Shënimi i muajit

0
195

Përpjekjet për ta çuar përpara dialogun midis Kosovës dhe Serbisë vazhduan edhe gjatë shtatorit, me vizita të planifikuara por edhe të paparalajmëruara në rajon. 

Në javën e dytë të muajit, përfaqësuesi special i BE-së për dialog, Miroslav Lajčak, vizitoi Prishtinën dhe Beogradin, i shoqëruar nga këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të kancelarit gjerman dhe presidentit francez, të ngarkuar së fundi për t’i ofruar atij mbështetje të drejtpërdrejtë. Bashkë me Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, Lajčak tha se kishte zhvilluar “diskutime të thella” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić, “për të hulumtuar opsionet për progres në Dialog”.

Siç njoftoi zyra e kryeministrit Kurti, në takimin në Prishtinë “u theksua se Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë”. Sipas njoftimit, kryeministri Kurti ka ritheksuar se “qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.”

Presidenti Vučić tha se ishte “gjithmonë i gatshëm për zgjidhje kompromisi” por se nuk do të ketë kurrfarë njohje të Kosovës.

Kancelari Scholz dhe presidenti Macron, në letrat e tyre të përbashkëta dërguar Kurtit dhe Vučićit, thanë se “për Ballkanin perëndimor, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka rëndësi kyçe”. Ata u bënë thirrje të dy liderëve që “të tregojnë vendosmëri maksimale dhe gatishmëri për të marrë vendime të vështira që çojnë drejt progresit në dialogun e udhëhequr nga BE”.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, Lajčak, Plötner dhe Bonne, në bisedimet e zhvilluara në Prishtinë dhe Beograd “kanë transmetuar porosinë e qartë që tani në mënyrën më të vendosur dhe shpejt duhet nisur zgjidhjen e çështjeve të vështira politike me qëllim të normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, ashtu që të mos ketë ashpërsime në terren“.

Pa u bërë java, Lajçak përsëri qëndroi në Prishtinë, tani në një vizitë të paparalajmëruar, me ç’rast përsëri takoi kryeministrin Kurti si dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi. Pas takimit të tyre u tha se “u bisedua për vazhdimin e procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet e takimeve të radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve” midis Kosovës dhe Serbisë.

Vetë Lajčak tha se në Prishtinë kishte vazhduar bisedimet e javës së kaluar me Kurtin duke shtuar se kishte “shfrytëzuar rastin për të diskutuar çështjet aktuale me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimin, në veçanti lirinë e lëvizjes dhe energjinë.

Riregjistrimi i automjeteve me targa RKS, i nisur më 1 shtator, ka vazhduar gjatë muajit ndonëse zyrtar të Ministrisë së punëve të Brendshme njoftojnë se “deri më tani 9 mjete janë regjistruar nga targat KM, GL, PZ, PR në targa RKS”. Ministri Xhelal Sveçla iu drejtua qytetarëve me njoftimin se pas 31 tetorit, “automjetet me targa të jashtligjshme nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, e as në vendkalimet kufitare”. 

Për targat ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare mes palëve edhe pse bisedimet janë intensifikuar që në tetor të vitit të kaluar. Shefi i BE-së për politikë të Jashtme, Josep Borrell, e ka vlerësuar çështjen e targave si më të vështirë se atë të dokumenteve të udhëtimit, për çka u arrit marrëveshje në gusht, por ka thënë se është optimist për zgjidhjen e kësaj çështjeje.