Shënimi i muajit

0
75

Pas tensionit të dhjetë ditëve të fundit të shtatorit, muaji i tetorit filloi me shtendosje. 

Ashtu siç parashihte marrëveshja për de-eskalimin e situatës e arritur më 30 shtator, trupat e KFOR-it u vendosën më 2 tetor në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak për t’i hapur rrugë tërheqjes së protestuesve dhe pjesëtarëve të njësisë speciale të policisë së Kosovës pas bllokadës gati dyjavore që nisi kur Kosova vendosi të zbatojë reciprocitetin ndaj Serbisë në përdorimin e targave të automjeteve. Sipas të njëjtës marrëveshje, më 4 tetor, filloi edhe zbatimi i “regjimit të letrave ngjitëse” ashtu siç ishin pajtuar palët në kornizën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si masë e përkohshme deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Pika e tretë e marrëveshjes parashihte krijimin e një Grupi Punues të përbërë nga përfaqësuesë të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së.  Në kuadër të kësaj pike, parashihej edhe mbajtja e takimit të parë të këtij grupi më 21 tetor në Bruksel. Delegacionet e ekspertëve të të dyja palëve i priti vetë i dërguari special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak, i cili njoftoi se grupi, i kryesuar nga këshilltarët e tij, do të zhvillojë takime të rregullta dhe shtoi se beson që do t’i paraqesë gjetjet konkrete brenda gjashtë muajve. Sipas njoftimit të qeverisë së Kosovës, në takim u bisedua për planin e takimeve të ekspertëve në muajt e ardhshëm “që kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhje përfundimtare dhe të përhershme për këtë çështje, bazuar në dy parime themelore: zgjidhja të bazohet në standardet dhe praktikat aktuale më të mira të Bashkimit Evropian, dhe çfarëdo ndryshimi potencial duhet të vlejë dhe të ndërmerret nga të dy palët”.  Zyra e Serbisë për Kosovë tha se “ishte diskutuar për modalitetin, çështje teknike dhe parimet e përgjithshme të punës së Grupit punues”, se ishte analizuar zbatimi i “regjimit të letrave ngjitëse” dhe konfirmoi se takimi i dytë i këtij grupi do të mbahet në gjysmën e dytë të nëntorit.

Por tensionet u ngritën përsëri nga mesi i tetorit kur pjesëtarë të komunitetit serb protestuan kundër policisë së Kosovës e cila kishte filluar një aksion në Mitrovicën e veriut, siç njoftoi Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në luftën kundër kontrabandës së mallrave. Në një reagim që doli të jetë i nxituar, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se “incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme e të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme”! Gjatë asaj dite, në një prononcim për media, NATO konfirmoi se Policia e Kosovës po kryente “një operacion të zbatimit të ligjit në të gjithë Kosovën. Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet përkatëse në Kosovë dhe me përfaqësuesit e Komunitetit Ndërkombëtar.” Disa ditë më vonë, në një deklaratë të përbashkët, Borrell dhe sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, thanë se “mirëpresim dhe mbështesim angazhimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe përsërisim se dhuna kundër civilëve, gazetarëve, policisë dhe autoriteteve të tjera është e papranueshme.”

Samiti BE-Ballkani Perëndimor që u zhvillua në Brdo të Sllovenisë në javën e parë të tetorit ofroi rast për një takim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, në praninë e presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe kancelares gjermane (në largim), Angela Merkel. Siç njoftoi kryeministri Kurti, në takim kishin biseduar për Procesin e Berlinit, lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave. Në deklaratën e miratuar të Samitit të Brdos, thuhet se nga të dyja palët “pritet progres konkret në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre, që është kritike për stabilitetin dhe zhvillimin e mbare rajonit”. Edhe në raportin e progresit të Komisionit Evropian të bërë publik këtë muaj, për të dyja vendet theksohet nevoja e angazhimit konstruktiv në procesin e Dialogut dhe rëndësia thelbësore, urgjente dhe kyçe  e normalizimit të marrëdhënieve midis tyre në mënyrë që të mund të avancojnë në rrugët respektive evropiane.

SHARE