Shënimi i muajit

0
482

Në fillim të majit pati njoftime se BE do t’i ftojë së shpejti kryenegociatorët e Prishtinës dhe Beogradit për një takim në Bruksel bashkë me Ekipin Menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe (AKS), i cili u riaktivizua një muaj më parë.  Kah fundi i muajit, presidenti Hashim Thaçi i tha televizionit serb N1 se ai besonte që takime të reja në Bruksel do të zhvillohen në gjysmën e dytë të qershorit. Sidoqoftë, presidenti Thaçi u takua me homologun e tij serb, Aleksandar Vučić, në margjinat e Samitit të Sofjes ku ishte e pranishme edhe lehtësuesja e BE-së Federica Mogherini. U tha se takimi ishte zhvilluar në kontekst të lehtësimit të Dialogut midis Beogardit e Prishtinës, se dy liderët kishin konfirmuar gatishmërinë për të vazhduar punën intensive për arritjen e një normalizimi të përgjithshëm të marrëdhënieve, dhe se ishte me rëndësi që të shënohej progres definitiv në periudhën në vazhdim (në mënyrë që edhe Serbia edhe Kosova të mund të përparojnë në aspiratat e tyre evropiane). Vetëm disa ditë më herët, kryenegociatori kosovar, Avni Arifi, tha se  Dialogu me Serbinë është në vdekje klinike, duke pasur parasysh se nuk ishin zhvilluar takime që nga muaji mars. Ndërsa zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijančič, as edhe në fund të muajit nuk mund të paralajmëronte një datë për takimin e ardhshëm.

Derisa palët prisnin caktimin e bisedimeve të radhës në Bruksel, Ekipi Menaxhues për hartimin e statutit të AKS-së u duk sikur po punonte zellshëm, të paktën sipas njoftimeve në media. Ata zhvilluan disa takime me përfaqësuesë të fushave të ndryshme si ekspertë juridik, përfaqësuesë të institucioneve shëndetësore, drejtorë të subjekteve ekonomike të veriut, zyrtarë të OSBE-së dhe përfaqësuesë (?) të pushtetit qendror. Ministri në dorëheqje i Ministrisë së Administrimit Lokal, Ivan Todosijević, tha se puna në statutin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) po ecën pa probleme, dhe se, sa i përket Ekipit të ngarkuar me këtë detyrë, statuti mund të jetë i gatshëm brenda afatit katër mujor të planifikuar, pra deri në gusht. Vetë koordinatorja e këtij ekipi, Vinka Radosavljević tha se deri tani janë marrë kryesisht me strukturën e statutit, vlerat dhe parimet që duhet t’i përmbajë ai, ne pajtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe me Kartën evropiane për vetëqeverisjen lokale. Ajo tha se tashmë “vërehen konturat e dokumentit” dhe presin që punën ta kryejnë brenda afatit të paraparë. Përfaqësuesit politikë serb ngulin këmbë që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive ndërsa zyrtarët e Kosovës janë kundër kësaj. Beogradi kërkon që Kosova të ndërrojë kushtetutën derisa Prishtina ngul këmbë se Asociacioni do të themelohet vetëm në pajtim me Kushtetutën. Palët kanë qëndrime të ndryshme edhe në lidhje me kohën se kur do të zbatohet në realitet.

Sa i përket implementimit të marrëveshjeve të tjera, të arritura deri më tani, punimet te Ura kryesore e Ibrit kanë vazhduar gjatë majit por megjithatë hapja e saj ende mbetet pezull. Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se nuk mund të saktësonte një datë se kur do të përfundonin punimet në këtë projekt të mbështetur nga Brukseli dhe se kjo varej nga çështje teknike po edhe nga kushtet meteorologjike, por dy kryetarët e qytetit të ndarë, Agim Bahtiri i Mitrovicës së Jugut dhe Goran Rakić i asaj të Veriut dhanë arsye të tjera. Bahtiri tha se nuk kishte problem tjetër rreth hapjes së urës përveç se “BE dëshiron të hapë urën me ceremoni, ndërsa Rakić dëshiron ta bëjë këtë në mënyrë normale,” ndërsa vetë Rakić tha se hapja nuk ishte në rend dite, jo vetëm për arsye teknike por edhe për shkak të kushteve të sigurisë.

Ndërkohë rrethana krejtësisht të tjera kanë penguar zbatimin e plotë të marrëveshjes për telekomunikacionin dhe kodin ndërkombëtar të Kosovës +383. ARKEP (Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) vendosi për të shtyrë fillimin e zbatimit të plotë të paraparë për datën 30 qershor. Arsyeja për këtë, sipas kryetarit të Bordit të ARKEPI-it, Kreshnik Gashi, është se “Telekomi i Kosovës nuk ka pasur mundësi, sipas tyre, të realizojë zbatimin, për shkak të mungesës financiare që ka. Operatori Ipko e ka përfunduar një pjesë të madhe të zbatimit, por ka kërkuar më tepër kohë për heqje të plotë të kodit +386 nga funksioni.” Sipas ARKEP-it, implementimin i kodit duhet të përfundojë në tërësi “më së voni deri më datë 31 tetor 2018”.

SHARE