Shëtitja për liri – kundër frikës 

Ndoshta në këtë protestë u mblodhën rreth njëqind njerëz, ndoshta shumë vetë ende kanë frikë, ndoshta pushteti po bën çmos që të pengojë këto protesta, por një gjë është e sigurt: Mitrovica e veriut pas një kohe të gjatë e ndjeu frymën e lirisë. Pas një kohe të gjatë, dikush guxoi që të kundërshtojë, që të thotë se si është me të vërtetë situata.

0
213

Shëtitjet protestuese me moton „1 nga 5 milionë“ tashmë qe nëntë të shtune me radhë po mbahen në Beograd. Protesta si e tillë filloi pas rrahjes së një lideri të opozitës, Borko Stefanović-it, kurse vazhdoi si luftë kundër pushtetit aktual në Serbi. Jo shumë kohë pas shëtitjes së parë, kjo protestë u shtri edhe në qytetet tjera të Serbisë. Këtë të shtunë, më 2 shkurt 2019, kjo protestë erdhi edhe në Mitrovicën e veriut. 

Shumë vetë do të thonë papritur. Jo se njerëzit nuk i mbështesin këto protesta, jo se nuk do të kishte kush t’i udhëhiqte, por thjesht për shkak të frikës nga reagimi i atyre të cilëve nuk u pëlqejnë këto protesta. Kur organizatorët e protestës paralajmëruan se do të mblidhen, para së gjithash deputeti i listës „Serbia, demokracia, drejtësia“, Marko Jakšić, reagimet e Listës Serbe, si dhe të autoriteteve nga Serbia, ishin të zhurmshme, ashtu siç ishte pritur, por mund të thuhet edhe të çmendura.

Kjo protestë u karakterizua si anti-serbe, sepse gjykuar sipas fjalëve të drejtorit të Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Đurić, kjo protestë paraqet ndarje të serbëve dhe është e panevojshme në Mitrovicë. Qartazi, gjithçka që nuk është në përputhje me politikën e Partisë Përparimtare Serbe, e me këtë edhe me Listën Serbe, automatikisht po interpretohet si diçka që është kundër Serbisë dhe interesave serbe. Çmendi në vete! A ishte dikush prej tyre i interesuar për demokracinë, lirinë e mendimit apo diçka të ngjashme? Natyrisht që jo, sepse nëse i pyetni përfaqësuesit e pushtetit serb në veri të Kosovës, votimi për ta është gjëja e vetme që duhet të bëhet dhe „patriotike“. Për ta, demokracia dhe liria e zgjedhjes paraqesin luftë kundër Serbisë. 

Vetëm një ditë para mbajtjes së shëtitjes „1 nga 5 milionë“ në Mitrovicë, Lista Serbe organizoi një protestë me të cilën u shënuan 100 ditë të vendosjes së taksës për mallrat serbe në Kosovë. As më pak as më shumë por pikërisht një ditë para protestës së paralajmëruar opozitare. Natyrisht, ashtu si gjithmonë, edhe në këtë protestë, si obligim, morën pjesë të gjithë të punësuarit në administratën publike në veri. Që gjërat të jenë edhe më keq, të gjithë të punësuarve në po ato ndërmarrje u ishte ndaluar pjesëmarrja në protestën e së shtunës. Siç është thënë tashmë: nuk ka këtu demokraci, as që ka rëndësi për dikë. 

Përkundër kërcënimeve, obstruksioneve, deklaratave të përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë, shëtitja „1 nga 5 milionë“ u mbajt edhe në Mitrovicë. Numri i të tubuarve, ashtu siç raportojnë mediat, ishte më shumë se 100. Shëtitjen, përveç Marko Jakšić-it të lartpërmendur, e udhëhoqi edhe djali i madh i Oliver Ivanović-it. Derisa disa nga qytetarë të afërt me pushtetin u munduan që t’i bëjnë obstruksione kësaj proteste, një numër goxha i madh i njerëzve të panjohur vështronin, ndërsa policia e mbronte atë, më shumë se 100 qytetarë të Mitrovicës së veriut vendosën që më në fund t’i kundërvihen frikës dhe me zë të lartë të thonë se nuk pajtohen me atë që autoritetet e Serbisë po ndërmarrin në Kosovë. Kërkesa kryesore e kësaj proteste ishte zbulimi i vrasësve të  Oliver Ivanović-it.

Derisa Lista Serbe e deklaron këtë protestë si anti-serbe dhe të pasuksesshme, organizatorët janë më shumë se krenarë sepse më në fund u dëgjua zëri i serbëve të pakënaqur në Kosovë. Në të njëjtën kohë, shumë vetë në Serbi e vlerësojnë këtë tubim në Mitrovicë si fillim përfundimtar të luftës kundër autoriteteve të Partisë Përparimtare Serbe, sepse siç mund të konkludohej, në veri të Kosovës është më e vështirë se kudo tjetër në Serbi që të thyhen manipulimet, ndikimi politik dhe frika.

Ndoshta në këtë protestë u mblodhën rreth njëqind njerëz, ndoshta shumë vetë ende kanë frikë, ndoshta pushteti po bën çmos që të pengojë këto protesta, por një gjë është e sigurt: Mitrovica e veriut pas një kohe të gjatë e ndjeu frymën e lirisë. Pas një kohe të gjatë, dikush guxoi që të kundërshtojë, që të thotë se si është me të vërtetë situata. Edhe pse ende është e panjohur nëse të shtunën e ardhshme do të vazhdojë shëtitja mitrovicase, diçka ndryshoi, u bë e re, më e lirë. Dikush më në fund e bëri një shëtitje për liri. Për liri dhe kundër frikës. Mitrovica më në fund tregoi që mundet ndryshe, që mundet guximshëm.

comments

SHARE