Shënimi i muajit

0
49

Zhvillimet në Kosovë brenda periudhës së kaluar njëmujore, nga 15 maji deri më sot, duket se po i hapin rrugën rifillimit të Dialogut Kosovë-Serbi, të ndërprerë para më shumë se dy vitesh.

Një qeveri e re mori mbështetjen e 61 deputetëve në Kuvend, minimumi i domosdoshëm, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se dekreti i presidentit, Hashim Thaçi, për mandatimin e Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër ishte në përputhshmëri me Kushtetuten. Pjesë e koalicionit qeverisës, bashkë me AAK-në, Nismën dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, është edhe Lista Serbe (LS), me 10 deputetët e saj. Marrëveshja mes LS-së dhe LDK-së për hyrje në koalicion parasheh, mes të tjerash, se këto dy parti do të punojnë me përkushtim për vazhdimin e dialogut me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, duke hequr të gjitha pengesat që ndodhen në rrugën drejt dialogut. Në parimet e përgjithshme të kontratës mes tyre theksohet edhe nevoja e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. 

Tri ditë më vonë, qeveria e re hoqi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, të vendosura nga qeveria pararendëse. Presidenti Thaçi e mirëpriti vendimin për të cilin tha se heq të gjitha barrierat, “që Serbia deri më sot i ka përdorur si pretekst për bllokimin e dialogut”. Edhe Shtetet e Bashkuara e  mirëpritën këtë hap dhe, si rezultat, Korporata e Sfidës së Mijëvjecarit, MCC, tha se do të rinisë zbatimin e programeve të saj në Kosovë, të cilat i kishte pezulluar në mars. Hapi i MCC-së u përshëndet nga kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme i Kongresit amerikan, Eliot Engel, i cili tha se ato “nuk është dashur të pezullohen në rend të parë. Kosova i plotësonte standardet e rrepta të MCC-së. Pezullimi i MCC-së për të shtrënguar Kosovën për t’i ndryshuar politikat ishte në kundërshtim me atë për çka supozohet të jetë MCC”.

Një njoftim nga Brukseli që u referohej zyrtarëve të BE-së se Beogradi kishte rënë dakord të mos vazhdojë fushatën e çnjohjeve, si hap i vullnetit të mirë për krijimin e atmosferës së përshtatshme për vazhdimin e dialogut, u përgënjeshtrua nga Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Dačić. Ai e quajti atë “një gënjeshtër e madhe”. Dačić tha se “Serbia nuk ka ndalur fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, e as që do ta ndërpresë atë nëse të gjithë të tjerët nuk e ndalin fushatën e njohjes së Kosovës.”

Një ditë më pas, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, tha se heqja e masave të reciprocitetit “hapë mundësinë që të fillojmë të bisedojmë”, dhe paralajmëroi se pas zgjedhjeve në Serbi më 21 qershor, përfaqësuesi i BE-së për bisedime, Miroslav Lajčak, do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën. Vizitën e Lajčakut në rajon në ditët në vazhdim e ka konfirmuar edhe zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në Komisionin Evropian, Peter Stano, i cili citohet se ka thënë që ajo do të jetë “në funksion të vënies së bazës dhe diskutimit mbi modalitetet me palët.”

Presidenti Thaçi tha se ende zyrtarisht nuk është njoftuar për vizitën e Lajčakut duke shtuar se “do ta shohim agjendën dhe prioritetet që i ka në përkushtimin e tij si përfaqësues i BE-së. Pastaj do të përgjigjem si president i vendit”. Më parë ai kishte thënë se nuk e ka “vullnetin që të participojë në procese të negociatave që udhëhiqen nga Lajçaku,” por, si president, tha ai, do t’i përgjigjet ftesave nëpër samite që udhëhiqen nga Merkeli, Macroni, etj. Presidenti Thaçi citohet po ashtu se ka thënë që ai ka “besim të plotë në lidershipin e SHBA-së, ata do ta përmbyllin suksesshëm dialogun. Pa rol udhëheqës të SHBA-së nuk ka faktor që i lëviz këto gjëra”.

Në telegramin e urimit që presidenti francez, Emmanuel Macron i dërgoi kryeministrit Hoti, thuhet se “prej më shumë se një viti, Franca dhe Gjermania janë angazhuar për rifillimin e dialogut, i cili do të mund të fillohej gjatë një samiti të ardhshëm në Paris”. Presidenti Macron thotë se ai beson në pjesëmarrjen e zotit Hoti në këtë samit dhe në gatishmërinë e tij ”për të marrë masat e nevojshme për të bërë të mundur rifillimin e dialogut, ndërkohë që Serbia gjithashtu do të duhet të bëjë pjesën e saj të përpjekjeve.” Në letrën e tij, presidenti Macron po ashtu thekson se “roli i BE-së duhet të mbetet qendror, sepse kjo mosmarrëveshje është sfidë e sigurisë evropiane dhe sepse sikurse Kosova edhe Serbia kanë synim integrimin në Bashkimin tonë. Përfaqësuesi i lartë Josep Borrell dhe përfaqësuesi i ri special Miroslav Lajçak, gëzojnë besimin tim të plotë për të udhëhequr këtë ndërmjetësim.”

Në ditën e parë në post, kryeministri Hoti tha se ai vetë do të jetë kryenegociator dhe përgjegjës për udhëheqjen e dialogut me Serbinë dhe se ai nuk do ta bëjë “gabimin që të hyjë midis marrëdhënieve të SHBA-së dhe BE-së”. “Kjo qeveri nuk do ta bëjë atë gabim të zgjedhë a jemi me Amerikën apo jemi me BE-në. Ne jemi me të dyjat. Unë jam i bindur që procesi i dialogut nuk shkon pa një bashkërendim të aktiviteteve midis Brukselit dhe Uashingtonit. Nuk kryhet ndryshe, pa rolin kyç që ka Uashingtoni në këtë proces,” tha Hoti.

Në kornizën e Qeverisë së Kosovës për dialogun, të cilën kryeministri Hoti e paraqiti në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, tri janë parimet kryesore: integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm, organizimi kushtetues dhe shtetëror i Kosovës është i panegociueshëm; dhe marrëveshja që do të duhet të arrihet, duhet të jetë në përputhje me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Hoti theksoi se “nuk ka kuptim asnjë marrëveshje, e cila nuk siguron njohje reciproke”.

SHARE