Serb në reprezentacionin e Kosovës!

Nëse Ilija ka marrë një vendim të tillë dhe konsideron që kjo është për të rruga për sendërtimin e ëndrrës së tij, gjithsesi duhet përkrahur. Të gjithë ne kemi ndonjë ëndërr dhe presim rastin të na jepet për ta arritur atë. Ai konsideron që të luash futboll për reprezentacionin e Kosovës është rasti i tij për të arritur ëndrrën e tij. Ky është një veprim tejet i guximshëm dhe gjithsesi që duhet përkrahur. Një fjalë e urtë thotë "Në kokën plot frikë nuk ka vend për ëndrra".

0
223

Për shtatëmbëdhjetëvjeçarin Ilija Iviç, të lindur në komunën e Graçanicës, opinioni i gjerë për herë të parë dëgjoi jo sepse ai është një nga futbollistët e rinj më të talentuar nga territori i Kosovës, por për shkak se është ftuar në reprezentacionin e Kosovës në futboll. Këtu fillon agonia, të paktën për të dhe familjen e tij.

Po të mos e kishin dramatizuar mediat këtë ngjarje, sipas të gjitha gjasave nuk do të ngrihej aq pluhur rreth pjesëmarrjes së tij në reprezentacionin e Kosovës. Mirëpo, këtu është Ballkan, prandaj mund të pritet ngritja e tensioneve edhe për gjëra banale. Kështu, edhe kjo situatë shkaktoi pakënaqësi tek komuniteti serb dhe mbështetje për guximin nga ana e komunitetit shqiptar. Emri i Ilija-s po përfshihet në kontekste të ndryshme nëpër media. Se rasti ka arritur edhe tek shoqëria e lartë flet fakti që ambasada amerikane në Prishtinë përmes twitter-it të saj e ka uruar Ilija-n për vendimin që ka marrë. 

Adoleshenti që dëshiron t’i sendërtojë ëndrrat e veta përmes reprezentacionit të Kosovës dhe duke luajtur për ekipin futbollistik kosovar assesi nuk do të duhej të ngarkohej as nga mediat serbe as nga ato kosovare. Në këtë mënyrë mund ta frenojë talentin e vet, kurse sakrifica të cilën momentalisht po e bën për të ardhme më të mirë mund të jetë e kotë. Ardhja deri te ajo e ardhme më e mirë do të jetë gjithsesi e vështirë, sepse për shkak të këtij vendimi, e ëma e tij mbeti pa punë. Të theksoj, ajo punonte në një institucion serb në Kosovë.

Sa është ky vendim i drejtë, kjo është çështje diskutabile, porse kjo nuk do të guxonte në asnjë mënyrë të pengonte qëllimin e tij. Nëse Ilija ka marrë një vendim të tillë dhe konsideron që kjo është për të rruga për sendërtimin e ëndrrës së tij, gjithsesi duhet përkrahur. Të gjithë ne kemi ndonjë ëndërr dhe presim rastin të na jepet për ta arritur atë. Ai konsideron që të luash futboll për reprezentacionin e Kosovës është rasti i tij për të arritur ëndrrën e tij. Ky është një veprim tejet i guximshëm dhe gjithsesi që duhet përkrahur. Një fjalë e urtë thotë „Në kokën plot frikë nuk ka vend për ëndrra“.

Sa i përket kundërshtimeve, komuniteti serb ka reaguar në këtë mënyrë edhe kur serbët e parë kanë hyrë në parlamentin e Kosovës, edhe kur serbi i parë është bërë ministër në Kosovë. Më vonë tërë këtë e ka miratuar Beogradi zyrtar, kështu që tani është diçka krejtësisht normale të shohim serbë në Qeverinë e Kosovës. Kundërshtimet gjithmonë kanë qenë prezente kur është marrë ndonjë vendim i guximshëm nga ndonjë individ, por meqenëse ne populli serb jemi të prirur të harrojmë, konsideroj që edhe kjo fushatë kundër futbollistit të ri së shpejti do të shkojë në harrim. Do të mbetet viti 2020 kur serbi i parë luajti për reprezentacionin e Kosovës, viti të cilin rrallëkush do ta kujtojë. 

A është Ilija Ivić fajtor që rrethanat e kanë shtyer që të mbijetojë në këtë mënyrë? A ka faj pse ka lindur në Kosovë, a ekziston faji pse jetën e tij po e ndan me shqiptarët? Po, Ilija është fajtor aq sa janë fajtorë edhe të gjithë serbët nga Kosova që janë pjesë e institucioneve të Kosovës, që janë të ingranuar në buxhetin e Prishtinës, është fajtor sepse e ka zgjedhur rrugën e cila i është dhënë.  Është fajtor, sepse ka qëndruar në Kosovë. Është fajtor, sepse po e kërkon fatin e tij në këtë mënyrë.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE