Shënimi i muajit

0
59

Ndonëse stinë vere dhe Dialogu i bllokuar, gjatë korrikut, gushtit dhe tani në shtator pati përpjekje të shtuara për të shtruar rrugën e rifillimit të procesit të ndërprerë tërësisht që nga nëntori i vitit të kaluar dhe pa asnjë takim në nivel teknik që nga marsi i vitit 2018.

Në fillim të korrikut u mësua emri i zyrtarit që në postin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme do të trashëgojë përgjegjësinë e lehtësimit të bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit. Josep Borrell, ministri i Jashtëm i Spanjës që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pritet të zëvendësojë Federica Mogherinin pasi të marrë konfirmimin e Parlamentit Evropian. New Perspektiva i drejtoi një letër të hapur zotit Borrell me disa pika dhe rekomandime që i konsideron qenësore për kuptimin dhe vazhdimin e procesit të normalizimit midis Kosovës e Serbisë. 

Një tjetër emërim që u bë gjatë kësaj periudhe tregon gatishmërinë e SHBA-së për një përfshirje më të madhe në këtë proces. Zëvëndës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, do të jetë Përfaqësues i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor. Në një prej prononcimeve të para pas marrjes së detyrës, Palmer citohet se ka thënë që qëllimi i tij është t’i kthejë Beogradin e Prishtinën sa më parë në tryezën e bisedimeve dhe të sigurojë marrëveshje. Si mundësi për vazhdimin e bisedimeve mes palëve, Palmer e sheh periudhën midis zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë (të caktuara për datën 6 tetor, pasi kryeministri, Ramush Haradinaj, dha dorëheqje kur u ftua nga Gjykata Speciale në Hagë në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte) dhe zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi, që pritet të mbahen diku në pranverë 2020. Palmer shpreson se qeveria e re e Kosovës do të pranojë të pezullojë taksën në mënyrë që të mundësojë rifillimin e dialogut, dhe që Beogradi do t’i japë fund përpjekjeve të tij për “delegjitimimin ndërkombëtar të Kosovës” dhe lobimit tek vendet e tjera për të tërhequr pranimin. Të gjitha këto, tha Palmer, “po e helmojnë atmosferën“ dhe po e bëjnë të vështirë rifillimin e dialogut ne frymë konstruktive.

Bashkimi Evropian pret bashkëpunim të ngushtë me të dërguarin amerikan. “Ne mirëpresim çdo angazhim për të mbështetur dialogun e ndërmjetësuar nga BE, qoftë ai që vjen nga vendet anëtare, bashkësia ndërkombëtare, dhe veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara”, citohet se ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijančič.

Edhe shefi i zotit Palmer, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, foli për rifillimin e negociatave midis Serbisë e Kosovës për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të përqëndruar në njohjen e ndërsjellë. Pas një takimi me presidentin serb, Aleksandar Vučić, në Nju Jork kah fundi i gushtit, sekretari Pompeo pêrsëriti se “të dyja palët duhet ti ikin provokimeve që pengojnë procesin e normalizimit, dhe të angazhohen me frymën e kompromisit dhe fleksibilitetit që nevojitet për të siguruar një marrëveshje dhe për të liruar potencialin e të dyja vendeve”.

Vetëm një javë para takimit të lartëpërmendur, qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Kuinti) në një deklaratë të përbashkët bënë thirrje që menjëherë të rifillojë dialogu. Në deklaratë thuhej se “pas viteve të tëra të ngecjes ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurtë dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët.” Edhe Kuinti thekson nevojën që Kosova t’i heqë taksat dhe Serbia të ndërpresë fushatën për heqjen e njohjeve kundër Kosovës, si shenjë gatishmërie për kompromis dhe rifillim të bisedimeve.

Shtrohet pyetja sa janë të gatshme palët t’i bëjnë këta hapa? Gjykuar nga prononcimet e deritashme, (në prag fushate për zgjedhjet e parakohshme) partitë kryesore në Kosovë, që synojnë krijimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 6 tetorit, nuk mendojnë të heqin taksën. Pala serbe po ashtu nuk shpreh aspak më shumë gatishmëri që t’i japë fund fushatës së saj për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Përkundrazi, ministri i punëve të jashtme i Serbisë, Ivica Dačić, thotë se procesi i çnjohjeve është i pandalshëm dhe i pakthyeshëm.

Për ta mbyllur këtë shënim me një notë pozitive, nga kjo periudhë vlen të regjistrohet njoftimi për një
nismë të disa OJQ-ve që synon pajtimin ndëretnik. Fondi për të Drejtën Humanitare, OJQ Aktiv nga Mitrovica dhe Artpolis nga Prishtina, të mbështetura nga zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, kanë themeluar ‘Koalicionin e Kosovës për Pajtim’ për të kontribuar në përmirësimin e marrëdhënieve etnike në vend.

SHARE