Shënimi i muajit

1
730

Shkurti i këtij viti të brishtë u shënua me marrëveshje, letërkëmbime, takime e debate (në nivel konferencash ndërkombëtare e në nivel mediash sociale) në lidhje me Dialogun midis Prishtinës e Beogradit.

Katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, partitë fituese LVV dhe LDK finalizuan marrëveshjen për koalicionin që do të qeverisë vendin. Ky hap u përshëndet nga Bashkimi Evropian. Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, tha se BE pret me padurim rifillimin e shpejtë të Dialogut të lehtësuar prej saj. “Gjendja aktuale nuk është e qëndrueshme. Nuk ka alternativë tjetër pos rifillim të shpejtë të bisedimeve për normalizimin midis Beogardit dhe Prishtinës,” tha Borrell. Emisari special i presidentit Trump, Richard Grenell, ishte më specifik kur tha se SHBA “pret heqjen e menjëhershme të tarifave,” të vendosura nga qeveria e mëparshme ndaj mallrave nga Serbia e Bosnjë e Hercegovina. Ai tha se “të gjithë liderëve partiak në Kosovë ua kishin bërë të qartë se heqja e tarifave ishte në interesin më të mirë të Kosovës dhe ekonomisë së saj, dhe dëshirës për të tërhequr biznese të reja.” Sipas tij, “liderët partiak kishin rënë dakord” për këtë. 

I sapokonfirmuar në postin e kryeministrit, Albin Kurti u tha gazetarëve se, ashtu siç kishte premtuar, “me Serbinë do të kemi reciprocitet ekonomik, politik e tregtar, si zëvendësim të tarifës 100 për qind”. Por, reciprociteti nuk është ide që mbështetet nga Grenell. Këtë e qartësoi zëdhënësi i tij, Dick Custin, duke thënë se “Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht atë.”

Debati rreth tarifave dhe reciprocitetit u intensifikua edhe më shumë pasi kryeministri Kurti paralajmëroi se më 15 mars qeveria do të filloi heqjen e pjesshme të tarifës 100% “si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”. Si përgjigje ndaj këtij vendimi, nga pala serbe pritet “ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu të nis me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës”. BE e përshëndeti këtë njoftim si hap të parë për të cilin tha se mund të ketë efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe të ofrojë një mundësi për rifillimin e Dialogut. “Është humbur shumë kohë. Besimi duhet rivendosur urgjentisht. Serbia dhe Kosova duhet të krijojnë një mjedis që është i përshtatshëm për rifillimin e Dialogut në dobi të të dyja palëve,“ thuhet në kumtesën e BE-së. Qëndrimi amerikan ishte tjetër. Grenell tha se SHBA nuk e mbështetë këtë masë gjysmake të kryeministrit Kurti dhe se taksat duhet hequr plotësisht. “Z. Kurti po bën gabim serioz,” shkroi Grenell në twitter duke shtuar se “kjo i është bërë e qartë sot në Shtëpinë e Bardhë presidentit Thaçi,” i cili ndodhej në Uashington për vizitë. Edhe partneri i koalicionit qeverisës, LDK, është për heqjen e plotë të taksave “ashtu siç po kërkojnë SHBA-të,” tha Isa Mustafa, kryetari i LDK-së.

Pak ditë pas njoftimit të Kurtit, ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Dačić, bëri të ditur se Sierra Leone kishte tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në një note verbale e cila u shpërnda në media thuhet se qeveria e Sierra Leones konsideron se njohja e Kosovës ka qenë e parakohshme dhe se ka vendosur të tërheqë njohjen e saj nga respekti për dialogun që vazhdon (sic) duke pritur me padurim një rezultat të pranueshëm për të dyja palët. Kryeministri Kurti e cilësoi këtë si një hap tjetër mbrapa nga ana e Serbisë “edhe pasi Kosova tregoi vullnetin e mirë me heqjen e tarifës 100% për lëndën e parë.”

Pa mbushur muajin në postin e kryeministrit, Kurti pati rast të takohej me dy udhëheqësit më të lartë të Serbisë, presidentin Aleksandar Vučić dhe kryeministren Ana Brnabić. Me të parin ishin pjesëmarrës në një debat në Konferencën vjetore të Sigurisë në Munih ndërsa me homologen e tij serbe u takua në Londër, në samitin vjetor të BERZH-it. Por një takim rreth përmbajtjes së të cilit pati shumë spekulime në media ishte ai i presidentëve Thaçi e Vučić në Uashington me ndërmjetësimin e emisarit Grenell. Në një konferencë për media, pas kthimit në Prishtinë, presidenti Thaçi tha se takimi shënonte “rikthimin e fuqishëm të SHBA në procesin e kërkimit apo mundësisë së arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.” Nga ana e tij, në Beograd, presidenti Vučić tha se “ditët e kaluara ka pasur shumë lajme të pavërteta, lajme të rreme mbi atë se si po arrihen marrëveshje të mëdha, mbi atë se si plani tashmë është hartuar, mbi atë se tani gjithçka dihet.”

Derisa BE është në pritje të emërimit të një përfaqësuesi të posaçëm (flitet që ky mund të jetë Miroslav Lajčák i Sllovakisë) për të lehtësuar Dialogun, me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell, u nënshkruan edhe dy marrëveshje/deklarata synimi midis Beogradit e Prishtinës: njëra për vendosjen e lidhjeve hekurudhore e tjetra mbi transportin rrugor midis dy vendeve. Tekstet e deklaratave u bënë publike disa javë më vonë. Kryeministri Kurti shprehu rezervat e tij ndaj këtyre deklaratave, siç tha, për shkak se nuk kishte qenë pjesëmarrës në negociatat për të cilat ato bëjnë fjalë. “Natyrisht se ne na duhet lidhje, infrastrukturë më e mirë, autostrada dhe hekurudha. Por, sërish, punëtorët civilë që nënshkruan këto marrëveshje nisën negociatat gjatë qeverisë së kaluar dhe faktikisht i përmbyllën ato pa pjesëmarrjen tonë dhe ne jemi në qeveri për më pak se dy javë,” tha Kurti.

Kryeministri Kurti njoftoi me letër zyrtare presidentin Trump, sekretarin amerikan, Michael Pompeo, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe zotin Borrel me hapat e qeverisë së tij për heqjen në etapa të taksës ndaj Serbisë dhe BeH-së. Kurti e pa të udhës që po ashtu t’i njoftoi ata se, si kryeministër, ai ka “mandatin ekskluziv kushtetues, vullnetin politik dhe detyrën ligjore të marrë përgjegjësinë për përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë diplomatik”. Se Dialogu me Serbinë do të udhëhiqet nga Kryeministri, kjo theksohet edhe në programin e qeverisë Kurti, i cili u miratua javën e kaluar.