Shënimi i muajit

0
50

Samiti i paralajmëruar i një korrikut në Paris pritej të shënonte ditën kur Prishtina e Beogradi do të mund të rifillonin Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, të ndërprerë muaj më parë, kur u tha se po fillonte një fazë finale. Vetë caktimi i datës për mbajtjen e takimit në Paris u vlerësua si rezultati më konkret (!) i një samiti tjetër që u zhvillua në fund të prillit në Berlin, ku morën pjesë liderët e të gjitha vendeve ballkanike. Për Berlinin u tha se ia doli të hiqte nga tryeza e bisedimeve planin për shkëmbim territoresh/korrigjim kufiri midis dy vendeve si opsion për një zgjidhje përfundimtare gjithëpërfshirëse, megjithëse pati edhe vlerësime se ideja mund të mos ketë marrë fund.

Në Paris u mendua të takoheshin vetëm përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, dhe ndonëse kishte paralajmërime – nga të dyja palët – se mund edhe të mos mbahej fare (siç edhe ndodhi), nuk mund të thuhet se nuk u bënë përpjekje.  Një delegacion ndërqeveritar franko-gjerman vizitoi Prishtinën për të diskutuar “rrjedhën e Samitit të Berlinit dhe parapërgatitjet për vazhdimin e angazhimit në takimin e radhës në Paris”. Madje, me ndërmjetësimin e zyrtarëve gjerman, u zhvillua edhe një takim që u cilësua si “i fshehtë”. Një prej pjesëmarrësve, ambasadori aktual i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Avni Arifi, ish–kryesues i delegacionit të Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë, e konfirmoi mbajtjen e tij dhe tha se qëllimi kishte qenë të diskutohej se si të vazhdohet më tutje. Sipas tij, pala kosovare kishte kërkuar “që të mos ketë kushtëzime të dialogut dhe që bisedimet të vazhdojnë në Samitin e Parisit”.  Nga ana e tij, presidenti serb, Aleksandar Vučić, tha se takimi në Berlin kishte qenë përgatitor, nuk kishte qenë i fshehtë dhe se Serbia  dëshiron vazhdimin e dialogut dhe heqjen e taksave, por shqiptarëve kjo nuk u shkon ndër mend”. Në fillim të muajit, vazhdimi i Dialogut u diskutua edhe në takimin që kryeministri Ramush Haradinaj zhvilloi në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel. Duket sikur asnjë nga këto përpjekje nuk dhanë rezultatet e kërkuara; qeveria gjermane njoftoi se takimi Kosovë-Serbi në Paris është shtyrë pa afat dhe se “Gjermania dhe Franca do të jetë edhe më tej në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë”.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shprehu pakënaqësinë e tij për faktin se procesi nuk po ecë në drejtimin e duhur. Ai tha se “nëse mosmarrëveshja midis Serbisë e Kosovës nuk zgjidhet, nuk do të kenë shanse që të bëhen anëtare të BE-së,” dhe rikujtoi se BE “nuk dëshiron të importojë jostabilitet në union, (ajo) dëshiron të eksportojë stabilitet.”  Në maj, Komisioni Evropian bëri publike raportet e progresit për shtetet individuale në të cilat, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, thuhet se kanë “mbetur të angazhuara në dialog” por se duhet “të bëjnë përpjekje të mëtejshme të konsiderueshme dhe t’i kontribuojnë krijimit të një mjedisi të favorshëm për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese” me njëra-tjetrën.  Qeverisë së Kosovës i thuhet se duhet të revokojë taksat për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina ndërsa evidentohet përmbajtja që ka treguar Serbia në reagimin e saj ndaj vendosjes së taksave.  

Ndërkohë, Ekipi negociator i Kosovës u shpall jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila, me kërkesën e 32 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, bëri vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë. Sipas Gjykatës, delegacioni shtetëror i themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe ligji, në tërësinë e tij, është i papajtueshëm me Kushtetutën.

Në një zhvillim tjetër, që fillimisht ka qenë arritje e Dialogut dhe Marrëveshjeve në Bruksel të vitit 2013, në qershor nisën zyrtarisht detyrat e tyre, kryetarët e (ri)zgjedhur të katër komunave të veriut të Kosovës (Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan). Ata u (ri)zgjodhën në votimet e zhvilluara në maj, pasi më parë, në nëntor të vitit të kaluar, dhanë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendosjes së taksës prej 100% për mallrat e importuara nga Serbia dhe BeH.

SHARE