Shënimi i muajit

0
589

Në ditën e botimit të këtij shënimi, shumica e shteteve në botë, përfshirë edhe Kosovën, ka javë që kanë vendosur masa të mbylljes, izolimit e karantinës – situatë e pashembullt në historinë e njerëzimit – në luftë kundër pandemisë së COVID-19 që ka shkaktuar dhjetëra mija viktima deri sot. Megjithatë, kjo nuk ishte pengesë që partneri i koalicionit qeverisës në Kosovë, LDK, së bashku me partitë opozitare, të rrëzojnë qeverinë. Në fjalimin e tij në Kuvend, Kryeministri, Albin Kurti, shprehu bindjen e tij se shkarkimi i qeverisë ka të bëjë me “një marrëveshje të gatshme për shkëmbim territorial” midis presidentit, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vučić, që do të përmbyllej e kremtohej në Shtëpinë e Bardhë. Konflikti mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Kurti është intensifikuar pas kthimit të presidentit nga vizita e fundit në Uashington muajin e kaluar. Të nesërmen, tre përfaqësuesë të SHBA-së (i dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, ambasadori, Philip Kosnett, dhe përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin perëndimor, Matthew Palmer) e panë të udhës të dalin me një deklaratë të përbashkët “për ta bërë të qartë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim të tokës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa”. “Komuniteti ndërkombëtar duhet të këshillojë dhe lehtësojë përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për ta rihapur Dialogun dhe të mos përdorë metoda që sjellin ndarje dhe diskriminim,” shkruan Joanna Hanson e New Perspektivës.

Dallime nuk pati vetëm midis partnerëve të koalicionit qeveritar. Në prag të votimit, ambasada amerikane në Prishtinë shprehu kënaqësinë që Kuvendi do të mbajë seancë për votë mosbesimi duke theksuar se “është e rëndësishme që Kuvendi dhe të gjitha institucionet e Kosovës të respektojnë Kushtetutën”. Nga ana e tyre, ministritë e Jashtme të Gjermanisë dhe Francës, në një deklaratë të përbashkët, shprehën shqetësim për situatën politike  dhe bënë thirrje që të rishqyrtohej vota e mosbesimit ose të shtyhej ajo, meqë “Kosovës i duhet një qeveri stabile dhe funksionale për tu marrë me krizën”. Më herët, po atë ditë, edhe ambasada amerikane në Prishtinë, si pjesë e Kuintit, u bëri thirrje liderëve politik “të ruajnë dhe sigurojnë integritetin dhe funksionalitetin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe t’i japin përparësi luftës kundër COVID-19 në Kosovë e jo politikës.”

Qeveria dhe kryeministri në detyrë tani vazhdojnë punën deri në zgjidhjen e situatës së krijuar, ndërkohë që njëra palë është për krijimin e një qeverie të re e tjetra parapëlqen zgjedhje të reja, sapo të përmirësohen kushtet për zhvillimin e tyre, pas pandemisë. Vetë situata ka nxjerrë në pah vështirësitë dhe pasigurinë në zbatimin efikas të masave në mjediset e banuara me serbë, sidomos në veri të vendit, si edhe ka nxitur pyetje rreth bashkëpunimit ndërinstitucional e ndërshtetëror për kapërcimin e krizës.

Emërimi i ish-Ministrit të jashtëm sllovak, Miroslav Lajčak, në detyrën e Përfaqësuesit special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, është një hap i ri në përpjekjet e BE-së “për arritjen e normalizimit të gjithmbarshëm të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”. Në një letër urimi, kryeministri në detyrë, Kurti, e njoftoi Lajčakun edhe me planet e tij për krijimin e një ekipi negociator dhe ekipeve teknike ndërsa Lajčak iu përgjigj duke i thënë se e sheh vendimin për heqjen e tarifës si “shenjën e parë konkrete të vullnetit“ për rinisje të Dialogut. Më parë, Presidenti, Hashim Thaçi, pati shprehur bindjen se misioni i zotit Lajčak është i destinuar të dështojë për shkak të angazhimit të tij në mosnjohjen e Kosovës nga Sllovakia dhe votimit kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Qeveria e drejtuar nga Kurti, ndonëse me disa ditë vonesë, mori vendim fillimisht për heqjen e taksës mbi lëndën e parë që importohet nga Serbia e Bosnjë-Hercegovina, e më pas për heqjen e plotë të tarifës 100% me “zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë”. Derisa ambasada amerikane e përsëriti qëndrimin se duhet hequr të gjitha tarifat e të mos krijohen barriera të reja, dhe theksoi kundërshtimin ndaj zbatimit të masave të reciprocitetit, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, u shpreh i lumtur me heqjen e plotë të tarifave, vendim të cilin e quajti të rëndësishëm, duke shtuar se “bashkëpunimi rajonal është kyç ashtu si edhe ruajtja e qarkullimit të mallrave,”  në veçanti në këtë kohë pandemie. Heqja e plotë e tarifës 100% u përshëndet edhe nga ambasada britanike në Prishtinë dhe ajo gjermane, e cila e cilësoi si parakusht të rëndësishëm për rifillimin e dialogut për normalizim.

Veç kësaj, kryeministri Kurti zhvilloi një bisedë telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel. Në një deklaratë të përbashkët thuhet se kancelarja Merkel dhe Kryeministri i Kosovës mbështesin rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Kryeministri në detyrë Kurti pati një bisedë telefonike edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili premtoi “rritjen e rolit të Francës dhe të atij vetë në lehtësimin e dialogut”. Në njoftimin për media thuhet se, sipas presidentit Macron, ky do të jetë edhe synim i samitit të Parisit për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, që do të organizohet nga Franca e Gjermania, me Bashkimin Evropian, sapo të krijohen kushtet e duhura.