Shënimi i muajit

0
296

Fundi i janarit u karakterizua me një intensifikimin të aktiviteteve në lidhje me Dialogun mes Kosovës e Serbisë, i cili ka disa muaj që nuk po lëviz nga vendi. Ambasada amerikane në Prishtinë i bëri thirrje (disa herë) qeverisë së Kosovës që të pezullonte menjëherë taksat e vendosura ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina si masë e nevojshme për të rivendosur, siç tha, momentumin në procesin e Dialogut, duke shtuar se “një zgjidhje gjithëpërfshirëse, nga e cila përfitojnë të dyjat palët është interes strategjik i SHBA-së”. Ambasada po ashtu paralajmëroi kundër supozimit se Kosova apo cilido mik tjetër i SHBA-së mund të ndërmarrë veprime që janë kundër interesave strategjik te saj, pa u përballur me pasoja në marrëdhëniet dypalëshe. Ambasadori, Philip Kosnett, e përsëriti qëndrimin e presidentit Trump të shprehur në letrat dërguar presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vučić muajin e kaluar se Amerika beson që viti 2019 është viti kur mund të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Letrave të presidentit Trump iu përgjigjën këtë muaj presidentët Thaçi e Vučić. Presidenti Vučić shprehu përkushtimin e vendit të vet ndaj dialogut dhe tha se “në atë moment që Prishtina heq masën e pakuptueshme dhe të dëmshme (taksën, vërejtja jonë), ne jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun në kërkim të një zgjidhjeje të përhershme e të qëndrueshme.” Nga ana e tij, presidenti Thaçi, në letrën dërguar presidentit Trump, shprehu gatishmërinë për të bërë “kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar, që do të përfshijë të gjitha çështjet e hapura, duke i dhënë kështu fund konfliktit shekullor me Serbinë.

Në mënyrë të drejtpërdrejtë për rifillimin e dialogut u angazhua edhe Këshilltari i presidentit amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton. Presidenti Thaçi tha se, në një bisedë telefonike, e kishte siguruar ambasadorin Bolton se Kosova “mbetet e përgjegjshme për vazhdimin e dialogut dhe do të flasë me një zë, ashtu siç ka kërkuar Presidenti Trump”. Në bisedë me kryeministrin Haradinaj, sipas njoftimeve, Bolton kishte kërkuar pezullimin e taksës. Në një letër dërguar ambasadorëve të Quint-it, kryeministri Haradinaj shpjegoi edhe një herë arsyet e vendosjes së taksës dhe renditi kushtet të cilat duhen plotësuar para heqjes së saj. Kryeministri u shkroi edhe shefave të shteteve për t’u shpjeguar, siç tha në twitter, natyrën e dialogut midis Kosovës e Serbisë, të cilin e cilësoi “dialog midis shteteve sovrane për normalizim të marrëdhënieve që rezulton me njohje të dyanshme, jo për statusin final të cilin Kosova e ka zgjidhur më 2008”.

Janari shënoi edhe vizitat e para në Bruksel të Delegacionit të ri shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë. Herën e parë u pritën për konsultime nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, që e cilësoi vizitën si “demonstrim të prioritetit që autoritetet e Kosovës po i japin procesit të normalizimit, kërkesë kjo për rrugën e Kosovës drejt BE-së”. Pashmangshmërisht, Mogherini theksoi edhe me këtë rast “urgjencën e revokimit të tarifave doganore të vendosura nga qeveria e Kosovës në fund të vitit të kaluar”. Bashkëdrejtuesit e delegacionit, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, u thanë gazetarëve se zonjës Mogherini ia kishin paraqitur rezolutën bashkë me Ligjin për dialogun dhe ia kishin shpjeguar rolin e delegacionit e gatishmërinë për të diskutuar për të gjitha temat e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat do të çonin deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me kushtin parësor, njohjen reciproke”.

takimin e dytë, delegacioni u prit nga zyrtarë të BE-së nga zyra e Mogherinit, të cilët thanë se “bashkëkryesuesit nga Prishtina kanë ofruar të dhëna rreth zhvillimeve të fundit, përfshirë edhe Ligjin për dialogun dhe punën e komisionit që po punon në platformën për dialog”. Në një deklaratë të qeverisë thuhet se platforma pritet të miratohet së shpejti nga Kuvendi i Kosovës.

Njëri nga bashkëkryesuesit e delegacionit, Shpend Ahmeti, i tha RTK2-shit se në Bruksel në periudhën e ardhshme nuk do të ketë dialog teknik me Serbinë por se në nivel politik do të bisedohet për arritjen e marrëveshjes finale. Sipas tij, “flitet për dialog të mundshëm intensiv dy-tre muajt e ardhshëm, dhe kjo është ajo dritarja e mundësisë përmes së cilës mund të arrihet deri te marrëveshja”.

Në terren, ndërkohë, katër komunat në veri të Kosovës edhe më tej vazhdojnë të “funksionojnë pa kryetarë”, dy muaj pasi kryetarët e deriatëhershëm dhanë dorëheqje “për shkak të ngritjes së takës në 100 për qind për mallrat serbe”. Për shkak të moszbatimit nga ana e Serbisë të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit (IBM), Kosova rrezikon t’i humbë €24 milionë. Në një ceremoni solemne, shtatë gjykatës nga komuniteti serb ishin në mesin e tridhjetë e shtatë gjykatësve të rinj që dhanë betimin dhe u dekretuan nga presidenti. Ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrustem Berisha, tha se në tre muajt e parë të këtij viti do të plotësohen vendet e lëna bosh me largimin e një numri të pjesëtarëve serbë të kësaj force. Zoti Berisha citohet se ka thënë që “diku për 70 vende të punës janë lajmëruar afër 300 pjesëtarë komunitetit serb që janë të interesuar të jenë pjesë e strukturës sonë”.

SHARE