Shënimi i muajit

0
45

Nëse gjatë tetorit pati vlerësime se dialogu kishte vdekur, se ishte ngrirë, nëntori shkoi një hap më larg – drejt zhbërjes së disa arritjeve të procesit brenda këtyre shtatë-tetë vjetëve.

Katër kryetarët e komunave veriore me shumicë serbe dhanë dorëheqje dhe thanë se i “ndërpresin të gjitha komunikimet me Prishtinën zyrtare”. Arsye kryesore për këtë hap të tyre, sipas deklaratës që e nënshkruan, ishte vendimi i qeverisë së Kosovës për ngritjen e taksës në 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, “përmes së cilës serbëve të Kosovës u është cënuar e drejta për jetesë, për shërim, informim publik dhe mbijetesë dhe shkaktim të krizës humanitare të përmasave të gjëra”.  Një tjetër arsye që theksohet në deklaratë është “arrestimi i qytetarëve dhe tentimi i vrasjes së nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoičić”.

Kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore dhe kryetar i Listës Serbe (Srpska Lista), Goran Rakić tha se “nga dita e sotme administrata e vetqeverisjes lokale nga sistemi i Prishtinës në Veri më nuk ekziston”. Një prej të dorëhequrve, kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vulović, madje bëri të ditur se për gjysmë dekade thuajse as që kishte pasur kontakte me institucionet e Kosovës, duke shtuar: “gjithnjë kam punuar në shkatërrimin e atyre institucioneve dhe krenohem me këtë.”

A do të thotë kjo se gjendja kthehet aty ku ishte në prill 2013, kur një nga pikat e Marrëveshjes së Brukselit parashihte organizimin e zgjedhjeve komunale në veri në pajtim me ligjet e Kosovës? Konstituimi i komunave Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok e Zveçan, që u përmbyll në qershor 2014, ishte një prej rezultateve të para të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit. Derisa kryeministri, Ramush Haradinaj, tha se dorëheqjet e kryetarëve të komunave të lartëpërmendura nuk janë definitive, sipas disa vlerësimeve ato janë të pakthyeshme dhe, si rrjedhojë, duhet të ketë zgjedhje të parakohshme në veri.

Kryetarët e 6 komunave të tjera me shumicë serbe në jug (Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug, Novobërdë, Kllokot dhe Partesh), thanë se plotësisht mbështesin veprimet e ”miqve dhe bashkëluftëtarëve të tyre politik në veri të Kosovës”,  ndonëse ata vetë nuk do të japin dorëheqje për shkak të rrethanave të ndryshme në të cilat jetojnë!

Partia e Serbëve të Kosovës, me seli në Leposaviq, ka përshëndetur aksionin e policisë së Kosovës, duke theksuar se qëllimi i saj ishte arrestimi i autorëve dhe urdhërdhënësve potencial të vrasjes së Oliver Ivanović-it.

Në shenjë solidariteti me qytetarët që protestonin në katër komunat e veriut, edhe punonjësit e gjykatës në Mitrovicë të Veriut ndërprenë punën dhe kërkuan nga kryetari i gjykatës që “së bashku me autoritetet në Serbi të rishikojnë pjesëmarrjen e mëtejshme në sistemin gjyqësor të Kosovës,” në të cilin u integruan një vit më parë. Punonjësit u kthyen në vendet e tyre të punës të nesërmen.


Këto zhvillime pasuan vendimin e qeverisë së Kosovës për të rritur taksën në 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina si “përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës që kërkojnë të minojnë sovranitetin e Kosovës”. Gjatë muajit, New Perspektiva solli përmbledhje të njoftimeve mbi momentet kyç dhe të komenteve në media mbi këtë zhvillim, si dhe komente të bashkëpunëtorëve tanë: Proces i destabilizimit dhe përhapjes së frikës, Mungesa e vetëdijes dhe frustrimet, Mirë që nuk ka taksë për fjalë e Luftë ekonomike apo të shtëna kuturu. Ngritjes së taksës nga 10%, sa ishte vendosur në fillim të muajit, në 100% i priu mospranimi i Kosovës në Interpol, për çka u fajësua Serbia, e cila, nga ana e saj, i mori meritat për këtë veprim. Një koment mbi pasojat politike dhe praktike të dështimit në Interpol mund ta lexoni po ashtu në New Perspektiva.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini, pas nje bisede telefonike me presidentin e Kosoves, Hashim Thaçi, tha se vendimi i qeverisë së Kosovës “vetëm e komplikon situatën edhe më shumë, nuk ndihmon në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe duhet revokuar.”  Në reagimin e saj të parë, ajo e quajti atë “shkelje të qartë të CEFTA-s dhe të frymës së MSA-së, dhe i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që ta revokojë menjëherë.

Të gjitha këto në muajin që u duk se mund të fillonte mbarë kur u njoftua se Brukseli kishte ftuar në takim që në javën e parë të nëntorit presidentët Thaçi e Vučić, prej të cilëve priste “të konfirmonin gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën për arritjen e një marrëveshjeje të obligueshme ligjore për normalizimin gjithëpërfshirës, që është kyç për rrugën e tyre evropiane”! Megjithatë, krejt çka doli nga ai takim ishte edhe një kumtesë, sipas të cilës Mogherini kishte theksuar nevojën “që Kosova e Serbia të siguronin një mjedis që do të mundësonte Dialogun dhe të përmbaheshin nga fjalët, veprimet dhe masat që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit.” Menjëherë pas takimit, presidenti Vučić tha se nuk do të ketë dialog me Kosovën derisa nuk hiqet taksa prej 10% e vendosur vetëm dy ditë më herët. Nga ana e tij, presidenti Thaçi e cilësoi agresiv e arrogant diskursin e delegacionit të Serbisë dhe të presidentit të saj.

 

comments

SHARE