Shënimi i muajit

0
81

Katër shtatori 2020 ishte “një ditë vërtetë historike, ditë shumë e rëndësishme, sidomos në një pjesë të bukur të botës,” tha presidentit amerikan Donald Trump, tek po njoftonte për zotimin, vërtetë historik (DT përsëri), të Serbisë dhe Kosovës për normalizimin ekonomik mes tyre. “Duke u fokusuar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, këto dy vende qenë në gjendje të arrijnë një sukses madhor – diçka që askush nuk kishte menduar se do të jetë e mundur,” tha më tej Trump.

Një takim në Shtëpinë e Bardhë për të kremtuar arritjen e një marrëveshjeje historike mes dy vendeve presidenti Trump e kishte përmendur gadi dy vjet më parë në letrat që u kishte dërguar presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçit e Aleksandar Vučićit. Në përgjigjet e tyre, në janar 2019, të dy presidentët shprehnin përkushtimin dhe gatishmërinë për kompromis për arritjen e një marrëveshjeje, që sipas presidentit Thaçi, “do të përfshijë të gjitha çështjet e hapura, duke i dhënë kështu fund konfliktit shekullor me Serbinë.”

Presidenti Thaçi nuk ishte i pranishëm në “ditën historike” në ceremoninë e nënshkrimit në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë. Në vend të tij ishte kryeministri, Avdullah Hoti, dhe në vend të një marrëveshjeje finale, u nënshkruan dy versione të një dokumenti të titulluar “Normalizimi ekonomik”. “Normalizimi ekonomik” përgjithësisht u pa si një listë e dakorduar e çështjeve që edhe më parë janë trajtuar, e për disa prej tyre edhe është arritur marrëveshje, më parë! Madje pati vlerësime, siç ishte ai i profesorit vizitor të LSE-së, James Ker-Lindsay, shkruar nergut për NP, se “në vend të përpjekjes për një marrëveshtje të madhe mes Kosovës dhe Serbisë, ajo u kthye në hiç më pak se një projektim të fuqisë gjeopolitike të SHBA-së.” “Në vend që politikanët tanë të merren me procesin e ndërtimit të paqes tek ne, ata shërbyen si marioneta të sistemit të Trumpit dhe morën pjesë në fitimin e disa pikave shtesë parazgjedhore në favor të Trumpit,” shkruan bashkëpunëtorja e rregulltë e NP-së, Nevena Radosavljević, ndërsa vlerësimi i bashkëpunëtorit tonë tjetër, po ashtu të rregulltë, Rrezart Dema, është se “me marrëveshjen e Uashingtonit në një mënyrë të dyja shtetet, Kosova dhe Serbia, kanë bërë progres”.   

Sido që të jetë, ndërmjetësuesi i Marrëveshjes së Uashingtonit, i dërguari presidencial amerikan, Richard Grenell, u sigurua që të vëheret një vrull (të paktën fillestar) i përgatitjes së terrenit për implementimin e pikave të kësaj marrëveshje. Shumë shpejt pasoi një vizitë në Prishtinë dhe Beograd nga një delegacion i kryesuar nga kryeshefi ekzekutiv i bankës zhvillimore amerikane, DFC, Adam Boehler. Ai e quajti këtë “ngjarje të paprecedent”, duke pasë parasysh se përbëhej nga zyrtarë të gjashtë agjencive, përfshirë atë të Energjisë, Tregtisë. Hapja e zyrës së DFC-së në Beograd, tha Boehler, shënon një “epokë të re” në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë, dhe tregon interesimin amerikan për “zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të këtij rajoni”.

Marrëveshja e Uashingtonit i siguroi qeverisë së SHBA, asaj të Kosovës dhe të Serbisë një nominim për Çmimin Nobel për Paqe nga një deputet suedez!

Ndonëse nën hijen e takimit në Uashington, paralelisht vazhduan edhe përpjekjet e rigjallëruara së fundi nga ana e Brukselit për lehtësimin e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis dy vendeve.

Në një deklaratë të përbashkët të shpërndarë nga shërbimi diplomatik i BE-së, EEAS, tri ditë pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, thuhet se Hoti dhe Vučić i konfirmuan Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrellit, se për ta me prioritetin më të lartë është integrimi në BE dhe “vazhdimi i punës për Dialogun e lehtësuar nga BE element kyç në rrugët e tyre respektive evropiane”. Ata u zotuan se do t’i dyfishonin përpjekjet për të siguruar harmonizimin e mëtejmë me BE në pajtim me obligimet e tyre respektive. Deklarata i referohet marrëveshjes së Uashingtonit si “dokumente të dakorduara… që çojnë më tej zotime të mëhershme në lidhje me Dialogun që kanë marrë përsipër të dyja palët,” dhe thotë se “mund të ofrojnë kontribut të dobishëm për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese mbi normalizimin e marrëdhënieve”. 

Përfaqësuesi special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak, i përshkroi bisedimet që pasuan në Bruksel si intensive dhe jo gjithmonë të lehta, por, tha se, ajo që mbizotëroi ishte “vullneti i të dyja palëve për t’i avancuar diskutimet përkundër çështjeve të dhimbshme e komplekse që trajtuan.” Që nga rifillimi i Dialogut në Bruksel, në muajin korrik, në takime është diskutuar për bashkëpunimin ekonomik, të zhdukurit, të zhvendosurit, zgjidhjen e pretendimeve financiare të dyanshme dhe pronat. Tema e aranzhimeve për komunitetet joshumicë (lexo: Asociacioni i komunave me shumicë serbe) duket se do të vazhdojë të shkaktojë probleme në procesin e ndërmjetësuar nga BE-ja. Pas këmbënguljeve kundërthënëse të palëve rreth asaj se a është kjo temë e mbyllur a jo, takimi i paralajmëruar për fund të shtatorit, në nivel të lartë dhe atë të ekspertëve u anulua. Lajčak njoftoi se ky takim në kuadër të Dialogut shtyhet nga “kujdesi i bollshëm” për shkak të COVID19!

SHARE