Shënimi i muajit

0
144

Përpjekjet amerikane për rifillimin e Dialogut vazhduan me intensitet të shtuar edhe gjatë shkurtit. Pas disa porosive zyrtare për heqjen e tarifave të vendosura kundër mallrave nga Serbia dhe BeH, kah fundi i muajit në Prishtinë e Beograd zbritën zëvendësdrejtori i Lartë për Evropë i Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC) John Erath, dhe Drejtori i NSC-së për Çështje Evropiane, Brad Berkley, “për të përforcuar porosinë e Presidentit Trump ‘për të zënë këtë moment unik … dhe për t’u përmbajtur nga veprimet që do ta bënin arritjen e një marrëveshjeje më të vështirë’. Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane në Prishtinë, “në të dyja kryeqytetet ata theksuan shqetësimin e Shtëpisë së Bardhë se Dialogu duhet kthyer në binarë, dhe se të dyja palët duhet të ndërprejnë veprimet provokuese dhe të ndërmarrin hapa konstruktivë për t’u kthyer në tryezën negociuese”. Zyrtarët amerikanë përsëritën se tarifat e vendosura duhet të pezullohen që Dialogu me Serbinë të lëvizë përpara dhe theksuan “urgjencën që Kosova të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, dhe rreshtimin SHBA-Kosovë për këtë interes të përbashkët strategjik”. Ata nuk arritën ta bindin kryeministrin, Ramush Haradinaj, për heqjen e tarifave, edhe pse, në një komunikatë pas takimit, ai tha se “Kosova i mbetet besnik miqësisë së përhershme dhe bashkërendimit të politikave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina në nëntor të vitit të kaluar si “përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës që kërkojnë të minojnë sovranitetin e Kosovës”.

Vizita e lartpërmendur e zyrtarëve amerikanë në Beograd e Prishtinë u zhvillua pasi më parë Erath së bashku me zëvendësndihmësin e Sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer, dhe zëvendësndihmësen e sekretarit të Mbrojtjes, Laura Cooper, i dërguan një letër krerëve të shtetit në Kosovë në të cilën shprehnin habinë e tyre se si Kosova po e vlerëson aq pak miqësinë e SHBA-së saqë po i shpërfillë këshillat e tyre. Me këtë letër, zyrtarët amerikanë paralajmëronin liderët kosovarë se derisa të mos hiqen taksat, “nuk mund të rivendosim raportin tonë në nivelin e fuqishëm siç ka qenë”. 

Para kësaj, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, bashkë me kolegun e tij në Beograd, Kyle Scott, shpërndanë një editorial të tyre në të cilin shprehën bindjen se “udhëheqja politike e matur e vizionare mund të çojë te një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, marrëveshje që në thelb e ka njohjen e ndërsjellë”, dhe bënë thirrje që “Kosova ta pezullojë taksën, që Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive, që të marrin fund provokimet nga të dy anët, që Beogradi dhe Prishtina ti kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe që të dy palët ta përqafojnë paqen guximshëm”. “Nëse e bëni këtë,” thanë ata, “jemi optimistë se mund të arrini një marrëveshje historike për normalizim në 2019-ën”.

Nga ana e saj, përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, pas bisedave që kishte pasë gjatë shkurtit me presidentët Vučić e Thaçi, tha se nuk do të organizonte ndonjë sesion të ri të Dialogut derisa nuk hiqet, pezullohet ose revokohet vendimi për tarifat prej 100% të vendosura për mallrat nga Serbia e BeH. Mogherini shprehu gatishmërinë që – sapo të krijoheshin kushtet – jo  vetëm të organizojë një takim të nivelit të lartë, por që të mbyllen me dry për një javë, një muaj apo tre muaj, sado që të zgjasë”. Deri tani, shtoi ajo, nuk kishte parë hapa në atë drejtim.

Në pritje të rifillimit të bisedimeve, bashkëkryesuesit e ekipi negociator, Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, kah mesi i muajit ua dorëzuan krerëve të shtetit “Platformën për Dialog” e cila shpreh qëndrimin zyrtar të Prishtinës dhe përcakton parimet, objektivat dhe pritjet e Kosovës përsa i përket Dialogut. Sipas platformës, objektivi sipëror është sigurimi i njohjes dhe pranimit të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Se sa larg janë palët nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve tregojnë reagimet e menjëhershme të Beogradit ndaj platformës. Drejtori i Zyrës për Kosovë të qeverisë së Serbisë, Marko Đurić, tha se “dokumenti të cilin Prishtina e ka miratuar nuk është platformë për dialog me Serbinë, fjala është për platformë kundër dialogut me Serbinë”. Platforma duhet të kalojë në parlament për t’u bërë qëndrim zyrtar i Kosovës, po cili është qëndrimi zyrtar i Serbisë sa i përket dialogut? Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Dačić, tha se “përcaktimi i kufirit” është propozimi i tyre zyrtar, për të shtuar një ditë më pas se nuk është qëndrim zyrtar, po ide e zyrtarëve shtetëror dhe se nëse bëhet propozim zyrtar do të paraqitet në Kuvend dhe për këtë do të vendosin qytetarët në referendum. Presidenti Vučić pati paralajmëruar vitin e kaluar disa herë se do ta bëjë publike idenë e tij për marrëveshje të mundshme me Kosovën, por nuk e ka bërë deri tani. I pyetur për këtë pas qëndrimit të shprehur nga Dačić, ai tha se do ta bëjë qëndrimin publik në momentin kur atë ta pranojë pala shqiptare, të cilëve tha se u kishte folur diçka për të.

Ndërkohë, ajo që SHBA e shohin si zgjidhje për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë është “njohja reciproke”. Presidenti Trump e theksoi këtë në letrën që ia dërgoi presidentit Vučić për ditën e shtetësisë së Serbisë (15 shkurt) dhe në letrën që ia dërgoi presidentit Thaçi për ditën e pavarësisë (17 shkurt). Në to thuhet se njohja reciproke është element qendror për normalizim të përhershëm të marrëdhënieve dhe bazë për çfarëdo zgjidhje gjithpërfshirëse.

Por është e qartë se para kësaj duhet rinisur Dialogu, dhe, siç doli nga një hulumtim i Institutit Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA), i bërë publik në shkurt, shumica e qytetarëve të Kosovës, të të gjitha komuniteteve, janë në favor të vazhdimit të dialogut.

SHARE