovës”.

Një ditë më pas, kryeministri Haradinaj deklaroi së gjatë takimit ka pasur një dakordim nga të gjithë të pranishmit në Berlin se nuk do të ketë diskutim për çështje të territorit dhe të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, kryeministri Haradinaj ka bërë të ditur se i është propozuar pezullimi disa muajsh i taksës 100% ndaj mallrave serbe për t’i dhënë mundësi dialogut.

Nga ana e tij, siç raportuan mediat, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ka thënë se pas bisedimeve disaorëshe në kuadër të Samitit nuk është i kënaqur me “status quo”-në. “Do të dëshiroja që të fillonim dialogun, sepse ai është garancia e vetme për stabilitet”, ka deklaruar Vučić. Ai ka thënë që ka kërkuar heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, taksë e cila e ka bllokuar dialogun mes dy vendeve që nga nëntori i vitit të kaluar. I pyetur për idenë e ndryshimit të kufijve, presidenti serb ka ironizuar duke thënë se “nuk e kam të qartë për cilët kufij flasim – ata që i njeh Gjermania apo ata që i njeh Greqia”.

Për ministrin e Jashtëm serb, Ivica Dačić, “suksesi më i madh i takimit në Berlin do të kishte qenë nëse Prishtinën do ta kishin bindur që ta tërhiqte vendimin e paarsyeshëm për taksën ndaj mallrave serbe”. Dačić raportohet të ketë thënë se “Prishtina nuk dëshiron që të ketë dialog, por vetëm njohje të pavarësisë së Kosovës”. E sipas tij, njohja e Kosovës me kufijtë aktual është mision i pamundur.

Mediat raportuan se kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka porositur që zgjidhja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “të mos bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit”. Edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se nuk është qëllimi i tyre të imponojnë zgjidhje për Beogradin dhe Prishtinën. “Ne dëshirojmë që të shqyrtojmë të gjitha mundësitë, por edhe të shmangim tensionet e mundshme në rajon, të cilat mund të ndodhin për shkak të opsioneve që janë në tryezë”, ka thënë Macron.

Pas takimit, zyra e shtypit e kancelares gjermane bëri publike vetëm konkluzionet e kryesisë së përbashkët franko-gjermane. Sipas këtij dokumenti “Serbia dhe Kosova ranë dakord të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të realizuar marrëveshjet ekzistuese dhe për t’u angazhuar konstruktivisht në dialogun e normalizimit të marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga BE, me synim për të arritur një marrëveshje e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme politikisht dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal.

Sipasdiplomatit suedez, Carl Bildt, rezultati më konkret i Samitit të Berlinit rreth çështjes së Ballkanit ishte caktimi i një takimi tjetër në Francë, në qershor.

Ndërkaq, Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Institutit Transatlantik të Këshillit për Politikën e Demokratizimit, ka thënë se shpreson që takimi “shënoi po ashtu vdekjen përfundimtare të idesë për shkëmbim territoresh, ndonëse duket që presidenti Macron ka nevojë edhe për pak kohë për të kuptuar përse kjo ide e rrezikshme duhet dhe duhej të ndalej me çdo çmim”.

Daniel Serwer, drejtori i Programit për Menaxhimin e Konflikteve në Qendrën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins, ka vënë në pah ndryshimin e qëndrimit të presidentit francez, Emanuel Macron, sa i përket çështjet së ndryshimit të kufijve. “Ajo çka unë kuptova është se Presidenti Macron i është bashkuar kundërshtimit për çdo ndryshim të kufijve, që për mua është gjëja e duhur për t’u bërë. Shpresoj që kjo do t’i hapë rrugën një diskutimi më serioz për normalizimin e marrëdhënieve” ka thënë Serwer.

Edhe zëvendëskryesuesi i Grupit Parlamentar CDU/CSU në Parlamentin gjerman, Johann David Wadephul, ka deklaruar se ndihet i çliruar me faktin se “bisedimet për shkëmbime territoresh” janë gjëra nga e kaluara. “Besimi mes serbëve dhe kosovarëve dhe stabiliteti në rajon mund të arrihen vetëm përmes marrëveshjeve ligjërisht obliguese për normalizim të marrëdhënieve, por jo përmes bisedimeve për shkëmbime territoresh”, ka thënë Wadephul në një deklarim për ueb-faqen e grupit parlamentar “cducsu.de”.

Profesori i Universitetit të Grazit, Florian Bieber, ka thënë se alternativa e vetme për shkëmbimin e territoreve dhe qëllimi i këtij samiti ka qenë mbyllja e diskutimit për këtë çështje, si dhe që Franca deri në një farë mase ta pranojë qëndrimin gjerman që nuk do të kishte zgjidhje nëse kufijtë duhet të ndryshojnë. “Nuk është e qartë si do të dukeshin zgjidhjet e tjera, por duhet t’i përmbajnë kufijtë ekzistues,” theksoi Bieber.

Takimi i radhës për Ballkanin Perëndimor, vazhdimësi e Samitit të Berlinit, do të mbahet më 1 korrik në Paris me ftesë të Presidentit francez Emmanuel Macron.

SHARE