Samiti ku nuk u ftuam e megjithatë u ftuam

Kosova dhe Serbia nuk u ftuan në Samitin për Demokracinë nga Amerika. Jo prit, Kosova dhe Serbia megjithatë u ftuan në Samitin për Demokracinë nga Amerika. Kosova dhe Serbia nuk janë shtete demokratike. Jo prit, Kosova dhe Serbia megjithatë janë shtete demokratike. Çka na thotë i gjithë ky pështjellim? 

0
33

Demokracia më e konsoliduar në botë, ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u rrezikua seriozisht gjatë katër viteve të Donald Trumpit si president, që kulmuan me dhunën e paparë në Kapitoll më 6 janar. 

Po kjo demokraci e konsoliduar, kishte pësuar zbehje të madhe të ndikimit në shtetet e tjera të botës me demokraci të pakonsoliduar, e cila zbehje kulmoi me rënien si kullë prej letre të Afganistanit në duart e talebanëve. 

Beteja për ruajtjen e demokracisë brenda SHBA-së vazhdon, duke qenë se polarizimi politik vazhdon të jetë tepër i thellë. 

Të gjitha këto ndikuan që SHBA-ja të organizonte një samit që është emërtuar “Samiti për Demokracinë”. Samiti praktikisht ndan shtetet në demokratike [të ftuarat] dhe jodemokratike [të paftuarat]. 

Kjo ndarje e bërë si pa-të-keq, derisa do të përforcojë rëndësinë e vlerave demokratike [gjë që mbetet të shihet], njëkohshëm do ta përforcojë edhe këndvështrimin perëndimorocentrik mbi botën. Jo veç mënyrën se si këto shtete [veçanërisht të voglat] shihen nga bota, por edhe mënyrën se si e shohin njëra-tjetrën, dhe mbi të gjitha veten. 

SHBA-ja ftoi njëqind e tetë shtete në bazë të një liste preliminare të publikuar nga Politico. Pra, mbi njëqind e kusur mbetën pa u ftuar. Kriteret nuk dihen. Prej të paftuarve, shumë sosh edhe mund të jenë ndierë rehat, por kjo s’mund të thuhet për Kosovën dhe Serbinë. 

Edhe pse Serbia vazhdon ruajtjen e raporteve tradicionalisht të afërta me Rusinë dhe vazhdon të zhvillojë raportet tregtare me Kinën, ajo në të njëjtën kohë po përpiqet të forcojë raportet me SHBA-në. Mosftesa ishte e dhimbshme. 

Por, Kosova ishte një rast më i qartë e më i thjeshtë dhe prandaj dhimbja ishte shumëfish më e madhe se në Serbi. Kosova është prej shteteve më pro-amerikane në botë, që ka bërë hapa domethënës përpara drejt demokratizimit, dhe që ka kultivuar me zell dëgjueshmëri të plotë ndaj SHBA-së. Kosova është vetëm shteti i tretë në botë, pas Amerikës dhe Guatemalës, që me udhëzimin e të parës ka hapur ambasadë në Jerusalem duke e njohur këtë qytet historik e të kontestuar për kryeqytet të Izraelit. 

Mosftesa çoi shumë pluhur në Kosovë, ku u bë një kukamë e madhe dhe ku i madh e i vogël u hamendën për arsyet. Disa i lanë fajin kryeministrit Albin Kurti, e nga zyra e kryeministrit fajësuan ish-kryeministrin Avdullah Hotin. 

Por, pas disa ditësh megjithatë ftesa erdhi [e i shkoi edhe Serbisë] edhe pse hidhtësia do të mbetej. 

Pse Kosova dhe Serbia nuk ishin futur në këtë listë me fillim? “Jo të gjithë partnerët mund të përfshiheshin në këtë iniciativë” – thanë njëzëri ambasadat amerikane në Beograd dhe Prishtinë. Kjo është përgjigje ku nuk thuhet asgjë. 

Mosftesa edhe për Kosovën edhe për Serbinë do të na thoshte potencialisht që zvarritja e procesit të dialogut shihet nga Amerika si cenim i demokracisë në të dyja vendet. Por, ftesa e ardhur për të dyja shtetet bashkë me vonesë, na tregon se në fakt zvarritja e dialogut është thjesht cenimi i interesave strategjike të saj. 

A është demokratike të bësh pazar që të shihesh si shtet demokratik? Unë nuk besoj. Ajo çka besoj se mund të mësojmë nga ky episod i hidhët, është se SHBA-ja nuk beson aq shumë në potencialin demokratik të Kosovës, ashtu siç nuk kishte besuar kur i kishte zgjedhur presidenten më 2011 me anë të një zarfi apo edhe siç nuk kishte besuar kur kishte bërë presion për formimin e koalicionit PDK-LDK më 2014. Kosova, ashtu si çdo shtet tjetër i vogël, është dhe ishte e vetme në procese të ndjeshme si demokratizimi i saj i brendshëm. Është koha që Kosova të mos e shoh veten bazuar në shikimin e tjetrit (raportet e ndryshme të shteteve apo institucioneve ndërkombëtare], por të ndërtojë një pasqyrë të veten krahasuese.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE