Shënimi i muajit

0
349

Pas tre muajsh, në Bruksel u takuan përsëri presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vučić, në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE, për të zhvilluar “diskutim intensiv dhe produktiv mbi kornizën e një marrëveshjeje për normalizimin e gjithmbarshëm të marrëdhënieve midis dy palëve.” Sipas kumtesës së Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS), ata po ashtu “ranë dakord për intensifikimin e punës në javët e ardhshme”. Vetë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, e përshkroi takimin si “shumë të mirë (video, min 05.49)” ndërsa për dialogun tha se po ecën “vështirë por në mënyrë inkurajuese”. Presidenti Thaçi e quajti takimin të vështirë, por me tone pozitive e me shikim drejt të ardhmes, dhe konfirmoi se kishin rënë dakord që procesi të intensifikohet javët e ardhshme. “Shpresoj edhe sot që është momentumi dhe lidershipi i duhur për arritjen e kësaj marrëveshje përndryshe nëse e humbim këtë momentum do të paguajmë çmim të dy vendet, çmim shumë të lartë,” tha presidenti Thaçi. Derisa Thaçi tha se nuk kishin diskutuar për çështje konkrete, presidenti Vučić tha se ishin hapur shumë çështje, për të cilat nuk ishte shumë optimist dhe nuk deshi të flasë në hollësi. Sa i përket pajtimit për intensifikimin e dialogut, Vučić shtoi se në Beograd do të vijnë përfaqësuesë të Evropës, “edhe kur publiku i sheh edhe kur nuk i sheh, ashtu siç do të shkojnë në Bruksel më shpesh edhe delegacionet tona.”

Këtij takimi të nivelit të lartë, sipas RTS (Radio Televizionit të Serbisë), i prinë bisedime dy ditore (më 22 dhe 23 qershor) te delegacioneve të Beogradit e Prishtinës, të cilat udhëhiqen nga Marko Djuric e Avni Arifi, në kuadër të dialogut teknik. Por vetëm një ditë më parë, Zëri i Amerikës, i cili kishte biseduar me zotin Arifi, njoftoi se “kësaj radhe nuk do të ketë takim ndërmjet ekipeve teknike që zakonisht hapin rrugën për bisedime politike”. Arifi citohet të ketë thënë se “takimet e tilla nuk kanë kuptim pa zbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë, posaçërisht të asaj për energjinë”. Sidoqoftë, Arifi njoftoi se ekspertët e delegacionit të Kosovës kanë marrë ftesë për të shkuar në Bruksel me 18 qershor për të paraqitur para vendeve anëtare të arriturat e institucioneve të Kosoves në implementimin e marrëveshjeve. Në njoftimin e kryeministrisë pas këtij takimi u tha se delegacioni i Kosovës kishte ngritur “çështjen e moszbatimit të marrëveshjes së energjisë, menaxhimit të integruar të kufijve, pengesat në hapjen e urës së Mitrovicës, mosnjohjen e diplomave nga ana e Republikës së Serbisë dhe pengesave serioze në lirinë e lëvizjes”. Po ashtu, sipas njoftimit, delegacioni e kishte  bërë edhe një herë të qartë se “Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë në asnjë mënyrë nivel i tretë i pushtetit, por do të jetë Asociacion brenda përbrenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”. Në fillim të muajit, Arifi tha se delegacioni i tij kishte refuzuar një ftesë për takim me datën 7 qershor, me arsyetimin se duhet të bisedojnë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve e jo vetëm të asaj për Asociacionin. Para kësaj, kryeministri Haradinaj kishte thënë se “dialogu teknik është ndërprerë, pasi Kosova si pikë të parë e kërkon zbatimin e marrëveshjes për energji, ndërsa, Serbia dhe evropianët, pikë të parë e kanë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Ndërkohë, Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, i cili edhe gjatë qershorit vazhdoi takimet me përfaqësuesë të fushave të ndryshme (të arsimit, të shërbimeve kadastrore të komunave me shumicë serbe dhe me ministrin – në dorëheqje – për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtic), i dorëzoi qeverisë së Kosovës një raport për punën e deritashme. Nga kryeministria thonë se “janë duke e shqyrtuar raportin dhe pasi ta analizojnë atë, do t’i japin vlerësimet e duhura”.

SHARE