Serbia ka Tesllën, ne kemi pleqtë e odave

Politika serbe është po aq inovative sa Nikolla Teslla në shkencë. Ndërsa politika kosovare është po aq shterpe sa idiotësitë e pleqve të odave primitive - të cilat, presidenti ynë ende i frekuenton.

0
153

Kur Donald Tusk, presidenti i Këshillit Evropian e vizitoi Aleksandër Vučić-in në Beograd, e përshkroi politikën serbe si “po aq inovative, sa Nikolla Teslla në shkencë”. E Nikolla Teslla ishte ndoshta, mendja më inovative e dy shekujve të fundit. Pra, po flasim për një shkallë të madhe inovacioni, që të lë pa fjalë. Por, pse u tha një gjë e tillë?

Para disa ditësh u raportua në Tanjug që Serbia e vetme i merrte më shumë se gjysmën e investimeve të huaja direkte se sa katër vendet tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku. Por, ndoshta përshkrimi i Tusk-ut ka në mendje një tjetër zhvillim: dialogun e Serbisë me Kosovën.

Tashmë, presidenti i vendit, po e prezanton një ide shumë të rrezikshme për shtetin. Po bën ashiqare shkelje të kushtetutës. Praktikisht, po e çnjeh vendin e tij duke kërkuar njohje nga Serbia. Kjo ide është kundërshtuar nga shumica e ekspertëve dhe politikanëve që e kanë mbështetur pavarësinë e vendit.

Ku hyn deklarata e Tusk-ut në këtë mes. Epo, Thaçi përmendet në raportin e Dick Martyt mbi të cilin është ngritur tashmë Gjykata Speciale. Presidenti pritet të jetë në mesin e të akuzuarëve për krime lufte. Natyrshëm, është në natyrën njerëzore që interesin vetjak ta prioritetizojë ndaj atij publik – dhe një gjë të tillë po e bën edhe Thaçi. Ai fillimisht u përpoq ta zhbënte Specialen në Kuvendin e Kosovës – përmes deputetëve të ish partisë së tij, dhe të tjerëve që e kishin kundërshtuar që në fillim. Pra, është krejt legjitime të mendohet se Thaçi si president, përmes një taktike shumë të mençur serbe – që e inicuan apo thjesht shfrytëzuan raportin e Martyt dhe Gjykatën Speciale – është kapur.

Kjo të ndërmend lojën e shahut. Nëse merret mbretëresha, loja humbet. Dhe, Kosova e ka humbur ‘mbretëreshën’. Thaçi po e përdorë dialogun me Serbinë, finalen e këtij dialogu, për t’i ikur kësaj Gjykate – siç thonë edhe shumë komentues të tjerë vendorë. Veprimet e tij janë aq absurde e qesharake, veçanërisht konferencat gati të përditshme për medie, sa të ndjellin trishtim. Ai mbeti vetëm në skenën politike vendore. Praktikisht, e gëzon mbështetjen për idenë e korrigjimit të kufijve veç nga partia e tij. I ka humbur të gjithë aleatët politikë dhe nuk ka të ardhme brenda politikës vendore – siç ka deklaruar po vetë [veç nëse do të garonte sërish për president].

Disa mendojnë se duhet parë idenë dhe jo mbështetësin ose autorin e saj. Por, nuk mund të shpërfillet konteksti – posaqërisht Gjykata Speciale në rastin e presidentit. Poashtu, nuk mund të shpërfillet historia e idesë së ‘korrigjimit të kufijve’ mes Kosovës dhe Serbisë, e cila rrjedhë nga disa akademikë serbë, që nga fundi i viteve 80’ e deri në fundin e viteve 90’. Madje, kjo ide është promovuar kohë pas kohe edhe gjatë dekadës së fundit, vetëm nga politikanët serbë. Këtu po më kujtohet Ivica Dačić, ose siç i referohen në Serbi “Slloba i vogël”.

Kosova ishte në një pozicion shumë të favorshëm ndërkombëtar, e gëzonte mbështetjen e Gjermanisë dhe të vendeve tjera të fuqishme evropiane, dhe atë të ShBA-ve. Sot, presidenti Thaçi ngre paralele mes Kosovës dhe Palestinës. Po, pavarësisht të gjitha avantazheve që kishim, luksi i tepruar në të cilin u zhytën ish fukarenjtë e të diskriminuarit kosovarë, bëri që të humbej gjithçka.

Siç e tha Borko Stefanović, politikani opozitar serb, Kosovës nuk i vyen domosdo njohja nga Serbia, ajo ka probleme me punësimin dhe ekonominë që stagnon. Presidenti ynë tashmë e ka mbjellur idenë se Kosovës i duhet domosdo një njohje e tillë. E cila, siç thuhet edhe nga presidenti Vučić, nuk do të ndodhë kurrë.

Po, tashmë loja është humbur. Dhe ç’është më e keqja, është humbur në të vetmin rast ku na u lejua të vendosnim për veten. Ndërkohë, shihni çka ndodh: një lëvizje politike që e kundërshtonte ashpër Pakon e Ahtisaarit, Pavarësinë e Kosovës ashtu siç u përvijua nga ajo pako, tashmë po proteston në mbrojtje të saj. Mungon vetëm që Thaçi të thotë “Po e çshpallim pavarësinë” dhe që lëvizja në fjalë të thotë “Duam Zajednicën”. Në fund të fundit, të dy palët kërkuan “Bashkim me Shqipërinë” – dhe flasim pak ose aspak mbi pabarazinë në rritje dhe padrejtësitë e tmerrshme me të cilat përballen kosovarët e rëndomtë.

Politika serbe është po aq inovative sa Nikolla Teslla në shkencë. Ndërsa politika kosovare është po aq shterpe sa idiotësitë e pleqve të odave primitive – të cilat, presidenti ynë ende i frekuenton. 

comments

SHARE