Shënimi i muajit

0
470

Përfaqësuesi special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak, ka paralajmëruar vizitë në Prishtinë për ditën e parë të marsit për ta vazhduar atë më pas edhe në Beograd. Nuk janë dhënë shumë hollësi rreth vizitës së tij në rajon (do të qëndrojë edhe në Mal të Zi) por, sipas njoftimeve, ai “planifikon të takohet me udhëheqjen politike të të tre partnerëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në terren”.

Në reagimin e parë pas njoftimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura në Kosovë në mes të shkurtit, të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Albin Kurtit, BE theksoi se “rruga evropiane e Kosovës shkon edhe përmes normalizimit të gjithëmbarshëm të marrëdhënieve me Serbinë” dhe se “pret që autoritetet e reja në Prishtinë  të angazhohen në mënyrë konstruktive për të vazhduar takimet e Dialogut të lehtësuar nga BE dhe për të shfrytëzuar rastin para tyre për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.

Nga ana e tij, Albin Kurti, kryetari i LVV-së, ka thënë se nuk dëshiron ta evitoi e ta nënçmoi dialogun me Serbinë por se ai nuk do të jetë në “top dy prioritetet” e qeverisë së ardhshme. Kurti thotë se mund të bëjë koncesion dhe ta sjellë atë në vendin e katërt pas drejtësisë, punësimit dhe pandemisë.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, e sheh këtë si zhvillim pozitiv. “Unë e kuptoj që ka një zhvillim pozitiv në ato deklarata nga të mos qenit aspak prioritet, në të qenurit prioritet numër gjashtë, tani është prioritet i katërt, kështu që unë mendoj se po shohim shenja të mira, pasi dialogu është i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjithë rajonin”, tha Szunyog.

Normalizimi i marrëdhënieve [midis Kosovës dhe Serbisë] nuk është poshtë në listën e prioriteteve të BE-së e as të SHBA-së,” shkruan Joanna Hanson në New Perspektiva. Ajo e sheh qeverinë e re si mundësi të re për normalizimin. Hanson thotë se “qeveria e re duhet të tregojë pjekuri dhe të ngrihet mbi politikat e normalizimit, t’u japë një mesazh të qartë të gjithë qytetarëve sa i përket asaj se cila është politika e saj, jo ta bëjë atë politikë të deklaratave apo sloganeve, por të fazave, hapave ku kompromiset e arsyeshme mund të jenë të matura”.

Më herët gjatë muajit, presidenti i ri amerikan, Joe Biden, në një letër që i dërgoi presidentit serb Aleksandar Vučić, me rastin e ditës së pavarësisë së Serbisë, thotë se SHBA  mbështetë qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe e inkurajojnë që të vazhdojë “hapat e fortë përpara për të arritur atë qëllim – përfshirë reformat e nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën ku do të përqendrohej me njohjen e ndërsjellë.”

Në urimin që i dërgoi ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, në përvjetorin e 13-të të pavarësisë së vendit, presidenti Biden thotë se SHBA presin me padurim të bashkëpunojnë me qeverinë e ardhshme të vendit për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. “Ka shumë punë për t’u bërë, përfshirë sigurimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse normalizimi me Serbinë të përqendruar në njohjen e ndërsjellë që përforcon sundimin e ligjit, ballafaqimin me pandeminë globale COVID-19, dhe forcimin e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme përparuese për të gjithë qytetarët e Kosovës.”

Vetë Lajčak, të cilit pritet t’i vazhdohet mandati në postin e përfaqësuesit special edhe për 17 muaj, ka thënë se “nuk mund të flasë më për afatet kohore se kur mund të pritet ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë”. Sipas njoftimeve, Lajčak ka folur para ambasadorëve në Komitetin për politikë dhe siguri të BE-së, ku ka prezantuar punën e tij të deritashme, me ç’rast ka thënë se duhet pritur po ashtu që edhe Prishtina e Beogradi t’u tregojnë qytetarëve të vetë se çfarë kompromisesh janë të nevojshme për një marrëveshje eventuale.

Siç ishte paralajmëruar, shkurti filloi me njohjen e shumëpritur të Kosovës nga Izraeli, një nga zotimet e Marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkuar shtatorin e kaluar. Departamenti amerikan i shtetit (DASH) përgëzoi Kosovën dhe Izraelin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, dhe e quajti ditë historike. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se duke qenë se Kosova ka identifikuar integrimin në BE si prioritet strategjik, BE pret që Kosova të veprojë në përputhje me këtë angazhim në mënyrë që perspektiva e saj evropiane të mos minohet. Ai rikujtoi se “pozicioni i BE-së për vendosjen e ambasadave në Jeruzalem është i qartë, pra në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të vitit 1980, e cila u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të OKB-së për të zhvendosur ambasadat e tyre në Tel Aviv, të gjitha ambasadat e shteteve anëtare të BE-së si dhe delegacionin e BE-së në Izrael janë të vendosura në Tel Aviv.” Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka ftuar Kurtin në inaugurimin e ambasadës së Kosovës në Jeruzalem, që, sipas  ministrit të jashtëm izraelit, do të ndodhë nga fundi i marsit. Marrëveshja e Uashingtonit parasheh që Serbia po ashtu ta zhvendosë ambasadën e saj në Jeruzalem deri më 1 korrik të këtij viti.