Shënimi i muajit

0
50

Pas dy ditë bisedimesh intensive në Bruksel në nivel kryenegociatorësh, i dërguari i posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak, njoftoi se ishte arritur marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për “de-eskalimin” e situatës së krijuar në afërsi të dy vendkalimeve kufitare, ku u bllokuan rrugët nga pjesëtarë të komunitetit serb, të zemëruar me vendimin e autoriteteve të Kosovës për zbatimin e reciprocitetit në përdorimin e targave të automjeteve.

Kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petković u pajtuan që pas vendosjes së trupave të KFOR-it në Jarinje e Bërnjak, në veri të Kosovës, më 2 tetor, dhe pas tërheqjes së njësive speciale të Kosovës njëkohësisht me heqjen e bllokadave të rrugës, të fillojë më 4 tetor zbatimi i ‘regjimit të letrave ngjitëse’, siç është dakorduar në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Kjo do të jetë masë e përkohshme deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme, për çka do të krijohet një Grup i Punës, i cili do të zhvillojë takimin e parë nga fundi i tetorit dhe gjetjet e veta për një zgjidhje të përhershme do t’ia prezantojë ‘formatit të nivelit të lartë të Dialogut’ brenda një periudhe prej gjashtë muajsh.

BE e mirëpriti rezultatin e diskutimeve dhe u bëri thirrje të dyja palëve që të implementojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën. BE, si lehtësuese e Dialogut, thotë se do t’i shtrojë çështjet e mbetura nga Marrëveshja e Parë, Asociacionin e komunave me shumicë serbe mes tyre, si çështje me prioritet në njërin prej takimeve të ardhshme me kryenegociatorët, para fundit të vitit. Në kohën kur po zhvilloheshin bisedimet, në Bruksel qëndroi edhe Zëvendësndihmëssekretari amerikan i ri i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, i cili shprehu shprehu kënaqësinë që kishin siguruar uljen e tensioneve.  

Situata filloi të përshkallëzohet më 20 shtator kur autoritetet e Kosovës filluan të zbatojnë reciprocitet në përdorimin e targave pas skadimit të marrëveshjes së vitit 2016 mbi këtë çështje.

Kjo masë ishte paralajmëruar nga Bislimi në fillim të muajit në Bruksel, ku po qëndronte për takim me homologun e tij nga Serbia dhe lehtësuesin Lajčak. Në atë takim trepalësh, më 8 shtator, sipas njoftimeve, u diskutua çështja e të zhdukurve dhe u tha se palët ishin pajtuar që t’i ofrojnë njëra-tjetrës qasje në arkivat respektive. Bislimi tha se, megjithatë, nuk kishte pasur “përparim të mjaftueshëm” për të organizuar një takim të nivelit të lartë, midis kryeministrit Kurti dhe presidentit Vučić.

Për të biseduar me liderët se si të çohet procesi përpara,” Lajčak vizitoi rajonin nga mesi i muajit. Në Prishtinë qëndroi nga data 15 – 17 qershor. Kryeministri Kurti tha se me zotin Lajčak nuk ishin dakorduar për takimin e radhës me palën serbe, duke shtuar se “nuk do të ketë takim para 6 tetorit kur kemi Samitin në Slloveni midis Bashkimit Evropian dhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

Në ditën kur Lajčak mbërriti në Beograd, më 20 shtator, autoritetet e Kosovës filluan zbatimin e reciprocitetit të targave që, pas ngritjes së barrikadave nga pjesëtarë të komunitetit serb në veri, çoi në përshkallëzimin e situatës deri në atë pikë sa edhe NATO u bëri thirrje palëve për shtensionim të menjëhershëm, të përmbahen, të shmangin veprime të njëanshme dhe t’i kthehen dialogut.

Me fillimin e zbatimit të marrëveshjes së arritur, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO njoftoi se, nga kjo fundjavë dhe gjatë dy javëve të ardhshme, do të ketë një prani të përkohshme të fortë dhe agjile në atë zonë për të garantuar mjedis të sigurtë dhe liri të qarkullimit për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Në ditën e fundit të shtatorit, në vendkalimin kufitar në Merdare, u bë dorëzimi i mbetjeve mortore të shtatë shqiptarëve të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë që u gjetën në një varr masiv në Kizhevak, Serbi. Një javë më parë, në po të njëjtin vendkalim kufitar, u bë dorëzimi i mbetjeve mortore të tre serbëve, të zhdukur po ashtu më 1999.

SHARE