Shënimi i muajit

0
221

Dialogu është në binarë, por nuk është autostradë e shpejtë,” tha në fillim të dhjetorit i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Prishtinës e Beogradit, Miroslav Lajčak, duke shtuar se “është më shumë një rrugëtim i gjatë me kthesa”. Rrugë gjarpëruese, do të shtonim, bazuar në zhvillimet që e shoqëruan këtë proces gjatë këtij viti të brishtë, të cilit po i hedhim një vështrim përmbyllës në këtë shënim të muajit.

Që në fillim të 2020-s u vërejt një angazhim më i madh i BE-së dhe SHBA-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, ndërkohë që në Prishtinë po bëheshin më shumë se tre muaj që vazhdonin negociatat për një koalicion të ri qeverisës. BE shtoi përpjekjet për ringjalljen e bisedimeve të ndërprera efektivisht gati dy vite më parë, ndërsa amerikanët pretenduan suksese me ndërmjetësimin e disa marrëveshjeve midis dy vendeve.

Në janar, në ambasadën amerikane në Berlin, u shënua një “fitore historike”, siç e cilësoi i dërguari i posaçëm presidencial për negociatat e paqës, Richard Grenell. U nënshkrua një “Letër synimi” mes kompanisë ajrore Lufthansa, përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë për nisjen e një linje ajrore midis dy kryeqyteteve. “Të gjithë thanë se nuk mund të bëhej. Por për herë të parë në një gjeneratë, do të ketë fluturime direkte midis Serbisë e Kosovës. Një tjetër fitore,” deklaroi vetë presidenti Donald Trump. Derisa BE ishte në pritje të emërimit të një përfaqësuesi të posaçëm për të lehtësuar Dialogun (Lajčak-un), ambasadori Grenell ndërmjetësoi nënshkrimin e dy marrëveshjeve (letra synimi) të tjera në shkurt midis Beogradit e Prishtinës: për vendosjen e lidhjeve hekurudhore dhe transportin rrugor midis dy vendeve.

Finalizimi i marrëveshjes mes LVV dhe LDK për koalicionin që do të qeveriste vendin u përshëndet nga BE e cila tha se pret me padurim rifillimin e shpejtë të Dialogut të lehtësuar prej saj. Emisari i Trumpit, Grenell, ndërkaq tha se SHBA “pret heqjen e menjëhershme të tarifave,” të vendosura nga qeveria e mëparshme ndaj mallrave nga Serbia e Bosnjë e Hercegovina. I sapokonfirmuar në postin e kryeministrit, Albin Kurti tha se, ashtu siç kishte premtuar, “me Serbinë do të kemi reciprocitet ekonomik, politik e tregtar, si zëvendësim të tarifës 100 për qind”. Por, reciprociteti nuk ishte ide që mbështetej nga Grenelli, zyra e të cilit tha se “Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht atë.”

Debati rreth tarifave dhe reciprocitetit u intensifikua edhe më shumë pasi kryeministri Kurti paralajmëroi heqjen e pjesshme të tarifës 100% “si shenjë e vullnetit të mirë”. BE e përshëndeti këtë njoftim por Grenell tha se SHBA nuk e mbështetë “këtë masë gjysmake”. “Z. Kurti po bën gabim serioz,” shkroi Grenell në twitter duke shtuar se “kjo i është bërë e qartë sot në Shtëpinë e Bardhë presidentit Thaçi,” i cili ndodhej në Uashington për vizitë. Edhe partneri i koalicionit qeverisës, LDK, ishte për heqjen e plotë të taksave “ashtu siç po kërkojnë SHBA-të,” tha Isa Mustafa, kryetari i LDK-së.

Deputetët e LDK-së, së bashku me ata të partive opozitare, rrëzuan qeverinë Kurti në kohën kur vendi dhe bota ishin mbërthyer në luftë me pandeminë e Covid-19 që po shkaktonte vdekjen e mijëra vetëve në ditë. Në fjalimin e tij në Kuvend, Kryeministri, Albin Kurti, shprehu bindjen se shkarkimi i qeverisë kishte të bënte me “një marrëveshje të gatshme për shkëmbim territorial” midis presidentit, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vučić, që do të përmbyllej e kremtohej në Shtëpinë e Bardhë. Konflikti mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Kurti ishte intensifikuar pas kthimit të presidentit nga vizita e fundit në Uashington në muajin shkurt.

Në qershor një qeveri e re, me kryeministër Avdullah Hotin, mori mbështetjen e 61 deputetëve në Kuvend, minimumin e domosdoshëm, dhe hoqi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, të vendosura nga qeveria pararendëse. Presidenti Thaçi e mirëpriti vendimin për të cilin tha se heq të gjitha barrierat, “që Serbia deri më sot i ka përdorur si pretekst për bllokimin e dialogut”.

Pasoi një periudhë me përpjekje intensive të BE-së dhe SHBA-së, në dukje konkurruese, për të rinisur një proces të ndërprerë për më shumë se dy vite. Në ditën kur Lajčak ishte nisur për në Prishtinë, për të diskutuar, siç u tha, kushtet dhe modalitetet e rinisjes së bisedimeve, ‘homologu’ i tij amerikan, Grenell, njoftoi se kishte marrë zotimin e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë për t’u takuar në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, më 27 qershor, për të biseduar për dialogun, me fokusim në rritjen e ekonomive. “Çështjet politike,” tha Grenell, “janë përgjegjësi e evropianëve.” Por një zhvillim i befasishëm i ndryshoi gjërat. Presidenti Thaçi, ishte rrugës për në Uashington, kur Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) bëri publike ekzistimin e një aktakuze, që ia kishte paraqitur për shqyrtim Dhomave të Specializuar të Kosovës, me të cilën pretendohej se “Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”. Aktakuza u konfirmua në nëntor dhe presidenti Thaçi dha dorëheqje për t’u përballur me drejtësinë në Hagë.

Takimi i parë zyrtar i nivelit të lartë që shënoi rifillimin e shumësynuar të Dialogut Kosovë-Serbi u zhvillua nga mesi i korrikut, “me BE-në përsëri në timon të procesit“, siç u shpreh përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell. Por SHBA nuk hoqi dorë nga angazhimi i saj për një marrëveshje të mundshme as pas dështimit të takimit të qershorit. Grenell njoftoi se liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në fillim të shtatorit, në Shtëpinë e Bardhë, për “një negociatë”.  Në praninë e presidentit Donald Trump, Hoti dhe Vučić nënshkruan dy versione të një dokumenti të titulluar “Normalizimi ekonomik”. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë me implementimin e zotimeve të bëra në këtë dokument pas dështimit të Trumpit për të siguruar mandatin e dytë presidencial.

Pas takimit në Uashington, Hoti dhe Vučić zhvilluan një takim të dytë në Bruksel, bisedime të cilat  Lajčak i përshkroi si intensive dhe jo gjithmonë të lehta, por, tha se, ajo që mbizotëroi ishte “vullneti i të dyja palëve për t’i avancuar diskutimet përkundër çështjeve të dhimbshme e komplekse që trajtuan.”  Në muajt në vazhdim u zhvilluan disa takime në nivel teknik në të cilat u diskutua për bashkëpunimin ekonomik, të zhdukurit, të zhvendosurit, zgjidhjen e pretendimeve financiare të dyanshme dhe pronat.
 
Sidoqoftë, për shkak të rrëzimit këtë muaj të qeverisë Hoti nga Gjykata Kushtetuese vendi shkon në zgjedhje të parakohshme që në fillim të vitit të ri. Nëse mund të gjykohet nga përvoja e kaluar e krijimit të qeverive në Kosovë, muajt e parë të 2021-tës nuk pritet të jenë të fokusuar në dialogun me Serbinë.

SHARE