Shqiptarë e serbë në protestë të re kundër hidrocentralit që dëmton Lepencin

0
51


Banorët e Shtërpcës thonë që hidrocentrali po e varros lumin Lepenc.

Shqiptarë e serbë të kësaj komune janë mbledhur sërish bashkë për të kundërshtuar ndërtimin e hidrocentralit në këtë lumë.

Ata e kanë këtë qëndrim tash e disa vjet. Të mbledhur në fshatin Biti të Poshtme ata thonë që hidrocentrali nuk po u sjell asnjë të mirë, raporton KTV.

Sipas tyre, nga kjo po përfitojnë individë të caktuar.

E, se nuk kanë gjetur mbështetje që nga 2013-ta, e thonë edhe banorët serbë të zonës. Ata thonë se lumi është shitur.

Ndërtimet që po bëhen në lumin Lepenc, kanë ndikuar edhe në prishjen e shtratit të tij.

Përgjatë gjithë zonës shihen makineri e gypa që pritet të vihen në funksion.

Banorëve të Bitisë kjo ua ka vështirësuar punën në pronat e tyre.

Ata thonë që futja në gypa e lumit, ua ka pamundësuar edhe ujitjen e tokave bujqësore.

Në ndihmë banorëve të Shtërpcës, u ka dalë edhe Instituti Demokratik i Kosovës.

Diana Metushi – Krasniqi nga ky institut thotë që është shkelur edhe neni 52 i Kushtetutës së Kosovës.

Ndërkaq, nga Komuna e Shtërpcës nuk kanë dhënë asnjë përgjigje për dhënien e lejes së ndërtimit të hidrocentralit në Lepenc.

Gjatë muajit janar, ky institucion kishte vendosur që përkohësisht të ndërpresë ndërtimin e këtij hidrocentrali.

Mirëpo, megjithëkëtë, punimet ende po vazhdojnë.

(koha.net, 01/07/2019)

SHARE