Shtirja e Albin Kurtit me Listën Serbe

Lista Serbe është jashtë Qeverisë Haradinaj, ndërkohë që i ka premtuar opozitës shqiptare votat për rrëzimin e saj. Qeveria shqiptare i ka 56 sosh, ose 5 më pak se që është e nevojshme për të kaluar mocioni në fjalë. Nëntë ose 19 deputetët serbë do t’i dilnin, e bile edhe do t’i tepronin. Por, pse të bashkëpunohet me një subjekt politik që ka nënshtrueshmëri të plotë ndaj Aleksandër Vučić-it?

0
120

Kandidatët e Listës Serbe, ashtu siç pritej, i fituan bindshëm të katër komunat e Kosovës me të cilat qeverisën edhe më herët.

Por, këto fitore bindëse erdhën pas një mori ndodhish domethënëse. Aleksandër Vučić-i ia doli që ta helmonte ambientin politik edhe më shumë dhe ta zhvlerësonte demokracinë nga potencialiteti i saj, për ta kufizuar përbrenda formalitetit bosh. Sot zgjedhjet në komunat që qeverisen nga Lista Serbe janë më  pak të rëndësishme se para 7-8 vitesh. Sot, zgjedhja si mundësi është rrënuar. Të kujtojmë vrasjen e Oliver Ivanović-it, rrahjen e Sllobodan Petrović-it, qortimin e Rada Trajković-it dhe trembjen e intimidimin e disa politikanëve tjerë jolojalë që u morën në pyetje në Serbi. Pse u desh të ndodhte një gjë të tillë kur Lista Serbe do të fitonte ashtu-kështu? Epo, ambicja e shfaqur haptas prej pushtetit në Serbi është homogjenizimi i serbëve të Kosovës në mënyrë që të përdoren më kollaj në lojërat e ardhshme politike. Nëse Vučić-i njëherë thotë “ndoshta duhet ta njohim Kosovën” dhe më pas “kurrë s’do ta bëjmë atë gjë”, në realitetin aktual politik do të mungojë një politikan a një grupim serioz politikanësh serbë për ta bërë të dukshme hipokrizinë. 

Lista Serbe është subjekt që doli nga një marrëveshje në Bruksel prej presidentit tonë aktual, Hashim Thaçit, dhe presidentit serb të përmendur më lart. Kjo parti e dorëzoi pushtetin dhe përfaqësimin politik nga serbët e Kosovës te qeveria serbe. Qeveria serbe, për aq sa rrethanat nuk ndryshojnë drastikisht, do ta ketë synim që serbët në Kosovë të mbahen të frikësuar, të paarsimuar, të margjinalizuar e të varfër. Sepse duke pasur takat të dobët në politikbërjen ndërkombëtare, Vučić-it dhe vartësve të tij, do t’iu duhet që kohë pas kohe të gënjejnë e t’i ndërrojnë qëndrimet. Dhe serbët e Kosovës duhet ta tolerojnë atë retorikë të çalë. Të bëhen shurdh. 

Por, në anën tjetër edhe liderët shqiptarë të Kosovës kanë bërë gabim të tmerrshëm në hapa. I pari ishte nënshkrimi i marrëveshjes që krijoi Listën Serbe nga Hashim Thaçi. Edhe presidenti i Kosovës është djegur po aq shpesh nga paaftësia për të rezonuar mbi problemet politike. Thaçi gënjeu shumë më shpesh se Vučić-i, por për fat të mirë, mbikëqyrja ndërkombëtare në Kosovë ia ka pamundësuar që t’i fus nën zgjedhë qytetarët e Kosovës përmes frikës. Atij nuk i duket kurrfarë e ardhme në horizont pas përfundimit të mandatit më 2021. 

Ndërkohë që homogjenizimi në skenën politike të serbëve të Kosovës i ka shërbyer Listës Serbe që të faktorizohet edhe brenda Kuvendit tonë, e që përmes votave të saj të kushtëzonte rrëzimin apo votimin e dy qeverive deri tash, dhe ligjeve të rëndësishme që u propozuan. Mirëpo ky faktorizim nuk është përkthyer në investime te ky komunitet apo në rritje të integrimit. Faktorizimi në fakt është derdhur te pushteti në Beograd duke qenë madje edhe financiarisht i qendërzuar te një grup fare i vogël njerëzish. Interesi themelor i qeverisë në Beograd ndeshet me interesat e përditshme të serbëve në Kosovë.

Mirëpo, aktualisht jemi në një moment të ri politik. Lista Serbe është jashtë Qeverisë Haradinaj, ndërkohë që i ka premtuar opozitës shqiptare votat për rrëzimin e saj. Qeveria shqiptare i ka 56 sosh, ose 5 më pak se që është e nevojshme për të kaluar mocioni në fjalë. Nëntë ose 19 deputetët serbë do t’i dilnin, e bile edhe do t’i tepronin. 

Por, pse të bashkëpunohet me një subjekt politik që ka nënshtrueshmëri të plotë ndaj Aleksandër Vučić-it? 

Epo, problemi është se thyerja e këtij homogjeniteti në jetën politike të serbëve të Kosovës është krejt e pamundur pa bashkëpunim. Nuk mund të shkosh te pakica serbe e t’iu tregosh se kënd ta votojnë. E as t’iu imponosh vrazhdë zgjedhjen. 

Mirëpo, opozita shqiptare është qorruar nga i njëjti diskurs nacionalist me të cilin shërbehet qeveria në Prishtinë e ajo në Beograd. Një qorrim që i bën jopragmatikë e bile edhe dëmtues të interesave të vendit. 

Mundësia që ky bashkëpunim eventual t’i dëmtonte elektoralisht është krejt e vogël marrë parasysh skandalet gati të përditshme të qeverisë aktuale dhe faktin se tri qeveritë e kaluara i përdorën po votat e këtij subjekti politik për t’u krijuar. 

Përjashtimi a priori i Listës Serbe përbën një prapakthim të dhimbshëm në procesin e integrimit të këtij komuniteti. Ky përjashtim ose kjo vijë e kuqe ndaj këtij subjekti është në fakt vijë e kuqe mohuese ndaj gjithë komunitetit serb në vend. Albin Kurti (po e përmendi Kurtin meqë kundërshtimi i tij është ndjeshëm më i fortë se ai i kreut të LDK-së, Isë Mustafës), kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, në një video shihej derisa i hiqte vijat e kuqe edhe për PDK-në, duke e kundruar si konstante të pushtetit, por vazhdon ta konsiderojë të pamundur bashkëpunimin politik me Listën Serbe. “Kush bashkëpunon me Vetëvendosjen, bëhet më i mirë!” është argumenti i tij për të legjitimuar partneritetet e panatyrshme politike. Çka për Listën Serbe? 

Përjashtimi që po i bën opozita shqiptare Listës Serbe minon përpjekjet e saj që në mënyrë parimore të marrë në dorë qeverinë e ardhshme sepse edhe për krijimin e saj do t’i duhej që pa çare të merrte votat e këtij subjekti. 

Prandaj, unë nuk arrij ta lexoj ndryshe veç si një vazhdim të lojës teatrore, si një shtirje kinse duan pushtet – kur në të vërtetë, e vetmja gjë që iu intereson është t’i shmangen vazhdimisht përgjegjësisë për të ardhmen e vendit. 

SHARE