Së bashku, ani pse pa shtrënguar duart

Kjo situatë, deshi apo nuk deshi ta pranojë dikush, kalohet vetëm në një mënyrë: duke bashkëpunuar. Ky ishte konkludimi i ekspertëve evropianë e botërorë të cilët po gatiteshin për t’u përballur me COVID 19. Këtu përjashtim nuk mund të bëjnë as shoqëritë si e jona, që dihet se akoma ndodhen në fazën e rehabilitimit të marrëdhënieve në mes komuniteteve.

0
106

Të gjithë shqiptarët dhe serbët e Mitrovicës, e mbase edhe shumica e shtetasve anembanë Kosovës, nuk i kanë paramenduar dy gjëra: 1. Izolimin nëpër shtëpi, dhe 2. Bashkëpunimin e solidaritetin në urën e Ibrit.

Pra, arritja e Coronavirusit në Kosovë alarmoi të gjithë deri në atë pikë sa askush nuk fliste për diçka tjetër. Mbyllje në shtëpi, lëvizje e kufizuar e sidomos pastërti dhe kujdes shëndetësor.

Populli që i donte shumë kafenetë dhe të shkuarit mysafir befas erdhi në atë pikë sa të mos mund të shkojë nëpër kafene dhe t’u ndalojë të afërmve që t’u shkojnë si mysafirë.

Eh, kush do ta mendonte!

Kjo situatë, deshi apo nuk deshi ta pranojë dikush, kalohet vetëm në një mënyrë: duke bashkëpunuar. Ky ishte konkludimi i ekspertëve evropianë e botërorë të cilët po gatiteshin për t’u përballur me COVID 19. Këtu përjashtim nuk mund të bëjnë as shoqëritë si e jona, që dihet se akoma ndodhen në fazën e rehabilitimit të marrëdhënieve në mes komuniteteve.

Bashkëpunimi në mes të shqiptarëve dhe serbëve ishte i domosdoshëm, por dorën në zemër, duke pasur parasysh sa sipërfaqësore e kanë pasur më herët qasjen karshi bashkëpunimit, është pritur diçka e zbehtë edhe në këtë moment. Këtë radhë u befasuam.

Bashkëpunimi nisi me takimin e shefave të dy ministrive, Dalibor Jevtić, i Ministrisë për komunitetet dhe kthimin, dhe Xhelal Sveçla, ushtrues i detyrës së ministrit të Brendshëm. Ata bënë mirë kur thanë se në këtë betejë janë së bashku të gjithë. Ama, bënë shumë mirë kur u dakorduan që nga Serbia do të vijnë një grup mjekësh. Dikush, e di, do të jetë skeptik për këtë çështje, mirëpo e rëndësishme në këtë fazë është që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen nga mjekët të cilëve u besojnë.

Një shkëndijë bashkëpunimi, ndonëse pak më sipërfaqësore, është dërgimi i dokumenteve dhe të dhënave nga shteti serb për pacientë që jetojnë në veri të vendit por që analizat i kanë kryer në Nish a Beograd. Kjo nuk është mirë në tërësinë e saj, e vërtetë, por ka mundur të jetë edhe më keq. Si psh, të mos jepet informacion për shtetin e Kosovës se ku i ka këta të infektuar, dhe dëmi do të ishte goxha më i madh.

Për befasinë e të gjithëve, pika më e madhe e bashkëpunimit u arrit në urën e Ibrit, lokacion ky që zakonisht ka qenë simbol i ndarjes, e shpeshherë i dhunës. Kryetarët e dy komunave, Agim Bahtiri dhe Goran Rakić, me organizimin e KFOR-it, dolën në një natë fillimprilli dhe konfirmuan bashkëpunimin, ani pse ai tani bëhet pa shtrënguar duart.

Eh, kush do ta mendonte!

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE