Shënimi i muajit

0
625

Gushti u mbyll me nji takim tjetër të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në të cilin  “ranë dakord për hapat final për zbatimin e  marrëveshjes së Drejtësisë të arritur në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.  Derisa në takimin e parë të tyre në cilësi presidentësh – në fillim të korrikut –  Hashim Thaçi e Aleksandar Vučić  kishin rënë dakord të fillonin një fazë të re të dialogut midis dy vendeve dhe kishin theksuar rëndësinë e zbatimit pa vonesë të marrëveshjeve të arritura deri tani, këtë herë ata konfirmuan se  marrëveshja do të implementohet në tërësi më 17 tetor 2017.” Sipas kumtesës së lëshuar nga zyra e lehtësueses, Federica Mogherini, “atë ditë, gjykatësit, prokurorët dhe personeli gjyqësor do të integrohen në gjyqësinë kosovare, çka do të mundësojë ndarjen e drejtësisë në tërë Kosovën dhe në veçanti, në rajonin e Mitrovicës”. Thaçi e Vučić thanë po ashtu se kishin rënë dakord të takohen më shpesh.

Sa i përket drejtësisë, gjendja në veri të Kosovës është e tillë që “nuk ka mjaft siguri ligjore për qytetarët që të dinë se cilit gjyq t’i drejtohen për të realizuar ndonjë të drejtë të tyre,” vlerëson avokati Ljubomir Pantović. Ai thotë se “këtu kemi një situatë ku thuajse në mënyrë të pavarur ekzistojnë tri sisteme të drejtësisë e ato janë sistemi i drejtësisë i Kosovës, sistemi i drejtësisë i Republikës së Serbisë e do të thosha që edhe EULEX-i përfaqëson, ndonëse zyrtarisht, deklarativisht është në sistem të Kosovës megjithatë në një mënyrë është i ndarë dhe si një sistem i veçantë.” Sipas gjykatëses Jelena Krivokapić, humbësit më të mëdhenj nga shtyerja e zbatimit të marrëveshjes për integrimin e drejtësisë janë qytetarët e ndërgjegjshëm. Ajo shton se qytetarëve të pandërgjegjshëm u përshtatet kjo gjendje sepse “është e mirë për manipulim, për keqpërdorim të së drejtës në dëm të tjetrit e në dobi të vetvetes.

Marrëveshja e drejtësisë u arrit në shkurt 2015, kur u nënshkrua nga kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vučić. Në nëntor 2016 Brukseli njoftoi se “integrimi do të jetë plotësisht efektiv më 10 janar 2017”. Është vështirë të mos vërehet ngjashmëria në formulim atëherë (integrimi do të jetë plotësisht efektiv më 10 janar 2017) dhe tash (do të implementohet në tërësi më 17 tetor 2017 ). Për moszbatimin e kësaj marrëveshje deri tani, pala kosovare ka fajësuar Serbinë për të cilën thotë se zyrtarisht është dashur të ndërpresë “pagat dhe kontratat e punës për gjykatësit dhe prokurorët serbë dhe stafin administrativ të rekrutuar për të punuar në institucionet e drejtësisë në Kosovë, dhe ka vonuar procesin e konsolidimit të Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë në rajonin e Mitrovicës”. Pala e Kosovës thotë se nga ana e saj i ka përmbushur të gjitha detyrimet.

Këtë gusht u bënë dy vjet nga “finalizimi i planeve të implementimit të katër marrëveshjeve: mbi energjinë, telekomin, krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe lirinë e lëvizjes/urën e Mitrovicës”. Prej këtyre vetëm marrëveshja për telekomin është duke u zbatuar.  Nga të tjerat, sipas raporti të fundit të qeverisë së Kosovës të dorëzuar në BE, marrëveshja e energjisë është e bllokuar tërësisht, revitalizimi i urës po pengohet nga Serbia, ndërsa krijimi i Asociacionit është vonuar nga Kosova, e cila thotë se do të vazhdojë ta përmbushë këtë detyrim pasi të jetë formuar qeveria e re, e dalë nga zgjedhjet e qershorit.

comments

SHARE