Shënimi i muajit

0
125

Nëntori solli dy zhvillime madhore me mundësi ndikimi në rrjedhën e mëtejshme të Dialogut midis Kosovës e Serbisë.

Pas një pritjeje disamujore, Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi aktakuzën kundër Hashim Thaçit, gjë që i parapriu dorëheqjes së tij nga posti i presidentit. Thaçi ka luajtur rol kyç në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja që nga fillimi i tij para afro 10 vjetësh, fillimisht në postin e kryeministrit të vendit dhe më pas si president. Bashkimi Evropian mirëpriti, siç tha, faktin se ai kishte rënë dakord të bashkëpunonte me Gjykatën Speciale, duke shprehur besimin se “përfaqësuesit e Kosovës do të sigurojnë vazhdimësinë e institucioneve siç parashihet në me ligj”. Detyrën e presidentes e ushtron kryetarja e parlamentit, Vjosa Osmani, për një periudhë jo më shumë se 6 muaj, derisa të zgjedhet presidenti i ri ose vendi të shkojë në zgjedhje.

Shkuarja e Thaçit në Hagë nxiti kërkesën për ndërprerjen e Dialogut, që erdhi nga partneri i vogël i koalicionit qeverisës, AAK, dhe kryetari i saj, Ramush Haradinaj, i cili ka muaj që ka shprehur ambicien e tij për t’u bërë president. Por kryetari i LDK-së, partisë kryesore në qeveri, Isa Mustafa, tha se nuk kishte arsye që qeveria të mos bashkëpunojë me BE-në në të gjitha proceset, përfshirë edhe procesin e dialogut. Mustafa u citua se ka thënë që “dialogu nuk bëhet për Serbinë por për interesa të Kosovës.

Zhvillimi tjetër i madh këtë muaj ishin zgjedhjet presidenciale në Amerikë dhe humbja e presidentit aktual Donald Trump, “kumbarës” së Marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington midis presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti. Në rend të parë, disfata e Trump-it ngre pyetje nëse do të ketë përkushtim për implementimin e një marrëveshjeje që nga shumë vetë u konsiderua se ishte në funksion të fushatës zgjedhore të presidentit. Njëkohësisht, përvoja dhe njohuritë që ka për rajonin presidenti i sapozgjedhur, Joe Biden, ngjallin shpresa për një zgjidhjeje më të qëndrueshme, me më shumë gjasa për të çuar në normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Edhe përfaqësuesi special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak, e pranoi se “dy vitet e fundit ka pasur pak vështirësi, por me zgjedhjen e Biden-it BE pret bashkëpunim më të ngushtë për të mirën e popujve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor.” New Perspektiva sjell një përmbledhje të komenteve mbi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe ndikimin e mundshëm në procesin e normalizimit midis Kosovës e Serbisë. 

Po këtë muaj u arrit një zgjidhje në kontestin mes autoriteteve lokale të Deçanit dhe Kishës Ortodokse serbe rreth ndërtimit të një rruge që kalonte nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur në afërsi të Manastirit të Deçanit. Këshillit për Zbatim dhe Monitorim (KZM) miratoi një ujdi për rehabilitimin e rrugëve në komunën e Deçanit duke e respektuar ligjin përkatës të Kosovës për Zonat e Veçanta të Mbrojtura. Në deklaratën e KZM-së thuhet se “me këtë synohet nxitja e marrëdhënieve ndër-komunitare përmes mbrojtjes së trashëgimisë kulturore fetare dhe forcimi i zhvillimit ekonomik brenda komunës së Deçanit dhe rajonit.” Kësaj çështje i referohej edhe marrëveshja e nënshkruar në Uashington më 4 shtator, në pikën ku thuhet se palët zotohen për “mbrojtjen e objekteve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore në lidhje me Kishën Ortodokse Serbe”.   

Pas disa vitesh gërmimesh të pasuksesshme, në mes të nëntorit u gjet edhe një varrezë masive në Serbi, ku dyshohet se ndodhen mbetjet mortore të 15-17 shqiptarëve të Kosovës, të vrarë në fshatin Rezallë, në vitin 1999. Është kjo varreza e pestë masive që zbulohet në Serbi që nga përfundimi i luftës. Ministrja e jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla kërkoi zyrtarisht të vizitonte Kizhevakun, vendin ku po bëheshin gërmimet, ndërsa kërkesë për vizitë zyrtare në Kosovë paraqitën edhe zyrtarë serbë, përfshirë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić. Ky “vërshim i papritur i kërkesave” për vizita nga Kosova dhe Serbia nxiti BE-në që të ndërmjetësojë një marrëveshjeje për pezullimin e vizitave derisa të zhvillohen gërmimet, pasi, sipas saj, ato mund të provokojnë tensione dhe emocione.

Ndonëse pas takimit të fundit në Bruksel, muajin e kaluar, u tha se së shpejti do të ketë një takim të ri, në nëntor prapë u ngjallën spekulimet për një bllokim të ri të dialogut. Megjithatë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e mohoi këtë duke thënë se “takimi i radhës i nivelit të lartë politik do të thirret në Bruksel, porsa të lejojnë kushtet.” Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se me sa ka njohuri ai “as në dhjetor nuk është caktuar asnjë takim për dialogun” dhe shtoi se pastaj vijnë Kërshëndellat, duke nënkuptuar se nuk pritet ndonjë takim i ri në Bruksel deri në vitin e ri.

SHARE