Shënimi i muajit

0
500

Krahasuar me muajt e kaluar të këtij viti, mund të vlerësohet se tetori ishte i suksesshëm sa i përket Dialogut dhe procesit të normalizimit. Një marrëveshje që është dashur të jetë ‘plotësisht efektive’ më 10 janar 2017 u bë realitet, dhjetë muaj më vonë! Prokurorët e sapodekretuar serbë të Kosovës dhe kolegët e tyre shqiptarë, përfshirë personelin administrativ, filluan punën më 30 tetor, në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicë të Veriut.  Gjykata themelore në Mitrovice nuk ka filluar punën. Ndonëse presidentët Thaçi dhe Vučić kishin konfirmuar se marrëveshja “do të implementohet në tërësi” (përsëri!) më 17 tetor, kur erdhi dita, gjyqtarët dhe prokurorët serbë nuk u paraqitën në zyrën e presidentit të Kosovës për të dhënë betimin. Cila mund të jetë arsyeja përse kjo nuk ndodhi atë ditë, pyet blogerja e New Perspektivës, Nevena Radosavljević, dhe ofron një përgjigje. Sidoqoftë, një javë më vonë, më 24 tetor, 40 gjyqtarë dhe 13 prokurorë u dekretuan në zyrën e presidentit Thaçi në Prishtinë në kuadër të procesit të integrimit të gjyqësisë. Po atë ditë, personeli administrativ i zyrës së Prokurorit nënshkruan kontratat e tyre (të punës). Derisa kjo u përshëndet nga BE-ja, e cila tha se “gjyqësia e integruar do të mundësojë implementimin e njëtrajtshëm të ligjeve të Kosovës në të gjitha Gjykatat Themelore dhe nga të gjitha Zyrat e Prokurorëve të Kosovës”, opozitat në Kosovë dhe në Serbi nisën spekulimet nëse gjyqtarët dhe prokurorët serbë kanë dhënë betim apo kanë bërë një deklaratë neutrale ndaj statusit. Kur në rrjetet sociale filloi të përhapej, siç thuhej, teksti i betimit: “Solemnisht betohem se gjatë kryerjes së detyrës së gjyqtarit të Republikës së Kosovës do t’i qëndroj besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe se do të kryej funksionin e gjyqtarit me nder, përgjegjësi dhe paanshëm duke respektuar rregullat e etikës profesionale”, kryeministrja serbe Ana Brnabić ‘cicëroi’ në Twitter: “… gjyqtarët tanë nuk kanë dhënë kurrfarë betimi, por kanë bërë deklaratë të posaçme, neutrale sa i përket statusit. E vërteta është me rëndësi.” Në njoftimin e presidencës rreth dekretimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë ndërkaq thuhet se “me aktin e betimit bëhet edhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më 10 shkurt 2015.”

Gjatë tetorit u bënë hapa të rinj edhe në dialogun e brendshëm në Serbi, të paralajmëruar para 4 muajve nga presidenti Vučić. Me themelimin e Grupit të Punës, i cili sipas kryeministres Brnabić, do t’i ofrojë mbështetje logjistike kësaj nisme, u tha se fillonte faza e dytë e këtij procesi. Kjo nuk kaloi pa pyetje të analistëve politikë rreth asaj se cila ishte faza e parë, cilat ishin rezultatet? Grupin e kryeson Marko Đurić, në punën e tij do të jenë të përfshira të gjitha ministritë e qeverisë së Serbisë, ndërsa mbledhja e parë thanë se do të mbahej pas zgjedhjeve lokale në Kosovë. Në takimin nismëtar, me 30 tetor, u theksua se “dialogu duhet të nënkuptojë qasje të përgjegjshme, reale dhe racionale temës së Kosovës, që do t’i mundësonte Serbisë të qëndrojë në rrugën e zhvillimit, e të mënjanojë mundësinë e konflikteve të reja.” Në ditën e fundit të tetorit u mbajt edhe tryeza e parë e rrumbullakët e këtij grupi, me pjesëmarrjen e bashkësisë akademike, gjegjësisht juristëve. Vetë presidenti Vučić ka thënë se “është reale që me propozim për Kosovën të dalim në mars të vitit të ardhshëm.”

Një tjetër marrëveshje, implementimi i plotë i së cilë qe paralajmëruar po ashtu për janar të këtij viti, ka qenë ajo e revitalizimit të urës kryesore mbi Ibër, në Mitrovicë. Kjo nuk ka ndodhur ende por një projekt i Qendrës për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve – Qendra për Ndërmjetësim në Mitrovicë doli me rezultate sipas të cilave vetëm 12% e të rinjve serb të Kosovës duan që ura e lartëpërmendur të jetë e hapur për trafik dhe këmbësorë ndërsa në mesin e të rinjve shqiptarë kjo shifër shkon gati në 65%. Të anketuarit për këtë projekt citohen se kanë thënë që përjashtimi i qytetarëve të Mitrovicës nga proceset vendimmarrëse në kuadër të dialogut të Brukselit  ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në zbatimin praktik të marrëveshjes për rivitalizimin e urës së lumit Ibër ashtu si edhe në zbatimin e marrëveshjeve të tjera.

SHARE