Shënimi i muajit

0
1530

Ka disa muaj që zhvillimet herë në skenën politike në Serbi e herë në Kosovë po bëjnë që Dialogu dhe procesi i normalizimit të zhvendoset nga rendi i ditës. Kështu i gjithë qershori në Kosovë u dominua nga zgjedhjet e jashtëzakonshme pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. Fillimisht nga fushata, e me daljen e rezultateve, me spekulimet se kush do ta formojë qeverinë e radhës. Ndonëse përvoja udhëzon se ajo që thuhet në fushata për çfardo çështje duhet të merret me rezervë, New Perspektiva – për çdo rast – i ka përmbledhur prononcimet kryesore të tre kandidatëve për kryeministër në lidhje me dialogun dhe procesin e normalizimit në  fushatën zgjedhore.

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn, e ka ritheksuar se përparimi në dialog është parakusht për BE. Si ‘lehtësuese’ e tij, BE-ja pret që dialogu të vazhdojë pa marrë parasysh se kush do të themelojë qeverinë e re të Kosovës. Ka kohë që flitet për një ndryshim formati apo bartje të tij në nivel presidentësh, meqë të dy presidentët, Vučić dhe Thaçi, kanë qenë të kyçur në proces pjesën më të madhe të tij, por korrespondenti shumëvjeçar nga Brukseli, Augustin Palokaj, është i mendimit se qasja është ajo që duhet të ndryshojë, e jo formati. 

Një dimension tjetër i dialogut – ai i brendshëm – është vënë në pah gjatë qershorit. Me rastin e inaugurimit në detyrën e presidentit, Vučić tha se dëshiron të nisë një dialog të brendshëm rreth Kosovës. Po kështu, njëri prej kandidatëve për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, në platformën e tij, të bërë publike nga fundi i muajit, e theksoi dialogun me qytetarët serbë të Kosovës si çështje më me prioritet se sa ai me Serbinë.

Por derisa Kosova ende pret të mësojë se kush do të jetë kryeministri i saj i ardhshëm dhe cili do të jetë programi i qeverisë së re, kryeministrja e sapozgjedhur e Serbisë, Ana Brnabić në ekspozeun e saj, tha se “Beogradi do te vazhdojë të udhëheqë politikë të paqës dhe bashkëpunimit kur është në pyetje Kosova dhe Metohia, me qëllim të arritjes së kompromisit dhe pajtimit historik të popullit serb dhe atij shqiptar… Do të jemi konsekuent dhe të vendosur në qëllimin për të siguruar realizimin e të gjitha marrëveshjeve që janë negociuar në Dialog… Posaçërisht do të ngulim këmbë në atë se është e domosdoshme sa më parë të ndërmerren hapa konkret me qëllim të themelimit të Bashkësisë së komunave serbe, edhe atë në mënyrën si është paraparë me Marrëveshjen e parë dhe Parimet e përgjithshme nga vitit 2015.”

Për të gjitha këto do të duhet të presim, por si ka ecur procesi i normalizimi në botën reale gjatë qershorit?

– Në fillim të muajit ish-presidentja Atifete Jahjaga nuk u lejua të vizitojë Beogradin për të marrë pjesë në festivalin “Mirëdita, Dobar dan!”, i cili synon t’i japë kontribut normalizimit të përhershëm të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Në njoftimin zyrtar, organizatorët thanë se ndalesa për zonjën Jahjaga ishte ‘pasojë e vendimeve politike të niveleve më të larta.” Për këtë, Ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, e njoftoi BE-në, duke e akuzuar Serbinë se “ka shkelur marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe atë për vizita zyrtare midis dy shteteve”.

– “Ende nuk ka një datë të saktë,” se kur do të bëhet ceremonia e hapjes së urës së Ibrit, citohet të ketë thënë ministrja Tahiri. Tahiri thotë se në ceremoni “pritet të marrin pjesë dhe personalite të larta të Bashkimit Evropian dhe Kosovës” dhe beson që “BE-ja është duke punuar agjendën se kur do të ndodh hapja.” Ndërkohë BE i ka bërë thirrje komunës së Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut që të nënshkruajnë Memorandumin e Mirëkuptimit, për të cilin thotë se “do të forconte bashkëpunimin ndërkomunal”.

  Në një diskutim publik të organizuar nga ACDC (Advocacy Centre for Democratic Culture) në Zubin Potok në lidhje me marrëveshjen e Brukselit për drejtësinë, një prej përfundimeve ishte se “Shtyrja e integrimit të (organeve të) drejtësisë ka si pasojë vazhdimin e pasigurisë juridike të qytetarëve.” Siç kemi njoftuar në Shënimin e parë të muajit këtë vit,  integrimi në gjyqësi është pritur të jetë plotësisht efektiv më 10 janar, por kjo nuk ndodhi. Arsyet për këtë ishin të ndryshme, sipas shpjegimeve që i dhanë palët!

Për ta përmbyllur këtë shënim me një notë më pozitive (nëse mund të cilësohet ashtu), në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për lëvizje të lirë të nënshkruar në vitin 2011, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës thotë se “ka filluar procedurat e tenderimit për vendosjen e letër ngjitëseve apo “stikersave’’, në tabelat e automjeteve të lëshuara nga Republika e Serbisë. Ne kemi përzgjedhur kompaninë që shumë shpejt (nënvizimi i NP) pritet të na furnizojë me këtë letër ngjitëse”. Për hollësitë rreth finalizimit të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë, palët janë pajtuar në shtator 2016, ndërsa zbatimi duhej të niste në nëntor të vitit të kaluar.