Shënimi i muajit

0
238

Për një muaj që mbyll vitin – me një javë festive që e bën atë më të shkurtër (sa i përket ditëve të punës) se të gjithë të tjerët – dhjetori ishte tejet i ngjeshur me takime, vendime, e madje edhe letërkëmbime në të cilat Dialogu midis Kosovës e Serbisë ishte në qendër të vëmendjes.

Ekipi i ri negociator i Prishtinës pritet të shkojë në Bruksel më 8 janar për një takim me përfaqësuesit e BE-së që ndërmjetësojnë në procesin e normalizimit. Kështu njoftoi bashkëkryesuesi i delegacionit të sapoformuar, Fatmir Limaj, i NISMA-s, partnere në koalicionin në pushtet, i cili këtë takim e sheh në kuadër të “funksionalizimit (të ekipit), siç e ka marrë mandatin në parlament.”

Më herët qeveria miratoi projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit që do të përfaqësojë vendin në këtë fazë të Dialogut me Serbinë. Kësaj i priu rezoluta e miratuar nga parlamenti, dhe prezantimi i “draftit të parë të Marrëveshjes Gjithpërfshirëse Ligjërisht Obligative” (dokument 30 faqësh, i hartuar nga zyra e kryeministrit). Nga ky këndvështrim, në planin e brendshëm, sa i përket dialogut ka pasur lëvizje gjatë dhjetorit në krahasim me muajt e kaluar. Por dy partitë kryesore të opozitës, LDK dhe LVV, refuzojnë të zënë vendet e ofruara, dhe e konsiderojnë atë delegacion qeveritar e jo ekip uniteti. Në një letër dërguar përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, dhe komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, shefat e grupeve parlamentare të partive të lartëpërmendura, Avdullah Hoti dhe Glauk Konjufca, i njoftojnë ata se këto dy parti të opozitës nuk kanë votuar për atë që ata e quajnë “ekip uniteti” dhe se ai ekip nuk ka “mbështetje të gjërë”. Letra e shefave të grupeve parlamentare të Opozitës ishte përgjigje ndaj një letre të mëhershme të cilën Hahn e Mogherini i kishin dërguar kryeministrit Haradinaj, në të cilën, mes tjerash, përfaqësuesit evropian shprehin mospajtimin e tyre me kryeministrin Haradinaj se dialogu po ngecë. “Përkundrazi, Dialogu që po udhëhiqet nga dy presidentët është duke shënuar progres të qëndrueshëm,” thonë Mogherini e Hahn. 

Një tjetër letër që tërhoqi vëmendjen e opinionit gjatë dhjetorit ishte ajo e presidentit amerikan Donald Trump dërguar presidentëve, Hashim Thaçi e Aleksandar Vučić. Presidenti Trump flet për “rastin unik” për një “marrëveshje historike” sa më parë dhe u bënë thirrje palëve të “përmbahen nga veprime që do ta vështirësonin arritjen e një marrëveshjeje”.

Thirrje për përmbajtje, gjakftohësi dhe shmangie nga deklarata e veprime provokative u drejtoi liderëve të Kosovës dhe Serbisë në fillim të muajit edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Stoltenberg zhvilloi biseda telefonike me kryeministrin Haradinaj dhe presidentin Vučić për të diskutuar shqetësimet rreth planeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, hap të cilin tha se e konsideron se bëhet në kohë të papërshtatshme dhe e quajti faktor komplikues në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës. Miratimi nga Kuvendi i Kosovës i projektligjeve për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës u bë temë shqyrtimi, me kërkesën e Serbisë, edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork.

Në Bruksel ndërkaq gjatë dhjetorit përfaqësuesit e Kosovës (mbledhjen e tretë të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së) edhe ata të Serbisë (mbledhjen e pestë të Këshilli të SA midis Serbisë e BE-së)  zhvilluan takimet e radhës. Ashtu si një vit më parë, konferenca për media e kryeministrit Haradinaj dhe përfaqësueses së Lartë të BE-së, Mogherini, u anulua edhe këtë herë. Por në një njoftim për media pas takimit, BE shprehu keqardhje të thellë lidhur me ngritjen e njëanshme nga qeveria e Kosovës të taksave në vlerë 100% për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina dhe “nguli këmbë në revokimin e menjëhershëm të tyre”. Dhjetë ditë më vonë, edhe krerët e Misioneve të BE-së në Kosovë përsëriten thirrjen për revokim të taksave dhe rishikim të vendimit, këtë herë pasi qeveria e Kosovës  miratoi zgjerimin e kësaj mase për të përfshirë edhe brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi e BeH. Kryeministri Haradinaj tha se ky hap nuk ishte një masë shtesë pasi “qeveria ka shprehur respekt të jashtëzakonshëm për sugjerimet e aleatëve që të mos vazhdohet me veprime të tjera,” por në të njëjtën kohë e quajti të papranueshme dhe “vepër agresioni” një letër që kryeministrja e Serbisë u ka dërguar kryeministrave të vendeve që e kanë njohur pavarësinë që të tërheqin njohjen e Kosovës. E papranueshme, tha Haradinaj, është edhe “heshtja e zyrtarëve të lartë të BE-së, në këtë rast e zonjës Mogherni dhe komisionerëve të tjerë, në ketë letër“.

SHARE