Shënimi i muajit

0
1066

Është ky shënimi i dytë mujor për këtë vit dhe mbase ia vlen të vendosim njëfarë rendi. Të fillojmë me gjërat që është pritur të ndodhin…

Për datën 10 janar ka qenë paraparë që integrimi në gjyqësi të jetë plotësisht efektiv. Kjo u shty për arsye… të ndryshme! Sipas një njoftimi, Brukseli dhe Prishtina kishin kërkuar afat të ri meqë problem përbënin hollësitë teknike, por sipas Ministres së dialogut, Edita Tahiri, shkaktar i kësaj vonese ishin “zhvillimet negative të kohëve të fundit të nxitura nga Serbia në Kosovë”. Kështu u tha në kumtesën për media të lëshuar më 20 janar, në ditën që me muaj të tërë është menduar se do të ndodhë… do të mund të ndodhë… ka të ngjarë të ndodhë… nuk do të ndodhë hapja për qarkullim të plotë e urës mbi Ibër si edhe rrugës për këmbësorë Mbreti Petri. Nuk u bë as hapja e zyrave të qeverisë në Leposaviq e Zubin Potok që ishte paralajmëruar pas ‘inaugurimit të zyrave në Mitrovicë’ në ditët e fundit të vitit të kaluar.

Nëse në dhjetor ishte muri ai që tërhoqi gjithë vëmendjen dhe energjinë, në janar tensionet filluan të ngriten me arrestimin në Francë të ish-udhëheqësit të UÇK-së, ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, në bazë të një fletarresti të vjetër të lëshuar nga Serbia, e më pas një tjetër çështje bëri që të flitet edhe për gatishmëri për të luftuar. Më 8 janar, drejtori i i Zyrës për Kosovë të Qeverisë së Serbisë, Marko Đurić njoftoi se në Vitin e Ri serb (14/01) nis qarkullimin treni më i ri nga Rusia në linjën Beograd-Mitrovicë. Disa ditë më vonë Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave të Kosovës shprehu shqetësimin për këtë paralajmërim dhe tha se Ligji ndalon  “operimin e një ndërmarrje hekurudhore, brenda Kosovës, pa qenë paraprakisht e licencuar dhe e pajisur me Certifikatë të Sigurisë”, ndërsa znj. Tahiri iu drejtua BE-së që ta ndalte trenin. Në ditën e udhëtimit promovues, Đurić tha se ‘ekspozita lëvizëse’, siç e quajti trenin, ishte vazhdim i linjës nga Kraljeva deri në Mitrovicë që ekziston tashmë 10 vjet, dhe se priste që atë ta shfrytëzonin kryesisht studentët e Univerzitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut. Kjo ‘ekspozitë lëvizëse’ me mbishkrime në më shumë se 20 gjuhë (edhe shqip) që thonë se “Kosova është Serbi” nga autoritetet kosovare u konsiderua provokim, prandaj dërguan njësinë speciale ROSU për të mos i lejuar hyrjen në Kosovë. Kryeministri Isa Mustafa akuzoi Serbinë për krijimin e “një situate tërësisht të panevojshme” , ndërkaq presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se ‘treni propagandistik’ ishte pjesë e skenarit të Serbisë për provokime të vazhdueshme që kanë për qëllim të prodhojnë tensione në Kosovë dhe në rajon. Paraqitjen e njësisë ROSU në Jarinje, presidenti serb Tomislav Nikolić e interpretoi si shenj se “shqiptarët duan luftë’ ndërsa kryeministri Aleksandar Vučić, tha se Serbia me vendimin e saj për ta ndalur trenin në Rashkë, dhjetë kilometra larg kufirit me Kosovën,  e “ruajti paqen në veri të Kosovës”. Në të njëjtën intervistë, shefi i Đurić-it tregoi ‘privatisht’ (!) se nuk kishte pasur informacion se si dukej treni. ‘Një provokim i paketuar në mënyrë të tmerrshme’ që është larg ofrimit të një shërbimi dhe ndihmese banorëve – kështu e vlerësoi trenin po atë ditë blogerja e New Perspektiva-s nga veriu, Nevena Radosavljević. Tensionet e krijuara shtynë shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, që t’i  ftojë palët në një takim të nivelit të lartë pas më shumë se një viti. Më 24 janar, në zyrat e EEAS-it (Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian) në Bruksel, presidentët Thaçi e Nikolić dhe kryeministrat Mustafa e Vučić diskutuan zhvillimet e ditëve të kaluara dhe ranë dakord që t’i lënë pas tensionet e t’i intensifikojnë diskutimet në një varg takimesh të nivelit të lartë. Megjithatë, zonja Mogherini u detyrua të prononcohej edhe të nesërmen për t’u tërhequr vërejtjen palëve që të ‘komentojnë më pak për njëri-tjetrin e të angazhohen më shumë për zgjidhjen e problemeve’. Në kuadër të intensifikimit të paralajmëruar të dialogut, pa u bërë java u njoftua për takimin tjetër të radhës në Bruksel, më 1 shkurt, në të cilin u tha se do të vazhdohen diskutimet ‘mbi çështjet e mbetura, gjendjen përsa i përket zbatimit të marrëveshjeve të kaluara si dhe rrugën përpara në këtë dialog’. Kumtesa thekson se ‘progresi në rrugën drejt BE-së është i lidhur me progresin në këtë dialog, edhe për Serbinë edhe për Kosovën’. Prelud i këtij njoftimi ishte një bisedë telefonike midis presidentit Thaçi dhe kryeministrit Vučić.

Kështu janari u mbyll me tone më pozitive se sa që filloi. E për shkurt, përveç gjërave që po shtyhen nga janari (dhjetori, nëntori…), për në mes të muajit, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë paralajmëruar se do të nisin vetë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëse Prishtina deri atëherë nuk bën hapa drejt kësaj. Por, të presim më parë se çfarë do të dalë nga ‘samiti’ i 1 shkurtit në Bruksel.

SHARE